Reagimi i plotë i ministrit Tahiri për Prokurorinë dhe pezullimin e Çakos

Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri mori sot në mbrojtje drejtorin e Përgjithshme të Policisë, Haki Çako pas pezullimit nga Gjykata për çështjen e përgjimeve. Në fjalimin e mbajtur gjatë prezantimit të numrit unik të emergjencave 112, Tahiri tha se Çako nuk ka shkelur ligjin. Ai u shpreh se ky është reagim i atyre segmenteve në drejtësi që janë kundër reformës në drejtësi.

Fjala e Ministrit Tahirit 

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se rruga jonë drejt reformave nuk është e lehtë, nuk është e kollajtë. Pavarësisht se s’do ishte e udhës t’u flisja vetëm për 112-n. Nuk kam se si i shmangem një çështjeje që u bë e ditur para pak orësh, lidhur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe me dy punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit.

Unë jam shumë i vetëdijshëm që Drejtori i Policisë dhe dy punonjësit nuk kanë shkelur ligjin në asnjë sekondë të ushtrimit të punës së tyre. Nuk kanë bërë asnjë përgjim. E s’kanë bërë asgjë qoftë dhe largësisht e afër me përgjimin.

Publikisht i jap mbështetjen time personale, institucionale, mbështetjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë.  Për Drejtorin e Policisë dhe dy punonjësit e policisë e për çdo punonjës policie në çdo cep të Shqipërisë që kryen detyrën me përkushtim, me devotshmëri, me ndershmëri duke besuar shumë fort se Policia e Shtetit ka një mision të shenjtë: Për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të bërë ç’është e mundur që shoqëria të ndjejë, të perceptojë dhe të ketë mundësi të jetojë duke u garantuar që institucioni të respektojë ligjin në mënyrë të njëjtë, pa të preferuar, pa të përkëdhelur, pa të paprekshëm.

Unë besoj që janë të shumtë ata që e dinë se rruga jonë për të reformuar sistemin e drejtësisë ka shumë armiq. Janë të shumtë ata që nuk duan që drejtësia të funksionojë siç duhet në këtë vend.

Në mënyrë që fermeri mos të vuaj sepse nuk fiton dot titullin e pronësisë për shkak se është dikush tjetër i korruptuar bashkë me gjyqtarin dhe bashkë me prokurorin që i zapton tokën, që i pushton tokën, që ja merr tokën me letra dhe kurrë nuk fiton të drejtën fermeri i ndershëm. Është dikush sipërmarrës që sakrifikon dita-ditës dhe që ndihet nën dhunën e korrupsionit e të gjithë atyre që me pushtetin e sistemit të drejtësisë bëjnë lloj-lloj padrejtësie në këtë vend, padrejtësi të cilës i vënë taksën e  korrupsionit.

Janë 99 % shqiptarët që duan realisht që ky vend të jetë i drejtë për fëmijët e tyre. Edhe duhet të sakrifikojnë sot për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Ashtu si po punojmë sot me Policinë e gjeneratës tjetër. Dhe sot u pa në mënyrë të pa ekuivok. Sot u bë shumë evidente se ata që nuk duan reformën në drejtësi janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Sot u pa kush është i gatshëm të bëj gjithçka për të shpëtuar ata që nuk duan Reformën në Drejtësi. Edhe sistemet më të korruptuara, instancat më të korruptuara në prokurori dhe gjyqësor nuk do të guxonin kurrë të shkonin deri këtu, për të penguar Reformën në Drejtësi. Dhe ne jemi tërësisht të gatshëm të përballemi me cilindo që nuk e do Reformën në Drejtësi. Kjo është beteja jonë me të shkuarën. Kjo është beteja jonë me të gjithë ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu. Kjo është beteja jonë e hapur me të gjithë ata që janë në gjendje dhe të gatshëm të bëjnë gjithçka që qytetarët e Shqipërisë mos të kenë kurrë një sistem drejtësie që garanton drejtësi jo sipas xhepit, por sipas të drejtës. Jo sipas më të fortit, me para apo muskuj, por sipas të drejtës.

Unë e kuptoj që opozita gjendet ngushtë, opozita bashkë me frontin e të keqes që sot nxori kokën dhe që nuk e do Reformën në Drejtësi. Ashtu si kuptoj shumë mirë sakrificën e madhe, të gjithë atyre që janë  të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm për të shpëtuar Saliun që të mos mbetet me gjithë gishtin në gojë. Ne jemi shumë të gatshëm dhe shumë të vetëdijshëm që kjo rrugë ka nevojë edhe për sakrifica. Kjo është një rrugë që ka pengesa por për t’i shërbyer qytetarëve, për të garantuar një Shqipëri më të drejtë, një shoqëri më të drejtë, për të garantuar që qytetarët të jenë nesër të barabartë përpara ligjit dhe për të garantuar që fëmijët tanë, fëmijët e çdo shqiptari të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa merakun se kush është i fortë, kush ka para, kush është i lidhur me pushtetin, kush është i lidhur me partitë, kush gjen një prokuror të korruptuar në fuqi, një gjyqtar të korruptuar për të garantuar Shqipërinë e drejtë e së ardhmes.

Ne duhet të kapërcejmë çdo pengesë, me forcën dhe fuqinë që na jep e drejta. Për të bërë gjithçka duhet bashkë me 99% të shqiptarëve që sot janë të gatshëm të hedhin pas të shkuarën. Janë të gatshëm të hedhin pas të kaluarën që e solli Shqipërinë deri këtu. Unë nuk dua të zgjatem më në këtë fjalim timin sepse jam shumë i sigurt se nuk ka shqiptar që nuk e kupton sa e rëndësishme është Reforma në Drejtësi. Ashtu si nuk ka shqiptarë që nuk e di, me gisht ta tregoj, emër mbiemër, se cilët janë ata që nuk e duan Reformën në Drejtësi. Cilët janë ata që duan ta mbajnë Shqipërinë me kokën pas duke mbajtur peng të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe unë jam i gatshëm bashkë me ju që të bëjmë gjithçka duhet, në këtë betejë për të garantuar një Shqipëri të drejtë, një shoqëri të drejtë.

Dhe të jeni të sigurt që kjo do të jetë një betejë jo e lehtë. Por do ta bëjmë bashkë. Me çdo shqiptar të ndershëm në këtë vend që e do të ardhmen më shumë se të shkuarën që lamë pas. Edhe një herë dua t’i japë forcë dhe kurajo çdo punonjësi policie në çdo cep të Shqipërisë. Luftoni me krimin, luftoni me paligjshmërinë, luftoni me informalitetin, luftoni me të gjithë ata që duan t’ju pengojnë në detyrë. Po bëni gjithçka është e mundur për të garantuar që Shqipëria nesër do jetë më mirë falë nesh dhe betejës që po bëjmë sot.

SHKARKO APP