Ka reaguar Komisioni Europian për protestat kundër rritjes së çmimeve në Tiranë, duke thënë se qytetarët në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor kanë shqetësime legjitime për rritjen e çmimeve.
Deklarata vjen pas pyetjeve të dërguara nga partneri mediatik i EURACTIV, pasi kryeministri Edi Rama tha, një ditë përpara se kryediplomati i BE-së Josep Borrell të vizitonte Tiranën, se një zyrtar i Brukselit kishte thënë se protestat i shërbenin Rusisë dhe Kremlinit dhe kishte pyetur se kush i organizonte ato.
“Qytetarët në Shqipëri, si dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, kanë shqetësime legjitime për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve”, tha Komisioni.
“BE rikujton se respektimi i standardeve evropiane për lirinë e grumbullimit paqësor, dhe për mbrojtjen dhe përfshirjen e grupeve të cenueshme, janë kërkesat kyçe të anëtarësimit që monitorohen nga afër. Të gjithë aktorët e përfshirë duhet të ushtrojnë qetësinë dhe përmbajtjen maksimale”, shtoi Komisioni Evropian.
Deklarata e Komisionit vazhdoi se rritja e çmimeve është “rënduar kryesisht nga lufta e agresionit të nisur nga Rusia kundër Ukrainës”, dhe jo nga sanksionet e BE-së dhe përafrimi i Shqipërisë me to.
