Reagon Majko: Deklaratat si të Nikoliçit kanë gjakosur Ballkanin
Nga Shqipëria ka ardhur një paralajmërim i fortë por dhe një këshillë e vyer për lidershipin e Serbisë në lidhje me provokimet që po bëjnë në adresë të Kosovës.
Ish-Kryeministri i Shqipërisë i periudhës së luftës në Kosovë, Pandeli Majko, është politikani i parë i rëndësishëm nga Shqipëria, që ka reaguar ndaj kërcënimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic se do ta dërgojë ushtrinë në Kosovë.
Majko ka thënë se deklaratat si të Nilolicit më herët kanë shkaktuar gjakderdhje në Ballkan derisa liderët serbë kanë përfunduar në Hagë duke u gjykuar për krime lufte.
“Serbia nëpërmjet deklarimeve të presidentit të saj ka deklaruar se “do të dërgojë ushtrinë” në Kosovë. Një deklarim i tillë ka kohë që nuk dëgjohet nga politika serbe. Kjo mënyrë sjellje pati pasojë gjakosjen e rajonit dhe dërgoi në Gjykatën e Hagës lidershipin e Beogradit”, ka shkruar Majko.
“Të thuash dhe të bësh, janë dy gjëra të ndryshme në politikë. Historia ja ka dhënë serbëve dhe shqiptarëve mësimet e saj. Dialogu është opsion i zgjidhjeve europiane dhe ka raport me të vërtetën e paqes që duan kombet në rajon. Kjo e vërtetë fton gjakftohtësinë të kuptojë. Politikan nuk të bën lufta. E kundërta është e vërtetë”, ka shtuar ai.
“Trim nuk të bëjnë deklaratat e luftës. Kjo është po aq e vërtetë sa fakti se një tren nuk bëhet kishë me piktura fetare. Të kuptuarit e luftës është akt dhe jo deklaratë. Kjo do pak mencuri në të kuptuar, e cila kombit serb, si rregull, nuk i ka munguar. Për më tepër, shqiptarët kanë një të metë kombëtare. Ata janë më të aftë në luftë se sa në paqe. Sigurisht”.
KOHA JONË SONDAZH

