Po vjen FBI në Shqipëri
Misioni i agjentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët do të zbarkojnë gjatë muajt nëntor në Tiranë, do të jetë i trefishtë. Goditja e organizatave mafioze, nëpërmjet asistimit të autoriteteve shqiptare, do të jetë objekti kryesor i agjentëve amerikanë, por jo i vetmi. Përpos njerëzve të krimit të organizuar, në shënjestrën do të jenë edhe njerëzit e politikës dhe të drejtësisë.
Nëse goditja e grupeve mafioze parashikohet në një marrëveshje të veçantë mes Shqipërisë dhe SHBA, goditja e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta të politikës dhe gjyqësorit, nga hetues të huaj, parashikohet në dy prej ligjeve më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi. Konkretisht, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë një rol të rëndësishëm, të parashikuar në ligj, për zbatimin e Vetingut dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Nga Veprimi i ligjit të Vetingut pritet shembja e drejtësisë aktuale, duke larguar gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët nuk justifikojnë pasuritë me dokumentacion ligjor, kanë kontakte me krimin apo janë të paaftë profesionalisht, ndërsa me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet dërgimi para Gjykatës Speciale të politikanëve, të cilët janë përfshirë në praktika korruptive, nuk justifikojnë pasuritë apo kanë lidhje me krimin. Për funksionimin e të dy strukturave, roli i SHBA është konkret dhe i përcaktuar qartë në ligj.
Goditja e korrupsionit në politikë
Zbatimi i ligjit të Vetingut, pasuar me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i hap rrugë zbatimit të ligjit nr. 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i quajtur ndryshe SPAK. SPAK-u parashikon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale.
Pika 9 e nenit 57 e ligjit për SPAK, parashikon që një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Ky komision vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky afat dyvjeçar do të jetë përcaktues për suksesin apo dështimin e Byrosë së Hetimit në goditjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, ku ekspertët nga SHBA do të kenë përgjegjësinë e tyre.
Goditja e korrupsionit në drejtësi
Nëse për ngritjen dhe funksionimin e Byrosë së Hetimit, ekspertë amerikanë do të kenë thjeshtë rol trajnues dhe monitorues, për zbatimin e ligjit të Vetingut, përfaqësuesit e SHBA do të kenë edhe kompetenca me natyrë hetimore. Vëzhguesit ndërkombëtarë, ku përfshihen edhe përfaqësues të SHBA, do të hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.
Sipas nenit 45 pika 2 të ligjit të Vetingut, gjatë hetimit, vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike. Ata kanë të drejtë të administrojnë dokumentet që vërtetojnë veprime, fakte, cilësi ose një situatë subjektive të nevojshme për realizimin e hetimit. Ligji për Vetingun, në pikën 3 të nenit 33, parashikon gjithashtu që ILDKPKI-ja mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura të prokurorëve dhe gjyqtarëve ose personat e lidhur me të, si dhe çdo dokumentet shoqërues. Vëzhguesi ndërkombëtarë kanë po ashtu të drejtë të kërkojë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, pro ose kundra gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Goditja e grupeve kriminale
Goditja e grupeve kriminale është e lidhur ngushtë me funksionimin e Byrosë së Hetimit dhe zbatimin e ligjit të Vetingut, meqenëse ka një perceptim të fortë se krimi ka lidhje të forta me politikën dhe që amnistohet nga drejtësia. Megjithatë, roli i SHBA në goditjen e krimit në Shqipëri parashikohet në një marrëveshje të miratuar nga Parlamenti Shqiptar në korrik të 2015 si dhe të ndryshuar në fund të vitit 2016.
Ndër të tjera, marrëveshja e bashkëpunimit parashikon asistencë nga SHBA me pajisje dhe ekspertë për të luftuar të gjitha format e krimit në Shqipëri. Marrëveshja parashikon edhe asistencë financiare në varësi të ecurisë së zbatimit të saj dhe vullnetit të autoriteteve shqiptare. Në fokus të marrëveshjes është rritja e kapacitetit të prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktivitetit kriminal. Në këtë kuadër, parashikohet zhvillimi i një qasjeje gjithëpërfshirëse për trajnimin, orientimin dhe këshillimin për prokurorët dhe hetuesit.
Baza ligjore për misionin e agjentëve të SHBA
Ligji i SPAK, pika 9, neni 57
Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e
Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ligji i Vetingut
Neni 33, pika 3
3. ILDKPKI-ja mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë
informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur me të, si dhe dokumentet shoqëruese.
Neni 45
Rregullat e përgjithshme të hetimit të çështjes
1. Anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit.
2. Gjatë hetimit administrativ, Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike, sipas neneve 49 dhe 50 të këtij ligji. Ata administrojnë dokumentet që vërtetojnë veprime, fakte, cilësi ose një situatë subjektive të nevojshme për realizimin e hetimit.
Marrëveshja me SHBA kundër narkotikëve
“Programi për zhvillimin e Sektorit të Drejtësisë Penale do të sigurojë asistencë për institucionet kryesore të drejtësisë penale të Shqipërisë, zyrtarët e antikorrupsionit dhe agjencitë mbështetëse për të forcuar kapacitetin e Shqipërisë për të luftuar të gjitha format e krimit, në veçanti duke u fokusuar në përmirësimin e efektivitetit dhe cilësisë së procedimeve penale dhe forcimin institucional në këtë kuadër. Rezultatet e projektit do të përfshijnë trajnimin, dhurimin e pajisjeve, asistencën teknike dhe këshillimin nga ekspertë të fushave, duke përfshirë ekspertët e Shteteve të Bashkuara, pjesëmarrës nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Bisedimet për Zgjerim të Komisionit Evropian”.