Rama kritika kryetarëve të bashkive: “Bashkëjetoni me borxhet”
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga bashkitë të bashkëpunojnë me kompanitë e ndërtimit për të zhvilluar zona të caktuara.
Rama u shpreh se në këtë rast ata vrasin dy zogj me një gur duke zgjidhur politikat e strehimit dhe mbledhin më shumë të ardhura.
“Nuk mund të jetë qeveria përgjigja për çdo kërkesë dhe për çdo nevojë. Rolin e zhvilluesit e luajnë shumë investitorë që nuk kanë fare kompani ndërtimi, marrin kompanitë e ndërtimit dhe zhvillojnë pronat. Pse të mos e bëjnë bashkitë këtë? Dhe me një gur vrasin dy zogj.
Sa nga ju kanë shfrytëzuar fondin e garancisë sovrane për bujqësinë për të adresuar nevojat e fermerëve në zonat tuaja pa pritur investitorin privat që jo gjithmonë vjen atëherë kur duhet? Për të ardhur te një tjetër gangrenë që është uji?
Pse duhet të ballafaqohemi me mangësira për ujin kur bashkitë nuk bëjnë detyrë por bashkëjetojnë me thellimin e borxheve. Dhe kështu kjo pasuri nuk shkon aty ku duhet të shkojë dhe nuk prodhon asgjë tjetër përveçse borxhe, borxhe, borxhe. Pa folur për shërbime të tjera, pastrimin dhe transportin publik që janë shërbime jo të lehta”, tha Rama.