Rusia: Kërkesat do përmbushen nga Ukraina ose ushtria jonë
Moska tha sot se Ukraina e ka në dorë t’i japë fund luftës 10 mujore duke pranuar kushtet ruse ose këto do të plotësohen nga vet ushtria ruse. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se lufta merr fund vetëm nëse rikthehet sovraniteti i plotë në të gjithë territorin e vendit. Luftimet më të ashpra po vazhdojnë në rajonin e Donbasit ndërsa banorët në këtë zonë thonë se tani janë mësuar me zhurmën e shpërthimeve. Materiali në vijim sjell detajet.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha për mediat shtetërore se i takon qeverisë ukrainase të përcaktojë se sa do të vazhdojnë luftimet në Ukrainë.
Agjencia e lajmeve ruse Tass citoi zotin Lavrov duke thënë se Ukraina “mund të ndalojë rezistencën e pakuptimtë në çdo moment”.
Ai shtoi se nëse Ukraina nuk i plotëson kërkesat e Rusisë, “çështja do të vendoset nga ushtria ruse”.
Por autoritetet ukrainase e kanë bërë të qartë se pranimi i kërkesave ruse nuk do merren parasysh.
“Rusia duhet të përballet me realitetin. Ukraina do të çmilitarizojë Federatën Ruse deri në fund, do të dëbojë pushtuesit nga të gjitha territoret e okupuara”, shkroi të martën në Twitter, këshilltari i presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak.
Në videon e publikuar mbrëmjen e së hënës, presidenti ukrainas, Volodomyr Zelenskyy foli për situatën e vështirë në vijën e frontit në rajonin e Donbasit, të cilat siç tha ai, “kërkon forcë dhe përqendrim maksimal”.
Në këtë rajon, një ndërtesë e madhe banimi u dogj në qendër të Bakhmutit ndërsa zhurma e bombardimeve bëri jehonë në të gjithë qytetin.
“Ju disi mësoheni me shpërthimet. Më parë, kur dëgjonim goditjet, unë përkulesha dhe bija në tokë sepse njerëzit thoshin se duhet të uleni në tokë menjëherë. Por, tani as nuk shikojë më se çfarë po ndodh dhe ku ka goditje. Kështu jemi bërë tani. Por, megjithatë, unë dua të bëj një jetë normale”, thotë banorja 73 vjeçare e Bakhmutit, Pileheia.
Disa banorë të mbetur, kryesisht të moshuar, thanë se ata përjetojnë shpërthime, shkatërrime dhe bombardime çdo ditë në qytetin që gjendet në vijën e parë të frontit në Donbas.
“Është shumë e vështirë. Ata fluturojnë mbi shtëpitë tona. Unë po kujdesem për një grua 72 vjeçare dhe me aftësi të kufizuara, e ndihmoj me ushqime. Nuk e braktis një person të tillë, ajo mezi ecën”, tha banori tjetër i Bakhmutit, Mykhailo.
“Shtëpia jonë është shkatërruar. Kishte një dyqan në ndërtesën tonë, tani nuk është më. Unë kam mbetur i vetmi nga e gjithë ndërtesa. Të gjitha dritaret janë hedhur në erë. Nuk ka as ngrohje”, thotë banori 85 vjeçar i Bakhmutit, Oleksandr.
Presidenti ukrainas Zelensky falënderoi forcat ukrainase që “mbajnë fort pozicionet e tyre, dhe që megjithatë po arrijnë jo vetëm për të mos territor, por edhe për të dëbuar pushtuesit”./VOA/