Presidenti Meta: Këto kambana nuk dëgjohen! Shqipëria ka numrin më të lartë të HEC-ve në Ballkan

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka qenë i pranishëm në takimin me temë “E ardhmja e lumit Vjosë”.

Në fjalën e tij në këtë takim, Kreu i Shtetit pohoi se mbështet iniciativën për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Vjosë.

Sipas tij, raportet për ndikimin mjedisor të HEC-eve përgatiten në tavolina me papërgjegjshmëri të plotë dhe në mënyrë të shpejtë.

“Lumi Vjosë është një pasuri natyrore për vendin. Ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë dhe hapësirat jomiqësore dhe armiqësore në zonat e gjelbrta, s’mund të jetë një rrugë e blertë për zhvillimin e vendit. Shkencëtarët këmbëngulin se HEC-et shkaktojnë dëme në sipërfaqet e ujërave, deri në ashpërsimin e klimës e ngrohjen globale. Shqetësim bën dhe cilësia e hartimit të raporteve për ndikimin në mjedis të HEC-eve. Ato shpesh përgatiten në tavolinë në mënyrë të shpejtë, dhe shpesh miratohen ato që do qeveria dhe koncesionari. Këto ditë jam vënë në dijeni për një letër të hapur nga komuniteti europian për një shqetësim për një HEC. Çuditërisht këto kambana nuk dëgjohen. Shteti shqiptar duhet të ruajë vlerat e natyrës dhe të shëndetit të njeriut. Do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen e saj Park Kombëtar. Çdo qëndrim kokëfortë s’do i shërbente të ardhmes së vendit dhe rrugës drejt BE-së. Çdo shqiptar duhet të shkojë në lumin Valbonë, që është për të vënë duart në kokë me atë çka është bërë”, tha Meta.

 

SHKARKO APP