“Protestat na detyruan të reflektojmë”, Erion Braçe nuk heq dorë nga kandidimi për kryeqytetin
Deputeti i PS Erion Braçe ka konfirmuar zyrtarisht interesin e tij për të qenë kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, ndërsa ka lëshuar kritika të hapura ndaj mënyrës se si mazhoranca merr vendime pa konsultim qytetar. Përmes një deklarate të fortë, Braçe theksoi se kryeqyteti ndodhet aktualisht pa drejtim dhe se kjo krizë kërkon reagim të menjëhershëm politik.
Braçe vuri në dukje se situata në kryeqytet kërkon prani konstante në terren dhe jo fushata sipërfaqësore, duke kërkuar nga forumet e PS-së zyrtarizimin e kandidaturës brenda muajit tetor.
“Unë kam kërkuar të kandidoj për të qenë kandidat i PS për Tiranën. Une po bëj punën time të deputetit siç kam bërë prej 30 vitesh. Tirana është edhe pa kryetar tashmë dhe unë jam çdo ditë në territor. Çështja e kandidimit duhet të adresohet nga forumet. Tetori duhet të jetë afati i fundit, sepse nuk mund t’i përgjigjemi Tiranës me një fushatë 30-ditore,” u shpreh Braçe.
I ndalur te vala e protestave qytetare, deputeti pranoi se reflektimi nga ana e pushtetit ka qenë i detyrueshëm, duke pranuar se modeli i deritanishëm i qeverisjes ka anashkaluar qytetarët dhe rininë.
“Mënyra si kemi marrë vendime është bërë pa i pyetur njerëzit. Më është dukur jo përfshirëse dhe kjo duhet të ndryshojë. Njoftimet dhe ecja pa pyetur njerëzit nuk ecën më. Nënshkrimi i vendimeve që prek 10-15 vitet e ardhshme nuk mund të bëhet pa pyetur të rinjtë,” deklaroi ai.
KOHA JONË SONDAZH

