Presidenti Ilir Meta: Shqiptarët kontribuojnë për një rajon bashkëpunues

Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë u zhvillua ”Mëngjesi i Lutjeve”. I pranishëm në këtë aktivitet, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh se jemi të bekuar për frymën e bashkëjetesës mes besimeve fetare. ”Lutemi për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë, lutemi për ecjen para të dialogut të Kosovës dhe Serbisë”, tha Meta.

Ndërsa në Twitter, Kreu i Shtetit dha këtë mesazh: ”Përmes bashkëjetesës dhe respektit për fqinjet ne kontribuojmë për një të ardhme më të sigurtë dhe të begatë për të ardhmen e fëmijëve tanë në vend dhe në rajon”.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë nga vende të Europës Juglindore si edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Në ”Mëngjesin e Lutjeve” u transmetua edhe një videomesazh nga Zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Mike Pence.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fjala e Kreut të Shtetit

Swiss Digital Mobile Reklama

Falënderoj të gjithë ata që mundësuan organizimin e këtij mëngjesi lutjesh. Kjo është nga ato ngjarje të pakta por tepër të dobishme të bashkëpunimit bipartizan në Shqipëri. Vlerësoj udhëheqjen e kësaj lutjeje të përbashkët përmes shembullit më të mirë dhe të sinqertë të komunikimit dhe bashkëpunimit. “Duaje fqinjin tënd”, parim njerëzor që vjen nga librat e shenjtë, e gjendur dhe shprehur në mënyra të ndryshme në secilin besim fetar. Historia e Shqipërisë e dëshmon këtë vlerë, të mbartur e të trashëguar nga e kaluara e popullit tonë. Në kohët e rënda të Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e holokaustit, Shqipëria u bë streha mbrojtëse e hebrenjve, të cilët në vendin tonë në fund të kësaj lufte ishin më të shumtë në numër se në nisje të saj. Ne shqiptarët ashtu si edhe në të shkuarën, vazhdojmë ndërtojmë të ardhmen tonë bazuar në këto vlera të larta dhe fisnike kombëtare dhe universale. Besojmë fort që një ditë jo të largët, të bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar, duke bashkëjetuar harmonisht me fqinjët tanë. Si një vend ballkanik, e dimë mirë, se të duash fqinjin nuk është aq e lehtë, veçanërisht kur luftëra dhe tragjedi kanë ndodhur në të shkuarën tonë të afërt. Shqipëria është kthyer në një model pozitiv në rajon, si një vend që ndërton marrëdhënie shumë të mira me fqinjët. Të lutemi për suksesin e dëshiruar të dialogut Prishtine-Beograd. Zgjidhje të çështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të fqinjit tonë lindor në NATO dhe BE. Një rajon gjithnjë e më bashkëpunues dhe ndërveprues në dobi të begatisë, mirëqeniës dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Fryma e tolerancës, bashkëjetesës dhe e mirëkuptimit ndër besime janë vlera të trashëguara prej shekujsh, që duhet t’i ruajmë në traditën më të mirë shqiptare duke investuar më shumë dhe me më shumë përkushtim dhe përgjegjësi. Meritë të veçantë dhe një kontribut të paçmuar kanë dhënë drejtuesit dhe klerikët e bashkësive tona fetare. Pa arrogancë, pa retorikë helmuese, larg çdo shfaqjeje spektakolare, por në lutje e përulësi, ata na kanë udhëhequr me kurajë drejt këtij modeli bashkëjetese. Inkurajoj dhe lutem që ky model të na udhëheqë të gjithëve, në punën e përditshme, si njerëz vullnetmirë, drejt së mirës të përbashkët, në respekt të njëri-tjetrit, si fqinji më i drejtpërdrejtë dhe i afërt për t’u dashur.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?