Rama lexon 14 herët ku i përmendet emri në akt-akuzën e FBI: Ku është krimi këtu?
Kryeministri Edi Rama, teksa i përgjigjet akuzave të opozitës për çështjen Mc Gonigal, lexoi në Kuvend të gjitha herët që emri i tij është përmendur në aktakuzën ndaj ish-zyrtarit të FBI-së.
Ai ka deklaruar se në aktakuzë mund të jetë përmendur 14 herë emri i tij, por këto sipas tij nuk janë 14 akuza.
Rama pranon që ka darkuar me McGonigal, ndërsa thekson se nuk ka asgjë kompromentuese.
“Po, e vërtetë është që hëngra darkë me McGonigal. Dhe më ka ftuar ai mua. Dhe ku është krimi këtu? Hera e dhjetë, mbrojtja e të akuzuarit dështoi të provojë se i akuzuari i ka raportuar takimet edhe udhëtimet. Pra, këtu flitet për të akuzuarin që nuk ka bërë sipas ligjeve të tyre, detyrën e tij. Po ku hyn këtu krimi im? Se i raportoi ai apo jo qendrës që më takoi mua?”-tha Rama.
Me pas kryeministri ironizoi Berishën, por edhe Bashën që është fshehur dhe nuk del në skenë.
Gjatë fjalimit në Parlament Rama nuk i ndali ironitë dhe u tall me akt akuzën amerikane ku përveç personave A dhe B që përmenden aty, në fjalimin e tij shtoi edhe personat imagjinarë Z dhe ZH.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Zoti i ndihmoftë rrugë humburit që vijnë pas jush me kuaj flokë kaltër dhe me autobuzë që paguhen nga puna e ndershme e personit Z, e personit Y, e personit ML dhe e disa personave të tjerë të lidhur me ta përmes ruletave që mbikëqyr Europol”.
“Dolët ju nga Lana që zbuluat se një farë Amerikë e blinte Edvin Kristaq Rama nga Surreli, një Goni Goni nga Tropoja, dhe e dyllos një Dori Duçka, poliagjent që banon te kthesa e TEG. Pika kush e ka qeverisur Shqipërinë”.
“E kam lexuar shumë herë akt akuzën për Deripaskan nuk thotë asgjë asgjëkund. Te Lana po, aty Deripaska është duke korruptuar Lalin për të kapur ujrat e zeza, përmes një personi ZH i cili i lidhur me një person Z kanë gjetur rrugën për të shkuar te Lali që është personi E.V”.
“Këtu tani rrugët ndahen më shumë dhe më qartë se asnjëherë tjetër, unë në punët e mia si kryeministër, ju në rrugën e revolucionit. Ju presim në 14 maj, suksese në jetë dhe deri atëherë kujdes se byrektorja vazhdon punën, gjiza ka arritur dhe okllaia po shtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në punën e rindezur”.
Në fund të fjalës së tij kryeministri Rama u largua nga salla e parlamentit pasi tha:”“Takohemi më 14 maj. Suksese në jetë, deri atëherë, kujdes se byrektorja vazhdon punën…,”