Rama në Prishtinë: Këtë sezon veror s’ka kontrolle në kufi. Në nëntor të mbledhim 2 Kuvendet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prishtinë, tha se këtë sezon veror do të marrin fund radhët e gjata në kufijtë Kosovë-Shqipëri, pasi nuk do të ketë më kontrolle një për një të automjeteve. Gjithashtu Rama propozoi që në nëntor të zhvillohet mbledhja e dy Kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pjesë nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e dy qeverive në Prishtinë: 

I dashur Albin unë e hoqa këtë fjalimin e përgatitur për tu përqëndruar në disa pika me rëndësi të vecantë dhe të evidentojnë rezultate konkrete. Shprehjen e kënaqësisë për këtë moment dua ta bëj duke falenderuar përzemërsisht Albinin dhe duke ju thënë publikisht për mirë apo keq se është kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson kur e them. Kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë e qeshim jo pak.

Kur kemi nisur punën më nga afër, kemi patur një volum të shkëmbimeve tregtare 160 mln euro, sot ky volum për vitin 2021 është 433 mln euro. Kemi hyrë në zonën ku shifrat marrin seriozitet.

E dyta që dua të sjell në vëmendje është që sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruar mbi 1 mijë subjekte nga Kosova. Investimet e Kosovës në Shqipëri, në 2017 ishin 9 mln, 130 mln euro në 2021.

E fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16 mln në 2018. Ndërkohë që jemi në 41 në vitin 2021.

Unë besoj se kemi mundësi ta intensifikojmë e shtojmë volumin e investimeve. Dua t’i kujtoj ministrave të brendshëm këtu se kemi një protokoll të nënshkruar në Morinë. Në këtë sezon është e palejueshme të kemi më problem të natyrës që kemi patur deri vjet apo vitet e tjera dhe radhë pa fund për shkak të kontrolleve të makinave që vijnë drejt Shqipërisë.

Sot kemi ardhur me përfaqësues të kompanisë globale për të prezantuar studimin e portit të Durrësit, që shtrihet nga Durrësi në Prishtinë, çka përbën një projekt me rëndësi strategjike. Besojmë që duke e shtyrë këtë projekt të madh të portit të ri me portin e thatë të Prishtinës, me hekurudhën e portin ushtarak bazë të NATO-s, jemi në një situatë tërësisht tjetër për 19 vjeçarët e ardhshëm. Zbatimi i angazhimit që morëm në takimin e shtatorit në Prishtinë me dy akademitë për enciklopedinë shqiptare, projekti albanologjik që merr udhë si vullnet i përbashkët i dy qeverive.

Është vendi i duhur për ta thënë se ka përfunduar faza e parë e punës për abetaren e unifikuar, vijon puna për zbatimin, kemi folur edhe me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe me kryeministrin e Malit të Zi do flasim edhe në Serbi që kjo abetare të shkojë te të gjithë shqiptarët.

Ju propozoj që duke qenë se jemi pranë 110-vjetorit të pavarësisë të kishim në nëntor të parin Kuvend të përbashkët me të dy parlamentet.

Nëse të dy kryesitë e kuvendeve bien dakord që të kemi këtë kuvend të përbashkët, japim edhe mesazhin që këto nuk janë slogante bosh. Kuvendi i përbashkuar i nëntorit, është projekt që na vlen. Puna e nisur mes dy kuvendeve dhe kryetarëve ka kaluar në nivel tjetër, sa i përket ndërveprimit dhe ndarjen e informacioneve.

SHKARKO APP