Rasti i parë me linë e majmunit, Tomini: Disponojmë vaksina për çdo situatë

Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi rastin e parë me linë e majmunit në Shqipëri. Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini tha në një intervistë televizive se personi është një 31 vjeç i gjinisë mashkull. ”Rasti nuk është autokton shqiptar, por ka pasur histori udhëtimi në shtetin fqinj, Itali. Sigurisht në bazë të një plan veprimi për MPox, linë e majmunit, janë zbatuar të gjitha masat për ndjekjen, vlerësimin dhe hetimin epidemiologjik për sa i përket izolimit të rastit dhe ndjekjes klinike”.

Tomini u shpreh se rasti u izolua për 28 ditë në banesë dhe u ndoq në distancë, ndërsa u hetua edhe kontakti tij familjari bashkëjetues, i cili rezultoi i pastër. ”Pas marrjes së anamnezës, pra, evidentimit dhe hetimit epidemiologjik, rasti simptomatik është izoluar për 28 ditë dhe është ndjekur në banesë nga shërbimi infektiv. Izolimi në spital ndodh kur rasti është i rëndë për shkak të komplikacioneve apo sëmundjeve bashkëshoqëruese në spital. Nuk ka pasur nevojë për ndjekje spitalore, por është ndjekur në kushte ambulatore, i izoluar dhe ndjekur në mënyrë rreptësore edhe nga ana e individit, por edhe nga ana e strukturave. Tashmë rasti është rikuperuar”, theksoi Tomini.

Tomini sqaroi se kjo sëmundje është infektive dhe mund të merret vetëm nga kontaktet e ngushta. ”Rrugët e infektimit janë disa, si p.sh. kontaktet e ngushta dhe të përsëritura lëkurë me lëkurë, rrugët seksuale, si dhe prekja dhe përdorimi i të njëjtave objekte. Duhet të theksojmë që duhet të kemi kontakt të ngushtë, të përsëritur, pra, nuk duhet të shtojmë panikun, sepse shpesh në publik shtohet paniku përkundrejt një kontakti me një puçërr që është çarë apo është plasaritur, apo me një lëkurë të dëmtuar”,-tha drejtuesja e ISHP-së.

Instituti i Shëndetit Publik disponon vaksina për çdo situatë që mund të krijohet. Lia e majmunit është një infeksion viral, që shkakton puçrra me qelb dhe ka simptoma të ngjashme me gripin. Krahas temperaturës, skuqjes dhe flluskave në trup, lia e majmunit shkakton edhe fryrje të nyjave limfatike. Në 95% të rasteve mjekët thonë se kalon pa probleme.

SHKARKO APP