“Rama: Nëse nuk na pranon BE, variantet e tjera janë Rusia, Kina dhe Islami radikal”

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka publikuar në Facebook një deklaratë të bërë nga Kryeministri, Edi Rama në një forum të mbajtur në dhjetor në Bruksel.

Në fjalën e tij, Kryeministri thotë se Bashkimi Europian nuk është e vetmja alternativë për vendet që nuk janë pjesë e BE. Rama shprehet se Rusia, Kina dhe madje Islami Radikal janë disa nga variantet e tjera ku vendet e rajonit mund të shkojnë nëse nuk pranohen në BE. Konteksti i qëndrimit të Kryeministrit është një presion për BE që të pranojë brenda saj të gjithë vendet e rajonit.

Në komentin e tij, Petrit Vasili shprehet se qëndrime të tilla janë tërësisht antieuropiane. Ai fton qytetarë, por edhe socialistët që këto ditë flasin për integrimin të lexojnë pikëpamjet e Edi Ramës për integrimin në BE. “Kryeministri i antintegrimit europian sheh nga lindja”,- shkruan Petrit Vasili në Facebook.

Deklarata e Petrit Vasilit në Facebook:

“Kryeministri i antintegrimit europian sheh nga lindja etj… Këta të hipokritet e rilindjes që u “shqyen” për integrimi, ja nga sheh kryeministri i tyre. Le ta lexojnë, e ka thënë vetë ky kryeministri antiintegrim. E ka thënë kryeministri mu në mes të Brukselit për t’ia bërë karshillëkun tamam BE, mu te dera e shtëpisë në dhjetor 2017.

Ai nuk sheh nga Brukseli po nga Lindja. Lexojeni vetë të dashur miq, që flisni shqip dhe anglisht se ç’ka thënë ky antibrukseli kryeministër:

“Edi Rama: Gabohen kur thonë se s’ka rrugë apo alternativa të tjera, pasi Rusia dhe Kina, por edhe Islami radikal përbëjnë një shumëllojshmëri për secilin nga vendet tona. Rusia ofron një rrugë shumë të lehtë: harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet dhe mbaje pushtetin sa më gjatë të mundesh. Dhe kjo nuk është një rrugë pa interes. Dhe kanë para që mund ti hedhin. Dhe nuk është se ka ndodhur në Siberi, por në mes të Europës, kur kryeministri u kërcënua me vdekje, dhe ka ndodhur në Malin e Zi, pra rreziku është i pranishëm.

Po kështu edhe Kina ka se çfarë të ofrojë. Por, është edhe një rrugë e tretë, Islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë dhe shumëçka. Dhe megjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE-në dhe do t’i duhet BE që të vrapojë dhe të na kapë, pasi në të kundërt do të kemi një martesë me kosto shumë më të lartë”, tha Rama”.

SHKARKO APP