Presidenti Meta i jep titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Riccardo Migliori
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka akorduar titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, politikanit italian Riccardo Migliori. Të pranishëm në këtë ceremoni, ka qenë kreu i PD-së, Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ish-kryeministri Sali Berisha, ambasadori i Italisë, deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Në fjalën e tij Kreu i Shtetit vlerësoi emrin e Miglorit, duke thënë se ai ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë.
”Migliori ka vendosur dhe mbajtur një raport të veçantë me Shqipërinë, na ka mbështetur në procese kyçe të historisë sonë moderne. Nuk mund të ndodhte ndryshe me një ndër miqtë e shumtë që na kanë shoqëruar e mbështetur përkrah, nga Italia fqinje, partneri ynë strategjik. Gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, ai ka lënë mbresa të thella në kujtesën institucionale të vendit. Si anëtar, e më pas kryesues i delegacionit parlamentar italian në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së, Migliori është dëshmitar dhe kontributor i ndryshimeve që kanë ndodhur në forcimin e institucioneve demokratike”,-tha në fjalën e tij, Presidenti Ilir Meta.
Miglorit i jepet ku titull: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur në mbrojtjen, përhapjen e vlerave dhe standardeve demokratike në Shqipëri, si dhe për mbështetjen e pakursyer në proceset e saj integruese dhe euroatlantike”.
KOHA JONË SONDAZH

