Petro Koçi tërhiqet nga gara për zgjedhjet e 11 majit: Nuk do të jem në listat e hapura

Petro Koçka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e garës më 11 maj, pasi nuk do të jetë pjesë e listave të hapura të PS.

Reagimi i plotë i Petro Koçit:

E dashur Ogerta, të dashur kolege deputetë socialistë të Tiranës tonë,
E kam detyrim automatik moral, politik dhe shoqëror t’ju bëj të ditur përcaktimin e qëndrimit tim në lidhje me procesin e emërimit të kandidaturave të partisë tonë për deputetë;
1. Unë do punoj me sa me ha krahu dhe kudo me shpien këmbët për fitoren e PS në zgjedhjet e 11 majit. Fatmirësisht eci dhe ngjis shkallët më shpejt dhe pa m’u marrë fryma në krahasim me dhjetëra të tjerë që janë ne moshë më të re politike apo biologjike.
2. Unë nuk do te jem në listën përfaqesuese të kandidaturave për deputetë, jo për ndonjë paburrëri politike, frikë dështimi personal apo braktisje të shpirtit të solidaritetit, por sepse ndryshe nga të gjithë ju jam i vetmi që nuk kam shansin e startit në kushtë të barabarta sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale.
3. Pas nje fushatë jotregetare në zgjedhjet e fundit vendore në kryeqytet bashkë me strukturën organizative të zonës e nxorëm Kombinatin të parin, me një rezultat që e çoi stekën elektorale në 60% per PS.
4. Caktimi i Blendi Gonxhes si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mencur dhe e qëlluar sepse problemet madhore të Kombinatit si pasojat e tërmetit, procesi i rindertimit apo impakti i projekteve madhore të unazes apo të Lanës kërkonin një fuqi ekzekutive të dedikuar dhe kompetente për t’ua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shumë punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do jetë serish i pari ne garën zgjedhore.
5. Megjithatë ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jotransparent dhe mospercaktim të qartë të funksionit tim në zonë. U ndërpre si me thike përfshirja ime ne aktivitetin organizativ të partisë duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshem të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin Whatsapp të deputetëve. Nuk di nëse kjo situatë ishte e orientuar apo ishte pasojë e ndonjë intrige shpirtvogël. Megjithatë e fal çdokënd që me apo pa dashje ka gisht në këtë mëkat, i cili mbetet i parëndesishëm për interesa përtej meje.
6. I mbetem mirënjohës Edi Ramës per ripërfshirjen time në përgjegjësi të larta politike që mund të mos ndodhte pa tolerancën e tij pas përplasjeve të vitit 2008, një përfshirje që filloi me mirëpritjen në mitingjet kundër pushtetit të Berishës pas zgjedhjeve të 2009-ës dhe vazhdoi me bashkëpunimin e ngushtë në luftën kundër korrupsionit në protestën e 21 Janarit 2011, me zgjedhjet e vjedhura të Tiranës të atij viti, zgjedhjet e 2013-ës e pastaj kulmoi me detyrat e larta të besuara të zëvendësministrit të Mbrojtjes e të deputetit në zgjedhjet e 2021. Uroj që këtë besim ta kem shlyer në lartësinë e duhur. Jua them këto për të dëshmuar se nuk jam nga ata që mendojnë se PS u ka borxhe. Përkundrazi!
7. E shfrytëzoj këtë komunikim publik për t’i bërë thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK të mos kandidojë në këto zgjedhje. Kam besim se çdo person të cilit do i ndërpritet procesi hetimor apo do të mund të marrë pafajësinë më vonë, PS do i japë meritat e duhura në vijim.
8. Këto zgjedhje janë me rëndësi historike kombëtare sidomos në 2 aspekte ku më i rëndësishmi është integrimi europian i cili do te ndërpritej dhe do të shtyhej nëse Koalicioni i Krimit Madhështor do kishte shansin të fitonte zgjedhjet dhe po aq i rëndësishëm është fati i reformës në drejtësi. Edhe se po e paguajmë me lekurën tonë drejtësia e re ka garante vetëm PS në tonë. E theksoj këtë që të vemendësojmë drejtuesit e fushatës të respektojnë verbërisht ligjin në mënyrë që të mos japim asnjë shans gojëve të madheshtorëve të krimeve madhore te tranzicionit politik.
Me respekt dhe ne gatishmëri për punët tona elektorale.
Petro.

SHKARKO APP