Rama sulmon Ilir Metën: Faqeziu, mbron ministren britanike nga unë!
Polemikat me Britaninë për punën e emigrantëve ka sjellë sherr edhe në Tiranë. Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha një ditë më parë se sulmet e tij ndaj autoriteteve britanike nuk i ndihmojnë pozitat e qytetarëve shqiptarë në ishull.
Rama tha nga Lushnja se shqiptarët nuk kanë arsye të ndihen inferior kur ulen në tryezë me të tjerët, ndërsa theksoi se nëse ka mungesë dakordësie me emigrantët shqiptarë në Angli, në debatet në rrjetet sociale, ai sërish i mbron ata përballë qeverive të huaja.
“Ilir Meta del dhe mbron atë ministren britanike, i mbron nga unë. Është, nuk e di. Është një lloj faqezezëllëku që i shoqëron shqiptarët që nga viti 1912, është një kategori shqiptarësh që nuk i ndahen këtij vendi si mallkim. Nuk kanë asnjë lloj cipe. Iliri ka shumë arsye. I ikën mendja e kokës dhe janë në gjendje të bëjnë gjëra nga më të hatashme. Kur vjen puna tek Shqipëria dhe shqiptarët, ne duhet të jemi një. S’kemi arsye pse të jemi të ndarë, fare. Ne jemi një vend i vogël. Kjo është fatkeqësia, fatmirësia se jemi një vend i vogël. Nuk kemi arsye në botë që kur të ulemi në tryezë me të tjerët, të jemi inferior.
Kur vjen puna tek shqiptarët jashtë nuk duhet ta zgjidhim në gjuhë të huaj, pse ikin ata. Vëllezërit tanë nuk preken, këtë duhet të themi në gjuhë të huaj. Sa ka në Londër, çuna që nuk e shohin dot me sy PS-në, sa ka komentatorë në Facebookun tim, nuk lënë asgjë pa thënë. Unë në anglisht jam mbrojtësi i tyre më i madh. Përpara çdo gjëje tjetër, është Shqipëria”, tha Rama.
Intervista e Ilir Metës për radion britanike LBC
Përse po ikin shqiptarët?
Meta: Fatkeqësisht kjo po ndodh për shkak të mungesës së mundësive që u ofron qeveria autokratike e kryeministrit Rama, i cili është në detyrë prej 10 vitesh. Dhe gjithashtu prej mungesës së shtetit të së drejtës në vend.
Janë këto, dy arsyet kryesore që kanë vrarë shpresat e të rinjve shqiptarë dhe po i detyrojnë ata të largohen nga vendi.
Por, pse duhet të kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar? E kuptoj që ka njerëz që duan të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, por pse të kërkojnë azil.
Meta: Sepse për shumicën prej tyre, standardi i jetesës që kishin në vendin tonë ka ardhur duke u përkeqësuar.
Por Shqipëria nuk është në luftë, nuk është në gjendje lufte, janë kushtet ekonomike që padyshim janë shumë të vështira. Gjermania për shembull deklaron se Shqipëria është një vend i sigurt.
Po ke të drejtë, por gjendja ekonomike, gjendja sociale, përjashtimi social është në nivele të tilla, sa janë gati të marrin çdo rrezik dhe të kalojnë La Mansh me gomone, sepse qeveria shqiptare është aktori kryesor përgjegjës për vrasjen e shpresave të tyre për të ndërtuar të ardhmen në vend.
Nëse krahasojmë numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil në Britaninë e Madhe, me të rinjtë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, është aq i madh sa që nuk mund të krahasohen.
Meta: Kryeministri Rama të mos provokojë por të bashkëpunojë me autoritetet britanike, situata për shkak të qeverisë së tij të korruptuar.
Por a mendoni atëherë se autoritetet britanike duhet të pranojnë kërkesat për azil të të rinjve shqiptarë, nisur nga rrethanat që po përshkruani?
Mendoj se së pari është shumë e rëndësishme që kryeministri Rama të shmangë tonet provokuese me autoritetet britanike. Kjo situatë është rezultat i qeverisë së tij të dështuar dhe të korruptuar. Së dyti, ai duhet të punojë dhe të bashkëpunojë me qeverinë dhe autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe me autoritetet franceze, dhe agjencitë ligjzbatuese europiane. Jemi thellësisht të shqetësuar për jetën e mijëra shqiptarëve, që janë ngujuar në fakt në pyjet e Francës, në pritje të ardhjes në Britani të Madhe.
Pse situata në Shqipëri duhet të nënkuptojë që Britania e Madhe duhet të marrë më shumë kërkesa për azil?
Ne mendojmë se autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar duhet të punojnë me autoritetet shqiptare, në mënyrë konstruktive për të adresuar këtë fenomen. Dhe së dyti, fatkeqësisht ka shumë prej tyre që ndihen të përjashtuar dhe të persekutuar për arsye politike nga qeveria shqiptare.
Ne nuk i inkurajojmë ata të largohen nga vendi. Ne i inkurajojmë ata të luftojnë këtu për të drejtat e tyre dhe të bëjnë gjithçka për të hequr qafe këtë qeveri të papërgjegjshme, në mënyra demokratike.
KOHA JONË SONDAZH

