PD-Tahirit: Arrestoje personin që ka dalë në foto më Bashën
Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave të Ministrit të Rendit, Saimir Tahiri. Ministri Tahiri publikoi një foto ku shfaqet një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge me kreun e PD-së, Lulzim Basha.
PD i kërkoi sot Tahirit të arrestojë personin që është në kërkim për trafik droge dhe më pas të flas për lidhjet e supozuara me PD. Ndërkohë, PD i kujton Ministrit Tahiri se sot duhet të kishte folur për kërcënimin që ju bë Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Deklarata e plotë e PD:
Do të donim shumë që ky trafikanti te ishte në prangat e policisë duke dhënë sqarime edhe për aludimet miqesore të ministrit Tahiri. Por siç ka ndodhur deri tani çuditërisht trafikantet i shpëtojnë policisë. Flagrant është rasti i baronit të drogës Balilajt që shetit i lirë dhe nën mbrojtjen e Tahirit në Sarandë.
Nuk mund të fshihesh pas aludimesh dhe akuzash kaq ordinerë ti që je përgjegjësi kryesor i kthimit të vendit në hambar drogë dhe njeriu qe u jep mbrojtje të drejtperdrejtë trafikanteve të drogës, gjobvënesve dhe kriminelëve.
Sot në fakt po prisnim reagim tend ose të kryeministrit për kërcënimin që i është bërë Prokurorit të Përgjithshëm. Thuhet se kërcenuesit janë miqtë e tu.
Urojmë dhe shpresojmë që institucionet përgjegjëse ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje të denjë për vendet ku sundon mafia dhe krimi.
Në rast se mendoni se me shpifje do ti mbyllni gojën opozitës, jeni të dështuar. Beteja totale kundër krimit, drogës dhe lidhjeve tuaja dhe të Edi Ramës me kartelin, sapo ka nisur.
Tahiri: Basha të përgjigjet për foton me mikun që kërkohet për trafik droge
KOHA JONË SONDAZH

