Jonida Halili: Pse e largoi kaq brutalisht Rama, Besa Shahinin?
Nga Jonida Halili
Për askënd nuk bëri habi lajmi që ministrja e arsimit, Besa Shahini, u largua nga posti pikërisht në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor, duke sqaruar se nuk e dinte pse Rama zgjodhi ditën e parë të shkollës për ta larguar. Prej ditësh ishte vet Besa Shahini që njoftoi papritur se do të largohej nga politika për të mos kandiduar më në zgjedhjet e 25 prillit, duke mos synuar një mandat të ri ministror. Besa Shahini duhet ta kuptojë që gjithë sulmi mediatik që iu bë dhe po i bëhet nuk është për faktin që vjen nga Kosova, por për peshën e madhe që kishte një nga ministritë më të rëndësishme të një vendi dhe me gjithë përgatitjen, inteligjencën, që prapë janë në pikëpyetje, nuk mundej ta drejtonte këtë dikaster që është baza e një shoqërie për të ardhmen. Opinioni publik nuk e njihte Besa Shahinin, deri në dhjetor 2018, kur kryeministri Edi Rama, e shkarkoi mes protestave masive nga detyra, ministren e atëhershme, Lindita Nikolla, dhe emëroi zv/ministren e panjohur për publikun, vajzën nga Prishtina, Besa Shahini. Rama mendoi që Besa Shahini do ishte imazhi perfekt në krye të ministrisë së Arsimit. Një vajzë e re, e thjeshtë, që dukej sikur do të ishte shumë pranë studentëve dhe plotësimit të nevojave të tyre, pasi mosha e përafërt bën që dëshirat të jenë të ngjashme. Të paktën kështu ka menduar propaganda qeveritare. Por ndryshe nga Lindita Nikolla, vajza nga Prishtina s’dukej gjëkundi në takime më mësuesit, prezenca e saj nëpër institucionet arsimore thuajse ishte zero. Ministrja e re në moshë dhe në detyrë ishte e pafat, pasi mësimi u ndërpre dy herë për shkak të fatkeqësive natyrore, një herë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas nga pandemia që zgjati me muaj e muaj. Natyrisht për të qenë realist kjo do të kishte qenë një situatë e vështirë për këdo ministër, por situata doli krejtësisht jashtë kontrollit. Pikërisht kur prindërit prisnin të dëgjonin një mesazh që t’i siguronte e qetësonte për të ardhmen e fëmijëve të tyre, ministrja Shahini reagonte me vonesë, dhe nga ana tjetër shtonin pikëpyetjet.
Por pas kaq shume pritshmërive që kishte kryeministri Rama ndaj Besa Shahinit pse e hoqi qafe? Sepse dështoi? Nëse do të ishte kështu, të gjithë ministrat e Rilindjes në një farë mënyrë kanë dështuar. Besa Shahini në mënyrën e saj fine është përpjekur t’i tregojë opinionit publik se është lodhur nga kjo trysni, nuk po i pëlqen më jeta politike në Shqipëri dhe po mendon t’i përkushtohet jetës familjare dhe familjes së re. Ndaj dhe dha dorëheqjen pa mbaruar mandatin. Po kush e beson këtë? Cila është arsyeja që Besa Shahini të largohej në një mënyrë kaq të befasishme? Versionet që japin palët janë kontradiktore, por të dyja kulmojnë në një pikë. Asnjë arsye nuk ka lidhje me versionin zyrtar se ajo po largohet për arsye familjare.
Mediat shkruajnë se burimet brenda Partisë Socialiste bëjnë me dije se Besa Shahini mbeti një mish i huaj në këtë parti: “Ajo po del në të njëjtën mënyrë sikurse u katapultua”, është shprehur njëri prej tyre. Rama kishte probleme me Besën, pasi ajo nuk e dëgjonte për emërime në strukturat e arsimit në zonat e nxehta elektorale, po ashtu nuk i përgjigjej nevojave që partia kishte për arsimin. Në kështu rastesh Rama nuk fal, pavarësisht se kontratat i firmos ndryshe në fillim dhe premtimet i ka të mëdha. Më e keqja është se Shahini nuk ishte kundër Ramës, përkundrazi, punonte me plot kuptimin e fjalës për kryeministrin.