Përgjigje Meros!- Nga Hari Lena
Nga Hari Lena.
I detyruar nga sulmet tuaja, jo parimore dhe as ligjore, po mundohem të sqaroj publikun dhe natyrisht kryeministrin e vendit tim, zotin Edi Rama se çka ndodhur :
Unë kam investuar që në vitin 1991 në vendin tim për të bërë diçka pozitive, natyrisht për biznesin tim, por edhe duke punësuar qindra punonjës. Jam përplasur me burokracitë e të gjitha qeverive, pasi po mundohemi nga pak e përditë, të gjithë, të rregullojmë vendin e patjetër aktivitetin e biznesit. Por këto ditë publiku shqiptar është njohur me një sulm tuajin zoti Baze, por në të vertetë nuk ka asgjë të saktë në ato çka shkruani, sepse aty ku kam investuar ndër vite, nuk po bëhet asnjë betonizim, siç akuzoni. Ju më keni sulmuar edhe në vitin 2007-2008 në kohën e pushtetit të zotit Berisha, kur ishit akoma në miqësi me të. Edhe asokohe më keni thënë se “ sa të jem unë nuk ke për të ndërtuar këtu”! Edhe tani, me një pushtet tjetër nga ai i vitit 2007, përsëri deklaroni se “ nuk do ta lë Hari Lenën të ndërtojë dhe do ti prishë biznesin!”. Qeveritë ndryshojnë, zoti Mero, por ju prapë paskeni mbetur ai, i njëjti, që për interesat personale shfryni, shkruani dhe ndërseni pushtetarët e radhës, paçka se unë kam gjithë të drejtën e Zotit dhe të Ligjit t’i drejtohem Kryeministrit dhe qytetareve të Shqipërisë për ta sqaruar realisht se si është e verteta, ndonëse ju e keni shtrembëruar mjeshtërisht, falë aftësisë si gazetar i vjetër dhe lidhjeve okulte që mund të keni me pushtetarë të veçantë. Unë si Hari Lena nuk e kam ngrënë presionin tënd, dhe të askujtë tjetër, as atëhere, por po të bëjë me dije që s’do ta ha, as sot.
Së dyti, nuk ma lejon edukata dhe kultura ime e rritur ndër vite mes halleve të shumta të biznesit, që të përdor të njëjtin fjalor siç fyeni Ju, mua. Sepse e di shumë mirë se sa e vështirë është të ndërtosh një biznes të pastër në vendin tim. Mund të kuptoj interesat tuaja private nga sa jeni nisur në këtë sulm ndaj meje si njeri dhe si biznesmen. Unë mund të akuzojë se ju keni interesa personale biznesi në zonën e Vjosës, por nuk mund ta them! Mund të them edhe se më ke jeni takuar gjatë këtyre muajve për të më prishur biznesin tim, por edhe këtë nuk po e them këtë radhë!
Së treti, më lejoni të sqaroj publikun se aty nuk ka asnjë ndërtim siç tmerruat zyrtarët e shtetit, asnjë gram beton nuk është hedhur, përkundrazi jemi në fazën e lejeve që mund të japin institucionet e pushtetit dhe se për të vazhduar biznesin tim të ligjshëm duhej një provë teknike se si mund të bënim disa matje në sherbim të aktivitetit, por pa dëmtuar mjedisin apo turizmin e zonës.
Së katërti nuk keni asnjë të drejtë të denigroni markën e biznesit tim, të cilin e kam ngritur ndër vite, pasi është jo vetëm antiligjore kjo që ju i bëni pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, përkundrazi kemi produktin më të mirë në treg.
Së fundmi, unë si Hari Lena, ndonëse nuk kam kohë të tëpert të merrem me shkrime, por pasi më keni denigruar emrin tim, sulmuar dhe dëmtuar biznesin, përsëri jam i hapur të ftojë në një debat televiziv pjestarë të qeverisë, opozitës, pjestarë të biznesit, analistë të medias, bile edhe ti Mero, për gjithçka kërkon të dijë publiku rreth akuzave dhe fyerjeve tuaja pa asnjë bazë. Jam i mësuar në jetën time të punojë shumë e të flas pak.
Me respekt për qytetarët.
Hari Lena
Tiranë, 10 tetor 2017
Rasti “Harri Lena”, tregon si qeveris Edi Rama
Nga Mero Baze
Është pak qesharake ta mendosh që Harri Lena ka “kapur” Edi Ramën. Nuk i plotëson disa kushte dhe nuk të beson njeri kur ja thua. Nuk e ka identikitin e atyre biznesmenëve që vërtet ndikojnë tek Edi Rama dhe i kanë dyert e hapura. Nuk ka peshën e tyre në opinion publik, lobimin e tyre, fuqinë mediatike të tyre, dhe shifrat e tyre.
Por pamvarësisht kësaj, duket se ai ja ka dalë me sukses që për gati dy javë punime pa leje në shtrat të Vjosës, jo vetëm të mos arrestohet, por të mos i ndalohet asnjë punëtor apo të mos i sekuestrohet asnjë llamarinë nga kantieri. Duket se INUK, Policia dhe gjithë institucionet që duhet të vepronin, janë kujdesur për kantierin e paligjshëm të tij, të qartë, që një ditë ai do të jetë i ligjshëm dhe nuk i duhet prishur punë.
Dhe këtë nuk mund ta kenë me intuitë. E kanë padiskutim me udhëzim. Dikush i ka udhëzuar të bëjnë sikur shkojnë atje, po të mos i prishin punë se do marrë leje.
Pra, mënyra se si një biznesmen thuajse i falimentuar në atë biznes, po na prezanton një kryeministër të kapur, është pikërisht falë mënyrës se si Edi Rama ndërton parimet e pushtetit të tij.
Në përpjekje për ta grumbulluar pushtetin në Kryeministri, shumë batakçinj si ky tipi në fjalë, e “kapin” fare lehtë kryeministrin. E kapin se nuk funksionon sistemi formal që ai ndërton për “qytetarët”.
Nëse do të ishte e vërtetë që policia e rendit, po konstatoi punime pa leje, arreston punëtorët, sekuestron veglat dhe ndalon pronarin, sot Harri Lena do ishte në burg. Për një orë që qëndroi aty një gazetar i “Dritares”, gjeti dhe faturën tatimore të papaguar për punëtorët nga Kukësi që ka marrë në punë të zezë.
Nëse do të ishte e vërtetë, që INUK, kur shkon në një vend dhe gjen punime pa leje, shkatërron objektin dhe dënon pronarin, sot kantieri do ishte prishur dhe Harri Lena do ishte dënuar.
Asgjë e tillë nuk ndodhi. Për të qenë brenda, punonjësit e INUK bëjnë foto nga një distancë 500 metra larg, që të mos duket kantieri dhe raportojnë që nuk duket gjë, ndërkohë që gazetarët hyjnë lirshëm mes kantierit dhe fotografojnë dhe rrobat e lagura të punëtorëve, që hyjnë në lumë nga frika sa herë shikojnë njerëz që afrohen.
Vetë Harri Lena sot rrinte para ndërtesës ku mbahej Asambleja e PS, që të takonte ndonjë nga “të mëdhenjtë” e t’i ankohej për shtypin që e bezdiste.
Mënyra se si ky biznesmen, i ka mbijetuar sistemit “represiv” të Edi Ramës për kontrollin e territorit, është një leksion mbi dështimin e këtij sistemi, për shkak se ai nuk është i lirë të funksionojë sipas ligjit, por i komanduar nga qendra okulte në Kryeministri. Pra ai nuk është pushtet real, por pjesë e pushtetit të koncentruar në Kryeministri, që ka fuqinë e duhur të të fusë në burg për një llamarinë, ose që të të lejojë të betonosh Vjosën pa asnjë leje për javë të tëra.
Dhe më shumë se çështje e fuqisë së “Harrit” tek Rama, kjo është çështje e skemës fallco të strukturave të pushtetit që kontrollojnë territorin. Ato duket që nuk kanë punë me ligjin, por me dikë që i komandon nga zyrat e Edi Ramës në Tiranë. Nuk them se gjithmonë mund t’i udhëzojnë keq, por mjafton një rast i tillë për ta rrëzuar të gjithën, pasi provojnë që edhe Harri Lena mund të “kapë” kryeministrin. Dhe kjo është më e rëndë, se t’i japësh leje për atë masakër.
Të kishte Shqipëria edhe 10 Mero Baze!
Nga www.albanianews1.al
Në Shqipëri ka korrupsion, shpërdorim detyre, krim të organizuar e plot fenomene negative. Natyrisht që ka edhe një shoqeri në zhvillim. Por ka shumë vite që qytetarët ankohen për halle të ndryshme apo për biznesmenë të lidhur me pushtetin e radhës, por që bëjnë ligjin aty ku duan, sipas interesit që iu shton paratë. Në shumë pak raste reagon shteti nga ankesat e qytetarëve apo medias. Biznesmenë që ndërtojnë kudo pa leje apo me leje, por që prekin interesa të komuniteteve, ka biznesmenë që shkatërrojnë lumenjtë, por që asnjeri nuk i trazon. Ankohen qytetarët, por fare pak zgjidhje u jep pushteti.
Rasti i fundit ishte i Harri Lenës një biznesmen nga Gjirokastra, i cili u denoncua nga botuesi i gazetës TEMA, Mero Baze. Baze njihet për afërsinë me kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij. Ai kontribuoi mjaft për të rrëzuar Berishën në vitin 2013. Por Mero mbetet kritik edhe me Ramën. Mero bëri një editorial kundër biznesmenit Lena që po prek lumin Vjosa dhe po hedh beton në mjedin turistik të Vjosës. Nuk vonoi dhe dy ditë pas shkrimit u dynd e gjithë qeveria në Vjosë, ku po ndërtonte Harri Lena. Ministrat Blendi Klosi dhe Sonila Qato udhëtuan të dielën pa lind dielli drejt vendit ku janë hedhur kolonat dhe betoni për devijimin e ujërave dhe shfrytëzimin e tyre për biznes. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi buzë Vjosës se: “Nuk ka asnjë tolerim për bisnese të paligjshme në dëm të interesit të përbashkët dhe pasurisë së përbashkët, mjedisin. Dinozaure mjedisorë si ky ndërtim këtu, nuk do të pranohen, nuk do lejohen dhe nuk kalojnë në heshtje”.
Ministri tha se kanë nisur hetìme për ndëshkimim e institucioneve që nuk vepruan në kohë. “Gjej rastin të falenderoj drejtuesit e ministrisë së brendshme për nisjen e hetimeve për mosveprimin e policisë së shtetit për këtë skenë krimi, si dhe heshtjen e çdo strukture lokale që mbyllin sytë dhe lejojnë të tilla biznese të paligjshme, krime mjedisore që dëmtojnë interesat e përbashkëta, pronën e përbashkët dhe me shumë sesa kaq, lejojnë të dëmtohet kjo pasuri e përbashkët siç është lugina e Vjosës, që është trashegimi e përbashkët historike, kulturore, por dhe shpirtore”, tha Ministri Klosi gjatë inspektimit sot në Këlcyrë.
Klosi ftoi qytetarët që të kryejnë denoncime për raste të ngjashme. “Për ne, për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për këtë qeveri që ka shpallur aleatë të bashkëqeverisjes qytetarët, interesi dhe zëri i tyre është vendimarrës. Ndaj ftoj çdo qytetar të denoncojë, bashkëveprojë me ne për të penguar, moslejuar apo parandaluar vepra të tilla, krime të tilla mjedisore, dinozaure të shkatërrimit të pasurisë së përbashket, mjedisit”,-tha ministri Klosi.
Fill pas dy ministrave Klosi e Qato doli edhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ku reagoi për skandalin e një ndërtimi pa leje në Grykën e Këlcyrës, i neglizhuar nga policia locale.
Fatmir xhafaj paralajmëroi nisjen e hetimeve për mosveprimet e policisë, që nuk kanë mundur të ndalojnë asnjë prej autorëve të masakrës mbi Vjosë. “SHÇBA e Hetimi Pol Shtetit në luginen e Vjosës. Tolerance 0 ndaj çdo ndërtimi të paligjshëm e krimi mjedisor. Flm medias e shoqërisë civile” shkruan Xhafaj në Twitter.
I gjithë pushteti e qeveria u dynd në Vjosë. Sekush të raportonte i pari te kryeministri Rama, se e bllokuan dhe ndëshkuan biznesmenin Harri Lena. Thonë se donte të vraponte edhe ministrja e kulturës për në Vjosë. Edhe ajo t’i niste kryeministrit foto buzë lumit dhe afër hekurave të Harri Lenës.
Tre ministra për një shkrim të Mero Bazes. Mund të shkonte dhe Gjiknuri e Ahmetaj. Por me daljen e Fatmir Xhafës nuk mund të dilte më njeri, pasi ai ka policinë, ndalimet, arrestimet.
Mirë që ishte Mero që shkoi andej ku ka origjinën, pasi për kryetarë bashkie apo deputetë, apo edhe për popullin e thjeshtë biznesmeni Harri Lena do vazhdonte masakrimin e Vjosës. Por shteti nuk funksionon kështu; se foli Mero dhe u dyndën ministrat kush të shkonte më parë e të niste foto nga Vjosa që ti shikonte kryeministri. Natyrisht që Mero Baze duhet përgëzuar për denoncimin publik në shkrimin e tij kurajoz. Por pyetja vjen: Sikur të mos ishte Mero Baze si do ta bllokonin Hari Lenën?
Sikur të kishte Shqipëria edhe 10 Mero Baze të tjerë, nuk do të kishim shkelje të ligjit, kaq hapur. Por shteti ligjor nuk funksionon kështu që pushteti vrapon nga frika e një botuesit të rëndësishëm, ku të dielën morën turravrapin një mori ministrash për në Vjosë. Mirë ministri i Mjedisit dhe Turizmit se kishte detyrë funksionale, por ministrat e tjerë pse nxituan të lajmëronin publikun se “po merremi urgjent me Vjosën”?! Apo se bëri shkrim kritik Mero Baze?
Tri të mira që na i solli Vjosa
Nga Mero Baze (përgjigje pas reagimit qeveritar)
Masakra në Vjosë u ndal dhe tani keqbërësit kanë hyrë në një proces hetimi për t’u përballur me ligjin. Në këtë betejë disa ditore kundër një biznesmeni të papërgjegjshëm, që mendon se mund t’i mbijetojë dështimit, duke shkatërruar pasuritë natyrore të Shqipërisë, ka disa lajme të mira.
Frika më e madhe që kisha në këtë histori, është ajo që ka ndodhur në vitin 2007-2008, kur isha i vetëm në betejën kundër ngritjes së stabilimentit të shëmtuar të nxjerrjes së ujit “Trebeshina” në zemër të Grykës së Këlcyrës. Sali Berisha jo vetëm që nuk reagoi, por pikërisht për të treguar se nuk e ndikon dot askush në vendimet e tij, i legalizoi uzurpimin e tokës, ujit dhe ndërtesën që shëmton gjithë Grykën e Këlcyrës dhe që një ditë duhet larguar andej patjetër.
Pikërisht për shkak të kësaj historie, kisha frikë se arroganca e qeverisë mund të përsëritej dhe unë do të isha dy herë fajtor për krimin në atë vend.
Herën e parë që u ngrit dhe tani që po shkatërronte dhe ujëvarat. Lajmi është se kjo qeveri provoi se është ende e ndjeshme dhe reagon ndaj opinionit publik, shoqërisë civile dhe shtypit të angazhuar në këtë betejë. Tani jemi të gjithë më të qetë.
Lajmi i dytë i mirë është që pati një ndjeshmëri të madhe në rrjet kundër masakrës. Një aktiviste e shoqërisë civile Brizida Gjikondi i dha zë çështjes në rrjet dhe shumë shpejt ajo u bë çështje e shumë njerëzve, që ndoshta dhe nuk e kishin shumë të qartë se ku dhe çfarë perle po rrezikohej.
Ky është një lajm i rëndësishëm, për të kuptuar se në shoqërinë tonë janë rritur ndjeshmëritë ndaj mjedisit dhe ndaj pasurive tona natyrore dhe sidomos është rritur agresiviteti ndaj njerëzve të papërgjegjshëm që për interesa fare banale financiare, janë gati t’i vënë kazmën atyre
Dhe lajmi i tretë, është rëndësia që mori në këtë çështje shoqëria civile, rrjetet sociale dhe disa media onlinë. Të gjitha së bashku zgjuan qeverinë nga gjumi dhe gjunjëzuan median qëndrore, radiotelevizionet kombëtare dhe ato lokale që heshtën në mënyrë shembullore për shkak të kapjes nga biznesmeni në fjalë.
Nuk dua t’u bëj gjyq atyre, por jam i gëzuar që nuk janë të rëndësishëm në beteja të tilla. Kjo histori tregoi se një betejë fitohet dhe duke pasur me vete opinionin publik, pa qenë nevoja t’u biesh në gjunjë televizioneve të mëdha kombëtare dhe atyre lokale, të cilat fikin ekranet po që se një biznesmen u shkel syrin për një fond më të madh reklamash.
Dhe për këtë duhet falenderuar sërish Vjosa.