Rama dhe Abazoviç priten nga Presidenti Zelensky në Kiev
Kryeministri Edi Rama, së bashku me homologun shqiptar nga Mali i Zi, Dritan Abazoviç, kanë zhvilluar takimin me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili e falënderoi për mbështetjen që Shqipëria po i jep popullit ukrainas.
“Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe ky është një manifestim i rëndësishëm i mbështetjes së popullit tonë. Sot takohem me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazovic”, shkroi Presidenti ukrainas në rrjetin social.
Më herët, kryeministri Rama publikoi pamje nga vizita e tij në Ukrainë. Ramën e shoqëron ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, Drejtori i Komunikimeve Endri Fuga dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Kryeministri vizitoi edhe zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin, si dhe më pas ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase.
Ja se çfarë shkruan “Zëri i Amerikës” për këtë vizitë:
Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç, nisën sot një vizitë në Ukrainë. Ata shkuan fillimisht në zonat e bombarduara të Borodyankas dhe Irpinit, ndërsa më pas vizituan dhe ekspozitën me dëshmi të pasojave që ka shkaktuar sulmi rus mbi Ukrainën. Gjatë vizitës të dy kryeministrat u takuan dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy
Kryeministrat e të dy vendeve ballkanike mbërritën në Kiev në orët e para të ditës, pas një udhëtimi të gjatë me tren nga Polonia. Të shoqëruar nga autoritetet vendase, zoti Rama dhe Abazoviç e nisën vizitën e tyre duke parë nga afër pasojat shkatërrimtare të luftës së nisur nga Rusia në Borodyanka dhe Irpin, zona të cilat ishin ndër të parat që u bombarduan dhe ku është deklaruar një numër i lartë civilësh të vrarë e të gjetur nën rrënoja, përfshirë dhe fëmijë. Edhe pamjet e shpërndara nga zyra e kryeministrit shqiptar, dëshmojnë lehtësisht dëmet e mëdha në banesa e pallate të rrënuara.
Zoti Rama dhe homologu i tij i Malit të zi, Abazoviç, vizituan më pas një ekspozitë me dëshmitë e agresionit rus në Ukrainë. Në fund të saj, në librin e përshtypjeve kryeministri Rama do të shkruante se “bota duhet ta ndalë këtë horror dhe Ukraina të dalë e rilindur nga kjo”.
Ndërsa per mediat e vendit të tij, kryeministri Abazovic është shprehur se “është tragjike ajo që kemi parë dhe dëgjuar”, duke nënvzuar se “gjëja më e rëndësishme është ndalimi i sulmeve, agresionit dhe vrasjes së civilëve”.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që dënoi agresionin rus në Ukrainë. Ajo, sikundër nga ana e vet dhe Mali i zi, i janë bashkuar sanskioneve ndaj Rusisë. Edhe vizita e sotme ishte shenjë e qartë e mbeshtetjes ndaj Ukrainës.
Shqipëria ishte gjithashtu pjesë e konferencës së donatorëve për këtë vend, duke ofruar 1 milion euro, ndërkohë që ka dhënë ndihma dhe në ushqime e materiale ushtarake.
Vizita e sotme në Ukrainë vjen në në një moment kur Shqipëria kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku njëkohësisht ajo është dhe penë-mbajtëse, së bashku me Shtetet e Bashkuara, për çështjen e Ukrainës, duke qenë kështu nismëtare dhe e rezolutave që dënojnë agresionin rus.
Kryeministrat Rama dhe Abazoviç, u pritën sot në Kiev dhe nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Takimin mes tyre, përmes një lidhjeje video, e përshëndeti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Në fillim të muajit maj, po përmes një lidhjeje video, presidenti Zelenskyy mbajti një fjalim drejtuar parlamentit shqiptar, duke falenderuar Shqipërinë për ndihmën e ofruar dhe qëndrimet e mbajtura prej saj.
Kryeministrat Rama dhe Abazoviç, u pritën më pas dhe nga kryeministri ukrainas Denys Shmyhal. Dhe brenda godinës ku u zhvillua takimi dukeshin qartë shenjat e një situate lufte, me thasë dheu që krijonin llogore nëpër korridoret e saj.
Gafa e Presidentit ukrainas:
Presidenti i Ukrainës ka pritur ditën e sotme në takim kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç,.
Por postimi i tij në rrjetet sociale ka patur një gabim, pasi Zelensky u ka ndërruar vendet dy kryeministrave.