Prangat e SPAK-ut apo zgjedhjet në 2022? Rama ”dajak” kryebashkiakëve (VIDEO)
Nga Redjon Shtylla
Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ditët e fundit kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësitë ndaj të vetëve. Të parët që morën dozat e kritikave ishte Policia e Shtetit, ku atyre u është lënë një afat prej 100 ditësh kohë për të gjetur të infiltruarit që bashkëpunojnë me kriminelët e jo vetëm.
Ndërsa sot radhën e kishin kryebashkiakët e 61 bashkive të vendit, ku përveç Voltana Ademit, të gjithë janë të PS-së. Në një mbledhje urgjente që u zhvillua pas arrestimit të ish-kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushes, Rama foli për procedurat e tenderimit. E nisi fjalën e tij duke thënë se Tushe nuk do të jetë më pjesë as e PS-së, gjatë procesit të tij në SPAK.
Po ashtu Rama u tha kryetarëve të pranishëm se duhet përkushtim i madh në punën e tyre, bashkuar mandatit të tretë që nis në shtator. ”Ju kam thirrur se duhet të dini ti vini mirë gishtin kokës. Mandati i tretë kërkon përkushtim të trefishtë”,-u tha Rama. Kryeministri i’u kërkoi kryebashkiakëve të mos përfshihen në prokurime. ”Ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos përziheni në proceset, e prokurimit, të mos përfshiheni në favorizimet, të mos luani me një zjarr që po bëhet gjithnjë e më shumë përvëlues”.
Kryeministri e mbylli me paralajmërimin se përpara ligjit do të shkojnë çdo kryebashkiak apo vartës i tij që kapet në shkelje, ndërkohë që në këtë mbledhje spikati mungesa e Dritan Lelit, që dihet tashmë konflikti që ka me PS-në dhe me kryeministrin Edi Rama.
Por pse pikërisht tani u zhvillua kjo mbledhje? A lidhet me aksionin e fundit të SPAK-ut me arrestimin e Tushes dhe ka sinjale se ky operacion nuk do të ndalet vetëm në Lushnje? Apo është një thirrje që të punojnë më shumë për zgjedhjet e parakoshme lokale që mund të mbahen në 2022? Zgjedhjet e fundit lokale janë ato një partiake të 2019, ku gara mungoi pasi në fletën e votimit ishin kandidatët e PS-së, pasi opozita nuk mori pjesë.
Gjykata Kushtetuese preferoi të mos i përgjigjej pyetjes nëse 30 qershori ishte legjitim apo jo, pasi topin i’a kaloi Komisionit të Venecias. Vendimi duket deri diku si një përpjekje e anëtarëve të Gjykatës për t’a mbajtur veten larg këtë çështje që është me ndjeshmëri të lartë politike.
Me shumë gjasa ky skenar i dytë del të jetë më afër situatës. Me rikthimin e opozitës reale në Kuvend, pritet të ketë ”cunam” politik. Pas 8 viteve në opozitës, PD dhe LSI, ku kjo e fundit doli më e prekuara nga 25 prilli, pasi doli me vetëm 4 deputetë, pritet që aksioni në Kuvend të jetë flakë.
Por mundet që të jetë edhe skenari numër 1. SPAK thuhet se ka bërë gati pranga të reja për kokat e pushtetit, ndaj dhe sinjali i Ramës për kryetarët e tij mund të jetë që ata të ”djegin” dosjet që i çojnë në burg dhe të mos përfshihen në këto muaj në asgjë që i kërcënon karrigen dhe pushtetin. Gushti pritet që të jetë edhe më i nxehtë jo nga koha se ajo është e parashikuar, por nga ngjarjet në politikë.