Ruçi në Vjenë: Shqipëria ka vetëm “Plan A” për integrimin
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, merr pjesë në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të BE, e cila zhvillohet në Vjenë, në 8-9 prill.
Konferenca trajton politikat e zgjerimit si edhe përballimin e sfidave të zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Europian.
Në fjalën e tij në Konferencë z. Ruçi ofroi disa argumente që mbështesin vijimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, më specifikisht me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për mbështetjen që BE dhe të gjitha vendet anëtare vazhdojnë t’i japin Shqipërisë për kryerjen e reformave të thella në kuadrin e integrimit evropian.
“Integrimi Europian është e vetmja rrugë për Shqipërinë, pa asnjë alternativë tjetër. Ne nuk kemi plan B. Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në adresimin e pesë prioriteteve kyçe të përcaktuara nga Këshilli Europian, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë, procesin unik e të guximshëm të Vetting-ut, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe në dekurajimin e kërkesave për azil të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE. Prandaj kam besim se edhe raporti i këtij viti i Komisionit do të jetë pozitiv. Zgjerimi duhet të mbetet një atu e pandryshuar e Bashkimit Europian, nje investim për paqen, sigurinë e stabilitetin e të gjithë kontinentit tonë”,- tha kreu i Kuvendit.
Kreu i Parlamentit Shqiptar theksoi se vonesat në procesin e integrimit mund të shfrytëzohen dhe nga aktorë të tjerë. “Ngadalësimi i procesit mund të krijojë hapësira që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë që synojnë të rrisin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në Ballkanin Perëndimor, të dëmtojnë stabilitetin dhe të devijojnë perspektivën e tij europiane. Nuk mund ta fshehim që tashmë ka një prezencë të shtuar të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë te vlerësimi pozitiv për Shqipërinë , bazuar në arritjet tona dhe shpresojmë që meritat e njëjta të shpërblehen me vlerësime e vendime të njëjta për vendet me rezultate të njejta.”, theksoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

KOHA JONË SONDAZH

