Replikat për “median e kazanit”. Bedri Islami: Përse e përmenda Artur Zhejin
Retorika e Kryeministrit Edi Rama kundër medias është transferuar tashmë brenda vet medias. Gazeta “Dita” në kryeartikullin e datës 10 nëntor të nënshkruar nga Bedri Islami, i jepte të drejtë kreut të qeverisë për kritikat lidhur me profesionalizimin e medias. Mes të tjerash, Bedri Islami përmend dhe publicistin Artur Zheji, si ish mik të Edi Ramës dhe bën një aludim për të kaluarën e Artur Zhejit. “Duke hipotekuar, sipas kësaj tradite, të marr guximin e të them se, për shembull , ka zëra se Zheji ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka abuzuar rëndë me fondet kur ishte drejtor i Përgjithshëm i RTSH, dhe nuk e di nëse ka qenë e vërtetë…”,- shkruan Bedri Islami.
Sot publicistit Artur Zheji, në një shkrim në portalin 360grade.al, i përgjigjet Bedri Islamit, por edhe gazetarëve dhe publicistëve të tjerë që janë përfshirë në debatin pro dhe kundër kryeministrit duke hedhur baltë mbi njëri-tjetrin. “Nëse duhet për të provuar se media është një kazan, ashtu si thotë kryeministri, zoti Islami, bëre mirë që më përmende. Po ta shkruaj ty dhe përmes teje edhe mjaft shkronjësve me penë të hollë apo të trashë të këtij fshati, që unë nuk kam qemë asnjë orë të jetës sime, as në kontaktin më të largët me Sigurimin e Shtetit, përveçse nëpër filmat e realizmit socialist. Dhe është shumë e thjeshtë prova dhe sprova Bedri, se ti merr vesh mirë nga këto punë. Është vetë kryeministri, që mund t’ju kënaqë kureshtjen dhe të nxjerrë ndonjë dosje. Mund të kem qenë në ndjekje, së bashku me prindërit e mi të ndjerë, por asnjëherë në kontakt, e aq më tepër në bashkëpunimin më të largët me ato fytyra të sikletshme”,- shkruan Zheji.
Ndërkohë qëndrimeve të shprehura nga Zheji u është përgjigjur sërish publicisti Bedri Islami. Në një shkrim të dërguar edhe në adresë të gazetës “Koha Jonë”, Islami jep argumentet e tij lidhur me debatin për mediat, por edhe replikat qëndrimet personale të Zhejit. Më poshtë mund të lexoni replikat e plota të dy publicistëve, jo vetëm për qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama.
REPLIKA E BEDRI ISLAMIT:
Përse e përmenda Artur Zhejin
Nga Bedri Islami
Në shkrimin tim, botuar në DITA dhe përcjellë në disa portale të tjerë, mes tyre edhe “Koha Jonë”, kam përmendur njërin ndër gazetarët e njohur, Artur Zheji.
E kam përmendur jo pa u menduar , e po ashtu, jo rastësisht.
Kam patur disa arsye përse e kam bërë këtë. Megjithëse i gjithë shkrimi im, me idenë se gjithnjë e më tej media po bëhet e pabesuar, mund të qëndronte edhe pa shembullin që citova, përsëri, duke e marrë me mend se do të kishte një replikë, i qëndrova mendimit tim. Nuk kisha qenë i gabuar. Zheji bëri replikën e tij, e cila është e natyrshme, por edhe, mendoj, mirëdashëse, por jo për atë ide për të cilën kisha shkruar. Por, le të sqaroj përse e përmenda emrin e tij.
Së pari, Zheji është gazetari më i zgjuar dhe më i aftë mes gjithë atyre që, me arsye e pa arsye, janë rreshtuar ashpërsisht kundër qeverisjes së Ramës e më shumë kundër tij si figurë politike. Mendova se nëse duhej të merrja një shembull, duke e pasur të qartë për vete e ndoshta edhe duke mos e sqaruar mirë, do të ishte ai i Zhejit. Në fund të fundit ia vlen të merresh me majat. Për shumë kohë Zheji ka qenë ndër gazetarët e besuar të vendit. Si korrespondent, në ato vende ku ka shërbyer, ka qenë brilant. Këtë e pranoj, edhe pa më sjellë emrat e disa nga miqtë e mi të afërt, sepse nuk kam nevojë për vërtetimin e tyre. Ndoshta, në atë kohë ata as që e njihnin Zhejin.
Si pak të tjerë, i di punët që ka bërë Zheji në dobi të Kosovës. Edhe, nëse nuk do i përmendte, kjo është një vlerë në jetën e tij, por nuk më pengon që, sinqerisht, t’i them se, egërsia dhe mllefi nuk e bëjnë atë më të besuar, dhe kjo është tema për të cilën kam shkruar.
Çfarë po ndodh aktualisht me vetë atë, Zhejin. Ai po kthehet në një gazetar i “lexueshëm”, ende pa filluar të flasë. Tashmë në diskursin e tij nuk ka asgjë të papritur, asgjë ndryshe nga të tjerët. Ai, çka nuk e kam pritur, po kthehet si të tjerët. Kur kthehet ai, çfarë pret nga një tufë mediokre, të cilët nuk e kanë vendin në gazetari? Dhe solla shembullin e tij.
Së dyti, Zheji i takon rrethit të ngushtë të miqve të dikurshëm të Ramës. Një ditë të ardhshme mund të jenë përsëri miq. Jo rastësisht, shumë nga miqtë e dikurshëm, sot janë ndër kundërshtarët e vazhdueshëm të tij. Dhe, më vjen keq, bën pjesë në atë rreth medial, i cili, edhe kur nuk gjen shkak, mjafton të flitet për Ramën dhe e shohin gjithçka në të zezë. Duke formuar kështu një bashkësi, të cilat, edhe kur kanë të drejtë, e humbin besueshmërinë e tyre, pasi, më shumë se sa fakti i zbardhur, sillet hamendja dhe zemërimi, e herë pas here, vreri.
Unë nuk i takoj atij brumi që beson ende se Rama po bën mrekullira. Duhet të jesh naiv ose sylesh ta besosh këtë, por ende besoj se, ndër të tjerët që u vërvitën në garën e qershorit, ai ishte më i besueshëm se të tjerët, sidomos duke marrë parasysh se cilët kishte ballas tij. Dikush mund të hamendësojë se pas shkrimeve të mia qëndron interesi. Nuk i kam borxh qeverisë së Tiranës, por edhe të Prishtinës, asnjë cent të vetëm, dhe, megjithëse i emëruar si këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Thaçi, nuk paguhem për këtë.
Së treti, shembulli i Zhejit, edhe jashtë asaj që jam i bindur, tregon se si media e kazanit, majtas e djathtas, mund të përlyejë një figurë dhe për kundërshtarët të jetë e besueshme se kështu ka ndodhur. Zhejin e kanë sulmuar shumë për atë që nuk ka bërë dhe nuk e kanë vlerësuar për atë që ka bërë. Në median kazaneske janë thënë të pavërteta për të dhe këtë e di fare mirë. Jam i bindur se nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, ndryshe nuk do të kishte guximin të radhitej kundër tij që në krye të herës, dhe, nëse shkrimi im ka tingëlluar në një kah të kundërt, jam i gabuar, por kazani e bën të tillë. Babain e tij e kam takuar vetëm një herë në jetë, në shtëpinë e mbushur me libra, rrëmujshëm, kur shoqërova dajën e nënës sime, Arif Gjylin, që, me aq sa më tha për të dhe me aq sa lexova më pas në përkthimet e mrekullueshme, është e mjaftueshme ta nderoj gjithnjë. Zheji nuk ka nevojë të ia mbushë mendjen askujt se nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe as që ka punuar për shërbimet e huaja. Sot, dhjetëra analistë mburren se janë në kontakt me këto shërbime, edhe kur nuk janë, dhe unë, i pandrequr, përsëri nuk e besoj se Zheji mund të mburret prej tyre. Ose, ai ka ndryshuar gjithandej.
Mirëpo , lexova disa nga shkrimet e fundit të tij. Më vjen keq ta them, por vendin e analizës së ftohtë, të menduar e, mbi të gjitha, të besuar, e zënë hamendjet, shfrimi i dufit dhe sjellja në rrethin vicioz të fjalës që nuk përcjell mendimin e dikurshëm real e të saktë të tij. Është e drejta e Zhejit të jetë kundërshtar i qeverisë Rama dhe i vetë Ramës personalisht, por askush nuk më heq të drejtën të kem mendimin tim se kjo, le të themi, çoroditje, e bën atë jo të besueshëm si më parë.
Dhe kjo më kthen në fillim:
tek ajo që është kryesore: përse media nuk është më e besuar. Përse njerëzit e dinë, ende pa e hapur gojën një analist, se çfarë ka në mendje dhe se çfarë do të thotë? Përse analistët, edhe në panele, ndahen majtas e djathtas, si ushtarë që do të sulmojnë njëri tjetrin? Përse njerëzit ndjekin me interes një emision të Dritan Hilës, edhe pse ai është i njohur si kundërshtar i Edi Ramës apo i rrënimit të shtetit, ndërsa shumë emisione të tjera po bëhen bajatë? Mua më vjen keq që një mendje si e Zhejit bëhet e lexueshme, sepse nuk ka qenë kështu. Dhe kjo duhet ta trazojë atë, mua, të tjerët, më shumë se një hamendje e shtypit apo një lapsus ende i pasqaruar si duhet nga unë.
Në këto vite nuk ka asnjë analist që nuk është sulmuar, nganjëherë edhe barbarisht. Edhe Rama, kur ishte si të tjerët, është sulmuar. Edhe vetë gazeta Koha Jonë është sulmuar, e përsëri sulmuar, djegur e përndjekur.
Por, kanë qenë të besuara deri në fund. Kanë qenë më të besuara edhe se qeveritë, edhe se vetë opozita, në fakt ata kanë qenë opozita e besuar.
Nëse Zheji , qoftë edhe një sekondë mendon se unë hamendesoj se ai ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, është i gabuar, ose unë nuk e kam thënë si duhet.
Por që , edhe ai po bëhet „ i lexueshëm“ ende pa shkruar dhe ende pa folur, kjo më trishton.
Sepse kam besuar tek fuqia e pavarur e fjalës së tij.
Së fundi, jo rrallë herë, ne, po e fus edhe veten tek analistët, ngutemi të agresojmë ndaj njerëzve,edhe pse faktet nuk i kemi. Pesë minuta pasi u shpallën prefektët e rinj të vendit, Basha i quajti banditë dhe media heshti.Disa u bashkuan me të. Shkuan edhe tej tij. Nuk mendojmë se pas një emëri është një jetë, një familje një fis, ndoshta një staturë politike e ndershme sa nuk ka më. Por kur,qoftë edhe pa u trajtuar si duhet, citohet emëri ynë, zemërohemi. Sepse , edhe ne, kemi një emër, një familje, një fis, një jetë.
Nëse do të mendonim , ashtu si e duam për vete emerin tonë, nuk do të nguteshim. Dhe mund të ishim më të besuar.
Për mua, kjo ka rëndësi. Nëse në shkrimin tim jam i keqkuptuar, atëherë nuk kam qenë i zoti të përcjell si duhet një mendim, që është i qartë në veten time. Bedri Islami
REPLIKA E ARTUR ZHEJIT
Për Bedri Islamin dhe të tjerë: Pyesni Ramën për Sigurimin e Shtetit…
Nga Artur Zheji
Nëse duhet për të provuar se media është një kazan, ashtu si thotë kryeministri, zoti Islami, bëre mirë që më përmende. Po ta shkruaj ty dhe përmes teje edhe mjaft shkronjësve me penë të hollë apo të trashë të këtij fshati, që unë nuk kam qemë asnjë orë të jetës sime, as në kontaktin më të largët me Sigurimin e Shtetit, përveçse nëpër filmat e realizmit socialist.
Dhe është shumë e thjeshtë prova dhe sprova Bedri, se ti merr vesh mirë nga këto punë. është vetë kryeministri, që mund tju kënaqë kureshtjen dhe të nxjerrë ndonjë dosje. Mund të kem qenë në ndjekje, sëbashku me prindërit e mi të ndjerë, por asnjëherë në kontakt, e aq më tepër në bashkëpunimin më të largët me ato fytyra të sikletëshme.
Kanë shkruar edhe të tjerë aludime të tilla të poshtra, por kur e shkruajte edhe ti o Bedri, thashë se qënka trashur puna, pamvarsisht se shton “që nuk e beson”.
Sepse ndoshta duhet të shkruaje që po të ishte e vërtetë, do ta dije. Le t’ja falim Kaç Myftarit këto fantazira letrare dhe këtë humor të zi, pa të cilat ai nuk jeton dot, por një burrë racional si ty, e vetëfusin në “kazan” këto rreshta. Nëse ishte kjo ajo që ti doje, ja mbrrite, por mua më vjen keq, nuk e di pse për këtë.
Sepse ti, ashtu sikundër dhe unë, e di mirë se kush janë në mes tonë “bashkëpuntorët”, ata që njihen dhe ata që nuk njihen, sepse jemi ruajtur prej tyre.
Por duke përzier të njomin me të thatin, sapo i bëre një shërbim ish sigurimsave, le të shpresojmë pa dashje, ashtu sikundër dhe unë e besoj, jo në mënyrë të rrejshme.
Kam jetuar 11 vite në Itali dhe përmes pasionit dhe aftësive të mia, vura në “shërbim” të Kosovës, editorialin e Radio Radicales në Romë, asokohe, Radioja politike kombëtare, më e madhja në Itali, me mbi 3.000.000 ndjekës.
Nëse këto janë “shërbimet e huaja”, ti e di. Arkivat e Radios janë aty, madje dixhitale tashmë.
Shndërrova në vitet 1992, nga një mik të ish jugosllavëve, në një mik të madh të shqiptarëve, të madhin Marco Pannella dhe Emma Boninon dhe mjaft të tjerë, duke diskretituar figurën e ish ministrit të jashtëm Italian Lamberto Dini dhe aferat e tija me Telekom Serbia etj. Dhe duke mbajtur nën presion ish kryeministrin Italian të asaj kohe Massimo D’Alema, për Çështjen e shenjtë të Kosovës, si e mbiquaja unë atëhere…
“Rekrutova” gazetarë që, si shef departamenti që isha, i dërgoja në Kosovën e pushtuar, për të rrëfyer për Europën tmerret që ndodhnin aty.
Kam qenë korespondent lufte në Zagreb, në periudhën e luftës së shkurtër kroato-serbe. E kam gdhirë me Arben Xhaferrin në Tetovë, kur donin ta arrestonin si kryetar të Pdsh.
Më bëre të kaloj parasyve gjëra të mrekullueshme, për të cilat skam folur dhe shkruar asnjëherë, nën trysninë e modestisë. Por dëshmimtarët janë gjallë dhe në postet më të larta, të Shqipërisë dhe Kosovës apo të Shkupit.
Po ke të drejtë duhet të shkruaj për atë eksperiencë. Po mund të pyesësh edhe presidentin Hashim Thaçi për këtë, Baton Haxhiun, edhe Ali Ahmetin apo Menduh Thaçin, pasi të kesh pyetur edhe lartësinë e tij, Ramën. Por edhe Fatos Nanon, që ishte një dëgjues i rregullt i Radios nga burgu. Nejse Bedri, e kuptoj se Rama sot është në vështirësi dhe jo prej meje dhe as prej mediave, por prej vetëvetes dhe zgjedhje të tija personale dhe me vetëdije të plotë. Kishte nevojë për një dorë. Jepja. është e drejta jote, por mos u shty deri këtu, se nuk kemi moshë, as ti dhe as unë, që të merremi me pallavra.
Dhe po ta shkruaj paraprakisht që nëse më kthen përgjigje, duhet të kërkosh të falur, në një formë ose tjetër.
Pasi të informohesh edhe pranë kryeminsitrit që ka akses kudo nëpër dosjet e të gjitha llojeve. Tung./360grade.al/
SHKRIMI I BEDRI ISLAMIT NË GAZETËN DITA, 10 NËNTOR
Po, është kazan! Pse Edi Rama ka të drejtë në ashpërsinë e tij ndaj medias
Nga Bedri Islami
Cilët janë “të zemëruarit” me Ramën , nga ish-miqtë e tij nervozë që duan favore e sajdisje, tek pronarët e mediave që bëjnë të revoltuarin nga vilat luksoze të ngritura me paratë e flirtimit me politikën. A është beteja politike me Ramën, ajo që duhet të bëjnë sot “të zemëruarit” për kazanin? Apo beteja për rikthimin e vlerës së Fjalës dhe analiza e pyetjes: Pse publiku shqiptar nuk beson më tek mediat?
Një diskurs i shefit të qeverisë Edi Rama për mediat zgjoi demonët e fjalës. Në të vërtetë asgjë nuk ishte e re në fjalën e tij, madje kishte rënë disi ai toni i ashpër, disi nëpërkëmbës dhe përçmues i Ramës ndaj botës së mediave, të cilën ai shpesh herë, e përmbledh në një kazan mediatik.
Kundër fjalës së Ramës u ngritën analistë, gazetarë, portale, shefi i opozitës dhe opozitarë të tjerë. Do të vazhdojnë të bëhen debate, do të hapen rrjedha të tjera, por nuk është bërë dhe me sa shihet nuk ka për t’u bërë ende pyetja e vetme e duhur: A kanë më vlerë fjalët tona?
Pra, a ka vlerë ajo që përcillet në media, sa është e besueshme ajo, pse njerëzit po largohen gjithnjë e më tepër nga ajo që është thënë në media; përse ka një largesë të besimit ndaj fjalës, deri në absurdin e pamenduar më parë?
Në të vërtetë, edhe pa fjalën e Edi Ramës, që është vetë një njeri i medias, fjala po bie gjithnjë e më tepër në vesh të shurdhër. Njerëzit po largohen nga fjala, sepse prej shumë kohe nuk e besojnë më atë.
Në median e shkruar apo vizive, në portale e debate pa fund, në këto vite, vrullshëm, janë hedhur aq shumë akuza e kundërakuza, janë bërë përleshje mediatike të pangjara, faktet janë marrë si letër higjienike dhe të rremet janë sjellë si të vërteta.
Sikur në një të dhjetën e saj të kishin ndodhur në një vend të Bashkimit Evropian, do të ishte bërë qameti, do të ishin mbledhur me urgjencë prokurorë e hetues, çështjet do të shtroheshin deri në nivelet më të larta të shtetit dhe, deri sa gjërat të zbardheshin plotësisht, askush nuk do të ishte i qetë. Dhe, pas tyre fjala do të mbetej e besuar. Tepër e besuar.
Sepse askush nuk guxon t luajë me fjalën, pas së cilës është një fat njeriu, një jetë, e cila nuk mund të shkatërrohet vetëm se ashtu ia do qejfi dikujt në media apo politikanit X që të ka premtuar mbështetje financiare kur të vijë në pushtet e kujtdo tjetër që herë tinzisht e herë haptas e shkel si pa të keq vijën e kuqe të besimit publik.
Mëria që pushton një pjesë të mediave pas diskursit të Ramës do të ishte e natyrshme, nëse vetë ajo do të ishte e përgjegjshme dhe shefi i qeverisë i papërgjegjshëm. Ndodh e kundërta. Ne ia japim vetes të drejtën ta shpallim atë vjedhës, i droguar, kriminel, bandit, drejtues bandash,…nuk më vijnë ndër mend sharjet e pafund ndaj tij, dhe, ndonëse nuk hedhim as një investigim për atë që akuzojmë, jemi të qetë, biem të flemë rehat, sepse askush nuk do të merret me ne. Arsyeja: shtypi i lirë, media e lirë, fjala e lirë.
Po le të marr një shembull hipotetik. Njëri ndër linçuesit e Ramës është një ndër miqtë e tij të dikurshëm, Zheji. I mençur është. Ramën e ka lakuar në të gjitha krimet dhe në të gjitha rasat. Gjithnjë pas një mburoje…ka zëra se…ka të dhëna se… mendohet se…Duke hipotekuar, sipas kësaj tradite, të marr guximin e të them se, për shembull , ka zëra se Zheji ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka abuzuar rëndë me fondet kur ishte drejtor i Përgjithshëm i RTSH, dhe nuk e di nëse ka qenë e vërtetë…
Po sikur, edhe ai, një ditë të bukur të thotë për ish shefin e tij, Çili se, ka qenë kështu e ashtu…po sikur në këtë valle të futen të gjithë ata që nga miqësia e dikurshme me Ramën janë kthyer në armiqtë e tij, dhe këtë fjalë, armiq, nuk e përdor në vend të fjalës kundërshtar, sepse kundërshtarë nuk janë…çfarë do të ndodhë.
Nuk e besoj se ka ndonjë ndjekës të programit Opinion, që nuk e di, ende pa filluar programi se çfarë do të thonë Marku, Fahriu, Hoxha, Zogaj, apo ndonjë analist i “krahut tjetër“. Nëse dihet që pa nisur, atëherë cila është vlera e fjalës?!
Nëse kaq shumë ngjiremi për një diskurs, më shumë politik se sa medial të Ramës, pse heshtim kur pronarë të mediave, edhe pasi kanë fituar miliona nga qeveria nuk i paguajnë gazetarët e tyre, kur shkelen të gjitha rregullat e etikës dhe profesionit, kur ende nuk ka një përkufizim të qartë kush është gazetar e kush jo në morinë e fytyrave që gëlojnë ekraneve, etj etj
E cilët u zemëruan më shumë me fjalën e shefit të qeverisë? Dy palë:
Ish – miq të tij të ngushtë, me të cilët ai ka qenë dikur pjesë e lirisë së mediave dhe tani, ndoshta nervozë a xhelozë për rrugën që ndoqi miku i tyre i dikurshëm, u bënë të kundërtit e tij. Shfaqen të zemëruar edhe ata që mund të quhen bosët e mediave, që, ndryshe nga kolegët e tyre, njohin vetëm majën e asaj që është arritur përmes përkuljes së fjalës dhe shkatërrimit të besimit ndaj saj. Këta zemërohen apo bëjnë sikur zemërohen nga vilat luksoze.
Ajo me të cilën duhet të merren këta njerëz të medias, nëse duan vërtet të merren me atë që ka rëndësi është drama e fjalës, fakti që publiku nuk po e beson më median. Kur të rifillojnë të na besojnë nuk ka shef qeverie, që mund të thotë se media është kazan mediatik.
Kur abuzon me të drejtën, ajo kthehet kundër teje, është njëri ndër ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe ndoshta pikërisht nga kjo fillesë e respektit ndaj fjalës duhet nisur për të thënë atë të vërtetë, të saktë dhe pa dhimbje, e cila të besohet nga njerëzit.
Shteti shqiptar ndërkohë duhet të ketë një ligj të saktë se ku është liria jote, qoftë si gazetar, qoftë si njeri, dhe ku mbaron ajo, dmth ku cenon lirinë time.
Ditë më parë, një mik i imi vjenez, njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, më pyeti përse shkruaj herë pas here tek DITA. Cili ishte shkaku? Ka vetëm një arsye, i thashë. Asnjëherë nuk i kanë ndërprerë apo, ruana zot, ndryshuar shkrimet e mia. Dhe, pikërisht pse ka ndodhur kështu, jam i pranishëm.