Pse politikës i duhen lekë? Manjani: Blen votat e rrogave të ulëta
Për 1 majin, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shkruan se sot është dita ku u desh tu kërkonte rritja e pagave. Nga ana tjetër, Manjani shkruan se debati për taksat është një rast qesharak.
”Paga e ulët është maskarallëk i madh! Madje sa më e ulët të jetë paga, aq më i madh është maskarallëku! Paga e ulët tregon sesa e zezë dhe informale është ekonomia! Sa më e ulët paga, aq më në të zezë punohet! Debati për taksat në këtë rast bëhet qesharak”,-shkruan Manjani.
Duke vënë theksin te pagat, Manjani thotë se sa më e vogël të jetë paga, aq më i madh është korrupsioni. Gjithashtu ai shtron pyetjen se pse i duhen lekë politikës?
”Paga e ulët tregon se sa i madh është korrupsioni. Sa më e ulët paga, aq më i lartë korrupsioni! E pastaj çuditemi përse politikës i duhen lekë! Ja për të blerë votat e rrogave të ulëta. Korrupsion me cikël të mbyllur! Të gjithë fitojnë diçka, por në të zezë! Justifikimi: Nuk na del rroga”,-shkruan më tej ish-ministri i Drejtësisë.
Akuzat nuk kanë munguar as për sindikatat, që i quan kolibe partish. ”Paga e ulët është humbje e dinjitetit njerëzor. Pa dyshim, s’ka burrni me duar në xhepa. Kur paga është e ulët çdo gjë kushton më shumë! Absolutisht çdo gjë! Fukarallëk maskarallëk! Por, sot askush nuk kërkoi asgjë! As sa për sy e faqe! Sindikatat janë thjesht kolibe partish. Sindikalistët janë këlyshët e partive që jetojnë në këto kolibe”.
KOHA JONË SONDAZH

