Rama: Në fund të vitit të ardhshëm, prokurime me inteligjencë artificiale

Kryeministri Edi Rama thotë se përafrimi i kuadrit ligjor të BE, do të bëhet me inteligjencën artificiale.
Rama deklaroi sot se në fund të vitit të ardhshëm, prokurimet publike do të realizohen me anë të përdorimit të inteligjencës artificiale.
“Duhet të falënderoj ata që janë në këtë sallë, në këtë moment mjaft përcaktues për Europën, botën dhe Shqipërinë. Franca po kryeson më së fundi diçka, që prej një kohe të gjatë, për ne është dhuratë ta ndajmë këtë rrugëtim me Francën. Jam shumë krenar për atë që kemi bërë deri tani, por teknologjia e re është bekim i madh i vendeve në zhvillim. Mund të na japin instrumentet për të bërë kapërcime të jashtëzakonshme përpara. E filluam rrugëtimin tonë nga zero. Zero kapacitete, sot kemi krijuar një platformë e cila në fakt, ka hequr të gjitha zyrat e pritjes. Qytetarët shqiptarë nuk kanë më pse të rrinë radhëve dhe të humbasin kohë dhe energji, por edhe bakshish, që është termi turk për këtë frazë. Çdo gjë tani është në internet. Kemi ecur shumë përpara tanimë në procesin e integrimit evropian. Kemi plan ambicioz për të përmbyllur negociatat në 2027. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të mos e humbur. Duke përdorur inteligjencën artificiale, po e bëjmë këtu punë, me një shpejtësi krejt tjetër. Vetëm për të transponuar korpusin ligjor të BE, do kërkonte ushtri përkthyesish, hartuesish. Është një punë e jashtëzakonshme që po bëhet përmes inteligjencës artificiale. Ne jemi edhe më ambiciozë sesa kaq, po punojmë me Microsoft për prokurime me AI, pa kontakt njerëzor në 95 për qind të procesit. Shpresojmë që në fund të vitit tjetër, të jetë duke funksionuar. Ajo çfarë po vjen tashmë, përmes kësaj dore të ngrohtë franceze, është e mirëpritur”, theksoi ai në një aktivitet për “Javën Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale”.