Pr/ligji për energjinë, Gjiknuri: Model i ri tregu, 40% e tregut shqiptar do të liberalizohet deri në 2018
Sipas tij, liberalizimi i tregut do të nisë të zbatohet fort që në vitin 2015, me qëllim thellimin e tregut të liberalizuar edhe sipas direktivës së tretë të BE-së, që ka nisur të zbatohet në vendet europiane.
P/ligji i ri hedh themelet e një modeli të ri tregu, forcohet roli tregtar pas formalizimit të ndarjes për OST, OSHEE, prodhuesve të vegjël privatë të energjisë, ku do të realizohet ndarja përfundimtare e OST, OSHEE, forcohet roli i ERE-s si ent i pavarur, etj.
“Për herë të parë, me këtë ligj do të mbrohet konsumatori. Ligji sipas modelit të ri, do të mbrojë konsumatorët e shtresave në nevojë”, tha Gjiknuri, duke njoftuar se në 2015, do të mbështeten shtresat më vulnerabël, si ato në nevojë, me ndihma ekonomike, pensionistët, etj, pas heqjes së fashos prej 300 kwh/muaj të energjisë së faturuar.
Ministri theksoi si risi të këtij p/ligji futjen e sistemit të matjes inteligjente, përfshirë konsumin e energjisë në fasha ditore natë/ditë, futja e të tretëve për të realizuar matjen dhe pagesat e faturave, etj.. Gjiknuri njoftoi palët e interesit të ftuar në takim se po përgatitet vendimi që vendos në parametra realë shitblerjen e energjisë elektrike mes furnizuesit publik dhe HEC-eve private, c’ka do të mënjanojë praktikën e deristotme ku KESH detyrohej ta blinte me çmim më të shtrenjtë se tregu sasitë e energjisë elektrike prej tyre. Bashkë me këtë vendim, po përgatitet dhe fatura për të shlyer pagesat e papaguara ndaj HEC-eve private, tha mes të tjerave Gjiknuri. P/ligji parashikon që konsumatorët familjarë do të jenë me tarifa të rregulluara në furnizimin me energji elektrike, ndërsa çdo konsumator tjetër do t’i drejtohet tregut të lirë. Sipas p/ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” në vitin 2015 do të vijojë hapja e mëtejshme e tregut të energjisë edhe me linjat e tensionit të mesëm. Ligji i ri parashikon ndarjen e funksioneve të kompanive të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit.
Transmetimi dhe Shpërndarja do të jenë të ndara nga furnizimi me pavarësi financiare, administrative dhe ligjore.
Për herë të parë, kompania e prodhimit do të ketë si funksion kryesor dhe furnizimin me energji elektrike për klientët tariforë.
Si në gjithë vendet e Bashkimit Europian, p/ligji synon liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, garanton furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt për klientët, krijon treg funksional, minimizon kostot e shërbimit.
Sektori i Shpërndarjes parashikohet të ndahet nga furnizimi, duke krijuar dy njësi të pavarura, që sot për sot, do vijojnë si pjesë e OSHEE-së, deri sa të organizohet modeli i tregut të energjisë.
Me këto rregullime ligjore, synohet krijimi i një furnizuesi universal për klientët tariforë familjarë, që sipas Direktivës së BE-së, të mbrohen me tarifa të rregulluara në furnizimin me energji elektrike. Për klientët jo familjarë që furnizohen me linjat deri në 0.4 KV dhe ata që lidhen në furnizimin me energji me tensionin e ulët me përshkallëzim sipas viteve deri në fundvitin 2018, kur do të detyrohen të dalin në treg të lirë duke kërkuar vetë furnizuesin.
Edhe për klientët, që furnizohen nga tensioni i mesëm 20-35 kV dhe 10,6 kV do të ketë përshkallëzim vjetor, deri sa të hyjë në fuqi detyrimi i tyre që të dalin në treg të lirë duke kërkuar furnizuesin.
Ligji vendos parimet kryesore me ndarjen e aktiviteteve dhe kalimin drejt një model-tregu të orientuar nga kërkesë-oferta, ku prodhuesit e vegjël të lidhur me sistemin e shpërndarjes dhe në transmetim, do ta shesin aty energjinë.
Me këtë ndërhyrje, nuk do të jetë më KESH-i i detyruar që t’u blejë energjinë e tyre, por kompania e Shpërndarjes.
Për tarifat ligji parashikon vendosjen e parimit ku çmimi bazohet në kosto dhe në këtë mënyrë, KESH-i lirohet nga pesha e deritanishme me detyrimin e blerjes së energjisë nga HEC-et private, ku ka rezultuar se ua ble prodhimin 10% më shtrenjtë se çmimi aktual i tregut.