Presidenti Meta merr dekoratën “Urdhëri i Pavarësisë”
Presidenti i Republikës Ilir Meta ndodhet në Kosovë, në vizitën e parë si President i Shqipërisë. Vizita e Presidentit në Kosovë është dy ditore. Ilir Meta u prit dje nga Hashim Thaçi. Dy presidentët kanë bërë një deklaratë të përbashkët ku kanë theksuar pikat e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kanë shprehur qëndrime të qarta për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO, si dhe liberalizimin e vizave. Më pas Presidenti Meta ka bërë shumë takime në Prishtinë dhe sot ka takuar kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.
Pas takimeve zyrtare kupola shtetrore e Kosovës ka shtruar një darkë me zotin Ilir Meta
Në foto: (nga e majta) Kadri Veseli, Behgjet Pacolli, Ilir Meta, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj
Në kuadrin e vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit të mërkurën nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas nderimeve ushtarake të rastit dhe interpretimit të himneve të të dy shteteve në Sheshin Ibrahim Rugova, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë mes tyre, dhe më pas një takim të zgjeruar mes dy delegacioneve.
Gjatë takimit, në mënyrë të veçantë Presidenti Meta rikonfirmoi mbështetjen e forte e të gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën, si përsa i përket pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të saj, ashtu edhe për anëtarësimin e plotë në të gjitha organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore dhe të partneritetit strategjik dhe nënvizoi mbështetjen për Qeveritë dhe institucionet e të dy shteteve, për ta bërë kufirin ndërshtetëror sa më të padukshëm për qytetarët dhe bizneset në të dy anët e tij dhe rritur kontaktet dhe ndërveprimin mes tyre.
Duke u ndalur në proceset integruese, Presidenti Meta theksoi se të dy shtetet janë të përkushtuara ndaj vlerave dhe standardeve evropiane dhe euroatlantike dhe këto procese mbeten projektet strategjike më madhore për të dy shtetet.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Meta ia kushtoi edhe bashkëpunimit rajonal, si dhe faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku theksoi nevojën e një koordinimi më të mire mes qeverive dhe strukturave të të dy shtete në mbështetje të të drejtave të tyre për të ruajtur dhe promovuar identitetin e tyre kombëtar dhe të drejtat e tyre legjitimeve, konform konventave ndërkombëtare dhe standardeve më të mira evropiane.
Presidenti Meta e konsideroi shumë të rëndësishëm çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si një proces padrejtësisht i vonuar, duke theksuar se zgjidhja e problemit të demarkacionit me Malin e Zi duhet të konsiderohet si një sfidë që i hap perspektivën evropiane qytetarëve të Kosovës.
Të dy Presidentët miratuan një Deklaratë të Përbashkët, ku rikonfirmuan vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik, përshëndetën riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, si dhe rikonfirmuan vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit e në dobi të qytetarëve të tyre e të proceseve integruese.
Më pas Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i akordoi Presidentin Ilir Meta, me titullin e lartë të Kosovës “Urdhri i Pavarësisë”.
Në mbyllje të të gjitha takimeve dhe ceremonive, të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe iu përgjigjën interesit të mediave.
***
Konferenca për shtyp e Presidentit Meta me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi
Pyetje nga gazetarët: Si e shikoni situatën e Kosovës sa i takon çështjen së liberalizmit të vizave dhe sipas bisedave që keni bërë me autoritetet vendase si mendoni se mund të zgjidhet? E dyta, si e komentoni deklaratën e Presidentit të Kosovës për Gjykatën Speciale?
Presidenti Meta: Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, nuk mund të ketë për momentin njeri në pozitë më të vështirë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë për të folur për këtë çështje, për arsye se ka kërkesa pa fund nga personalitete dhe nga qytetarë të Kosovës për të marrë edhe nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë me qëllimin kryesor për t’i shpëtuar kësaj bllokade, ku padrejtësisht qytetarët e Kosovës ndodhen prej disa vitesh.
Unë kam patur në takim para pak ditësh edhe Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, z. Danielsson në Tiranë, i cili para një jave ka qenë edhe në Prishtinë, por edhe në takimet që kemi pasur në Gjermani me Presidentin Steinmeier para pak ditësh apo edhe në Itali me çdo personalitet, që kemi pasur mundësinë të takohemi, jo vetëm unë, por edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Shqipërisë.
Theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund këtij izolimi për të mos thënë këtij diskriminimi që po përjetojnë qytetarët e Kosovës dhe që ka sjellë një frustrim për shkak të faktit se janë të vetmit qytetarë në Ballkanin perëndimor që nuk e gëzojnë këtë mundësi.
Aq më tepër po të kemi në konsideratë, që dikur para 40 vitesh ka qenë më e lehtë për qytetarët e Kosovës për të udhëtuar lirisht jashtë, atëherë kur për qytetarët e Shqipërisë ishte e vështirë edhe për ëndërruar një gjë të tillë.
Unë besoj që vendimi është i padrejtë për të kushtëzuar liberalizimin e vizave me çështjen e Demarkacionit. Kam edhe një pyetje; ‘A ishte një vendim i drejtë për të kushtëzuar Pavarësinë e Malit të Zi me vendosjen e kushtit të votimit për të qenë i vlefshëm në rast se do të votonin më shumë se 55% e qytetarëve të Malit të Zi’. E përmenda këtë jo për shkak se ekziston një problem midis Kosovës dhe Malit të Zi, pavarësisht se ekziston një çështje që unë besoj që me vullnet dhe me përgjegjshmëri do të tejkalohet, dhe nga vlerësimet e Presidentit Thaçi dhe të Kryeministrit Haradinaj pak ditë më parë në Tiranë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Malit të Zi, ashtu sikurse dhe Shqipëria i ka të shkëlqyera me Malin e Zi, por është e domosdoshmëri që me më shumë mençuri të zgjidhet dhe tejkalohet çështja e demarkacionit pasi kjo është mjaft e rëndësishme jo vetëm për liberalizimin e vizave, por për të gjithë perspektivën dhe evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Dhe në këtë drejtim duhet nxitur një mirëkuptim dhe një konsensus sa më i gjerë, sepse unë besoj se e ardhmja evropiane e Kosovës është aspiratë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime partiake apo politike.
Kështu që dua të shpreh edhe një herë tjetër mbështetjen tonë të plotë për një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën, gjë që ia kemi kërkuar edhe autoriteteve të Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian nuk duhet të harrojë për asnjë moment se politika e zgjerimit ka qenë katalizator i proceseve transformuese, demokratike i një forcimi të sigurisë dhe paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, që ka qenë problematik jashtëzakonisht për të gjithë kontinentin në të kaluarën. Dhe kjo politikë e zgjerimit duhet të vazhdojë dhe mendoj se sinjali i parë më konkret, më i prekshëm për Ballkanin Perëndimor, është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Kosova i ka plotësuar kushtet të cilat vendet e tjera përfshi edhe vendin tonë, nuk kanë qenë të detyruara t’i plotësojnë dhe unë besoj që do të ecet me përgjegjshmëri në këtë drejtim.
Kam një pyetje për z. Meta, kur mund të aplikojmë për pasaportë shqiptare?
Presidenti Meta: Besoj se përgjigja më e mirë që ne të gjithë së bashku – dhe besoj se edhe një nga kërkesat kryesore të kësaj vizite dhe të këtij takimi me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi t’i drejtohem Bashkimit Evropian në mënyrë të veçantë – është që të ketë një angazhim për të bërë më të qartë një perspektivë evropiane për Kosovën se kur do të ketë mundësi Kosova që të aplikojë për t’u bërë një anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian.
Padyshim ne e mirëkuptojmë edhe këtë kërkesë që vjen nga ky presion i drejtë i qytetarëve të Kosovës. Vazhdimisht dëgjoj edhe për keqtrajtime edhe të zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të lartë për shkak të kësaj pengese mjaft jetike shpesh. E kuptoj se çfarë ndodh edhe me qytetarët e thjeshtë apo me studentët nga Kosova që studiojnë apo dëshirojnë të studiojnë në vendet të tjera evropiane.
Sigurisht, zgjidhja nuk është që të merret nënshtetësia shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht nga dëshira për të kaluar këtë problem, jo për shkak të një mungese dëshire nga ana ime apo nga institucionet e Shqipërisë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi.
Dhe unë shpresoj që edhe politika këtu në Kosovë pas zgjedhjeve të afërta vendore në një dialog edhe më aktiv me BE-në por edhe me Malin e Zi ta zhbllokojë këtë çështje sepse nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e vizave, që është një çështje mjaft e rëndësishme dhe mjaft frustruese për qytetarët e Kosovës, por bëhet fjalë për zhbllokimin e të gjithë perspektivës evropiane të Kosovës, që është jetike jo vetëm për Kosovën, por të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe padyshim dhe për vetë Bashkimin Evropian.
Presidenti Meta pritet nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti dje në takim Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e përgëzoi atë për ndërtimin e institucioneve të reja të vendit. Kryeministri Haradinaj dhe presidenti Meta biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe për rrugën e përbashkët evropiane të të dyja vendeve.
Kryeministri Haradinaj tha se “Kosova dhe Shqipëria duhet të shkëmbejnë përvojat e tyre në proceset integruese dhe në këtë kontekst është e pazëvendësueshme ndihma e Shqipërisë për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare”. Kryeministri Haradinaj tha se, “Kosova ka hyrë në një dinamikë të re për sa i përket zbatimit të MSA-së dhe në përshpejtimin e procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE”.
Presidenti Meta nga ana e tij u zotua se shteti shqiptar do të vazhdojë me ndihmën e pakursyer dhe të gjithanshme për Kosovën, sidomos në axhendën euroatlantike.
Për Presidentin Meta, gjetja e një zgjidhjeje për demarkacionin e kufirit me Republikën e Malit të Zi si dhe dialogu me Serbinë janë çelës i suksesit të Kosovës në rrugën e saj integruese në BE.
Presidenti Meta takohet me Kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me Kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli, në vijim të vizitës shtetërore dy ditore në Kosovë.
Presidenti Meta e përgëzoi zotin Veseli për rizgjedhjen në postin e Kryeparlamentarit të Kosovës dhe shprehu besimin se projektet e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do të vijojnë sipas frymës së shkëlqyer të marrëdhënieve vëllazërore ndërshtetërore.
Duke iu referuar sfidave kryesore me të cilat përballet Kosova dhe dhe shoqëria e saj, si liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, demarkacioni me Malin e Zi dhe rifillimi i dialogut me Serbinë, Presidenti Meta shprehu besimin se Kuvendi i ri Kosovës dhe forcat politike parlamentare do të përqëndrohen në mënyrë gjithpërfshirëse e konsensuale për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme dhe mbështetjen e iniciativave të ndryshme në funksion të avancimit të agjendës evropiane dhe euroatlantike të vendit.
Presidenti Meta e siguroi Kryeparlamentarin Veseli për vazhdimin e mbështetjes së fuqishme e të gjithanshme të Shqipërisë ndaj agjendës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimit të saj të plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për agjendën e përbashkët të dy qeverive dhe përgatitjen për takimin e radhës, duke shprehur besimin se ky takim do të konkretizohet me projekte zhvillimore infrastrukturore, por edhe të veprimit të përbashkët diplomatik.