Romeo Gurakuqi: Shkodra dhe Shteti Protektor

Nga Romeo Gurakuqi –

Në kohën e “Ikjes së Madhe” të pasardhësve të familjeve shkodrane që vendosën themelet e politike dhe kulturore të Rilindjes dhe formimit kombëtar nga qyteti i tyne i zemrës, publikut i vjen nji libër i veçantë, që përmban mesazhe kuptimplote mbi kujtesën historike dhe nevojën korigjuese dhe ripërtëritëse të ish kryeqendrës së Shqipnisë. Albumi HISTORI SHKODRANE NË FOTOGRAFI, i konceptuem dhe i realizuem nga Pjetër Logoreci, asht fryt i nji pune sistematike kërkimore disavjeçare të autorit në disa arkiva të Republikës Federale të Austrisë: në Arkivin e Shtetit Austriak, Arkivin e Bibliotekës Nacionale të Vjenës, Arkivin e Bashkisë së Vjenës, Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Gracit.

Të ecësh besnikërisht sot në udhën kulturore, politike, atdhetare dhe emancipuese të përcaktueme nga nji bashkësi e papërsëritshme qytetarësh dhe intelektualësh të shquem, asht nji sfidë dhe betim fisnik që e ndeshim rrallë në ditët tona. Megjithat, ne e gjejmë atë të konkretizuem në aktivitetin e përditshëm të Pjetër Logorecit. Do të mjaftonte ky album, për të kuptue përkushtimin dhe betimin me veten, që autori ka ba, për me i qendrue rrugës së dikurshme të përsonaliteteve krenare të familjes së tij dhe Shkodrës së njërëzve të urtë, themeluesve të gjuhës së shkrueme shqipe, të shkollës, historisë kombëtare, bazave të politikës albanianiste dhe europianiste, lëvizjes ma të përparueme drejt mevetësimit, konceptimit të shtetformimit dhe jetës politike bazue mbi kushtetutë dhe liri.

Pa e njoftë modelin edukativ familjar dhe komunitar shkodran ku asht formue Pjetër Logoreci, nuk mund të shpjegohet, se si nji emigrant i zakonshëm në dukje, përdor oportunitetin rastësor të rezidencës për 22 vite në Austri, për t’iu kushtue zbulimit nga arkivat e vendit të drejtë protektor të Shqipnisë, të historisë kulturore, politike, sociale të Shkodrës, kryeqendrës tradicionale të Gegnisë, historisë politike të Shqipnisë, njerëzve të shquem të saj që themeluen shtetin.

Asht modeli i dashnisë së pa interes për Shqipninë arbnore të europianizueme, shtysa qe ka udheheqë prej kohëve të errëta të pushtimit otoman, dhjetra e qindra familje shkodrane, në aspiraten dhe lëvizjen për emancipim kulturor, administrativ dhe politik. Janë të njëjtat familje që sfiduan me qendrese të naltë intelektuale, regjimet autoritare të krijueme në vend në vitet 1920, 1930’. Të njëjtat qe nuk u përkulen dhe e sfiduan me urtësi, në heshtje diktaturen e injorantëve gjakatare. Asht pjesa e Shqipnisë së vetëdijshme, minoranca e qytetnueme e dashnise së pa-interes ndaj atdheut, popullit dhe te ardhmes në progres dhe unitet të padallimtë. Asht ajo bashkësi që u nxor jashtë në heshtje dhe me djallëzi, në vitet e tranzicionit prej vendit, duke e dobësue rrugën qytetnuese dhe normalizuese të shtetit. Ajo që sot sheh nga jashtë vatrës labeate, rrugën pa krye dhe pa udhëzim atnor që ka marrë vendi nën lojën e hajdutëve me maska.

Duke ndjekun me mundësitë e tij modeste, udhen e ideatorit të Klubit “Gjuha Shqipe” (1908), autorit të “Historise së Përgjithshme”, delegatit të Shoqnisë «Agimi» në Kongresin e Manastirit, Kryetarit të «Komisis Letrare», Kryeredaktorit të Fletores “Vullneti i Popullit”, 1929-1930, shkrimtarit dhe patriotit në za Mati Logoreci, anëtarëve të tjerë të familjes së vet, ndër të cilët spikat shkrimtari, gazetari i BBC, Anton Logoreci, Pjetri na sjell sot nji libër që duhet «lexue» me kujdes përmes fotove të vendosuna në nji rend tematik dhe kronologjik mjaft mirë të menduem.

Të përpilosh nji vepër për Shkodrën, nuk mund të mos thuash dy fjalë për këtë zhvillim të posaçëm të këtij qyteti, nuk mund të lësh pa shpjegue arsyet e zhvillimit të diferencuem dhe të spikatun, në aspektin e kandit të naltë të konceptimit të Shqipnisë, së lirë, të pavarun dhe të modernizueme. Rrethanat lidhen jo vetëm me faktin se ky qytet ishte ndër ato qendra urbane në Veri që i mbijetoi proceseve ruralizuese në trevat shqiptare gjatë pushtimit otoman, por se me Shkodren lidhet rihyrja graduale e Europës në Shqipni, përmes ndriçimit të vatrave mbijetuese të Arbnisë.

Nji rol të posaçëm në këtë depërtim kulturor dhe rizgjues të popullsisë ka luajtë Austria dhe ma vonë edhe Italia. Duhet të kujtojmë, se Austria, që nga shekullit XVII kishte marrë mbi vete të drejtat e mbrojtjes së katolikëve nën Perandorinë Osmane. Në konceptin e Protektoratit të Kultit përfshiheshin ngritja dhe mirëmbajtja e kishave, arsimimi i klerit dhe mbrojtja e kongregacioneve religjioze në Shqipni. Mirëpo aktivitetin e vet në politikën e shtrirjes drejt Lindjes, Austria nuk e kufizoi vetëm në kufizat komunitare religjioze, por e shtriu për të gjithë popullsinë shqiptare, pavarësisht besimit. Pas marrjes së kësaj të drejte, që në shekullin e XVIII, Austria filloi të hapte konsullatat dhe nën-konsullatat e veta në trevat shqiptare, ndër të cilat, ajo e Shkodrës, zë nji pozicion me randësi të cilësueme.

Gradualisht, për shkak të këtij aktiviteti austriak, filloi gjallërimi i veprimtarisë humaniste, ngritja e institucioneve të arsimit, përkrahja indirekte e zhvillimit kombëtar dhe mbajtja me subvencionime e kuadrit të ri vendas dhe me bursa shkollimi të rinisë. Austria, sidomos që nga Kongresi i Berlinit deri në fund të Luftës së Parë Botërore, e intensifikoi në nivele shumë të nalta këtë aktivitet në drejtim të formësimit arsimor, kulturore dhe mëvetësues të Shqipnisë, nga Shkodra.

Për rivalitet, nga dekada e fundit e shekullit XIX, kësaj veprimtarie iu bashkue edhe Italia. E gjithë kjo veprimtari formësuese edhe u prodhua prej dy fuqive mike dhe rivale, por edhe rastisi me Rizgjimin Kombëtar të Shqipnisë. Falë punës së palodhun të Austrisë, në Shkodër dhe rrethet e saj, u themeluen institutet mësimore dhe kulturore të drejtueme prej Klerit Katolik. Gradualisht, në dekada, në shkollat e etërve Jezuitë dhe Françeskanë, rinia shkodrane, shkollore dhe jashtëshkollore, mori prej barinjve të kishës së financuem me mençuri nga vendi protektor, nji arsimim solid shkencor dhe nji edukatë të naltë morale dhe atdhetare.

Jo vetëm në qytet, por edhe në viset ma të largëta të Alpeve tona, frati shqiptar ndezi kudo votren arsimore dhe kulturore arbnore, duke zgjue atdhedashuninë e ndrydhun prej shekujve të shtypjes mizore dhe duke edukue gradualisht ata që janë quajtun me të drejtë, fatosat e lirisë së ardhshme. Ky tharm i ngjizun prej Austrisë dhe Italisë, nuk prodhoi shërbenjës të politikave të Vjenës dhe Romës, por veç shqiptarë të denjë të pararojës mëvetësuese në fillimin e shekullit të XX. Ishte rrjedhojë logjike e nji programi zhvillimi dhe emancipimi të gjithanshëm të kombit që dilte nga errësina dhe ndeshej para së gjithash, sikurse edhe sot, me penguesit e brendshëm.

Austria nuk mbrojti vetëm Gegninë nga agresioni serb dhe malazias. Edhe kufini i sotëm jugor i Shqipnisë asht sot aty ku asht falë qendrimit të patundun të Austrisë. Albumi i Pjetër Logorecit sjell pikërisht këtë kohë kur Shkodra udhëheq me arritjet e saj, drejton me vizion dhe stekë të naltë Shqipninë Arsimore, Gjuhësore, Letrare dhe kombformuese. Janë vitet, kur mbas shpalljes së Kushtetutës së vitit 1908, liria e parë e arbënve e dalun në dritë vetvetiu, nuk mund të futej ma në errësinë. Janë vitet kur Malësia, Kosova, Mirdita, Labëria dhe e gjithë Shqipnia buçet prej pushkëve të djeljmnisë së saj, të frymëzuem prej flamurit të qendisun nga shkodranët dhe të naltësuem prej Lekëve të Malësisë, të drejtuem prej Ded Gjo’Lulit.

Janë kohët e projektit të autonomisë dhe mëvetësisë, që ringjallën ndërkohë frikërat e krajlëve për të ndalun daljen madhështore në Adriatik të Ilirisë. Këtë kohë të madhe të Rilindjes Kryengritëse (1908-1912), të Qendresës ndaj Krajlëve (1912- 1914), Shtetformimit të parë (1912-1914), Luftës së Madhe (1914-1918) dhe administrimit të lavdishëm austro-hungarez (1916-1918), Pjetër Logoreci, përmes fotove të vendosuna në rreshtim tematik, ua e sjell sot shqiptarëve të injektuem nga historianët e vjetër të regjmit, të paguem ma paratë e Parlamentit aktual.

Në këtë album gjejmë fotografi të realizueme nga grupi i gazetarëve të kuartierit të luftës në Shkoder, por edhe në të gjithë Shqipninë. Skenat e luftës me Malin e Zi, llogoret në Tarabosh, bombardimi i qytetit, pamjet e kishave dhe shtëpijave të shembuna, trupave malazeze në rrugët e Shkodres, do na kthejnë ne, në rrëfimet e gjyshërve tonë mbi kohën e rrethimit 6 mujor të qytetit, tetor 1912 deri në prill 1913. Fotot e delegacjonit të fisnikëve shqiptarë të primë nga Nikollë Kaçorri, në Vjenë, apo të figurave të njohtuna të atdhetarëve shqiptarë, që kanë pasë Lidhje me Vjenën, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi etj., i japin nji mesazh aktual ndërgjegjës sonë të sotme të ç’orientueme, mbi nevojën e nji vendosjeje të qendrueshme përkrah miqve të vertetë të perëndimizimit të Shqipnisë, së ndalun sot në nji kryqëzim të panjohun nga lojcakët e fateve të kombit.

Autori, sipas meje, jo pa qellim, na ka sjellë fotot e mirënjohjes së elitës shqiptare të kohës ndaj Perandorit Franc –Jozef. Bahet fjalë për delegacionin shqiptar që ka shkue me ba homazhe tek vorri i sovranit të vëmendshëm dhe largpamës, por edhe për të përshëndetë e njohtë Kaiserin e ri, Karl, i cili udhëhoqi perandorinë dualiste në dy vitet e fundit të jetës shtetnore. Në këtë album ne do të gjejmë foto-dëshmi të vizitës së Arqidukës Maximilian (pjestar i familjes perandorake), i shoqnuem nga trupat ushtarake austro-hungareze; foto nga ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhës nga ushtarakët austro-hungarezë, në kohën e administrimit austriak të Shqipnisë, kohë që la vulën e vet në rithemelimin shtetnor pas Luftës së Parë Botnore, nga dhjetori 1918 deri në nëntor 1921.

E them këtë sepse në vitet 1916-1918 u hodhën bazat e europianizimit institucional të vendit nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë austriake; gjuha shqipe u ba gjuhë zyrtare për herë të parë në administratën vendase, drejtimi u vendos mbi kriteret e respektimit të hierarkisë intelektuale, konservatorizmi feudal i trashëguem, u zmbraps pakthyeshmërisht, fuqitë ballkanike, që punonin më vendosmëri kundër Shqipnisë për ta destabilizue, u dërrmuen nën goditjet e ushtrisë së perandorisë mike.

Albumi asht jo vetëm nji kujtim i nji kohe të shkueme dhe homazh për brezin e gjyshërve tonë idealistë dhe atdhedashës, por unë e lexoj ate edhe si nji thirrje për të gjithë ne, brezin e sotëm të të mbijetuarve të përsekutimit të komplikuar komunist dhe neokomunist, që të bajmë çfarë kena mundësi për të ndalun tatëpjetën e fundosjes në heshtje të nji kulture krenare dhe identitare. Pjetër Logoreci indirekt dhe me finese ban thirrje për të mos e lëshue vendin, përfaqësinë krahinore dhe qendrore të Shkodrës, në duar servitorësh terminale të politikave asgjësuese të pozicionit parësor të Rozafatit, fatin e vendit në mëshirë të duerve të mbrapshta ,që e kanë kapërthye.

Asht koha e ndërtimit të nji programi politik të mbështetun në traditën dhe në bashkëkohësinë dhe e përdorimit të studiuem të burimeve të kualifikueme intelektuale dhe teknike, që familjet shkodrane kanë formësue në dekadat e fundit, për t’i shërbye si vullnetarë rilindas vendlindjes që lengon dhe therret për ndihmë. Politiko.al

SHKARKO APP