Rama në “Flasim”, Episodi 10, Sezoni 5: Lufta kundër korrupsionit nuk mund të maskohet pas statistikave për shpërdorim detyre

Kryeministri Edi Rama uroi sot që nën drejtimin e Klodian Brahos, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të arrijë një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama u ndal te një ngjarje e rëndësishme e javës, siç ishte zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut.

Fillimisht Rama vlerësoi kontributin e Altin Dumanit, i cili sipas tij, “e ngriti institucionin në një nivel tjetër”.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Këtë javë SPAK-u zgjodhi drejtuesin e ri, i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjetër, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhe të parë, në një fakt konkret, historik, do të thoja pa ekzagjerim, atë që dukej një parullë e parealizueshme, kur unë e përsërisja gjatë kohës së betejës për të kaluar reformën në drejtësi dhe më pas në rrugën e implementimit të saj, një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt. Për këtë i përcjell edhe njëherë Altin Dumanit shprehjen e respektit tim, si edhe i uroj çdo të mirë në vijim”, tha Kryeministri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë kryeprokurorit të ri Klodian Braho, Rama i uroi që ta çojë SPAK-un në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar, në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit.

Lufta kundër korrupsionit, sipas Kreut të Qeverisë, “nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses, nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh” siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës”.

“Për këtë sapo ka dalë edhe një direktivë e re e BE-së, pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat, apo me lojëra mediatike te llojit Big Brother, me transkripte telefonash të nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore”, shtoi Kreu i Qeverisë.

Rama tha se ka shumë besim se eksperienca e gjashtë viteve, arritjet e padiskutueshme, si edhe mundësisht modestia e domosdoshme për të parë me sy vetëkritik punën e deritanishme, mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë tre vjet nga sot. ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?