Sali Berisha në takimin me emigrantët në Romë: Vota juaj ka rëndësi për të ardhmen historike të kombit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim me shqiptarët në Itali. Në fjalën e tij para emigrantëve, ai falënderoi Italinë për ndihmën që i ka dhënë kombit shqiptar.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takimin me shqiptarë që jetojnë në Itali, në kuadër të votës së diasporës dhe zgjedhjeve të 11 majit, i ka bërë thirrje diasporës t’i dalin për zot vendit.
“Udhëtimi drejt emigracionit, është udhëtim drejt dhimbje, sakrificës e mallit, atyre që e nisën jetën e tyre nën zero, që u ndanë me lot me nënën të pasigurt nëse do t’i gjenin ndonjëherë tjetër.
Por është udhëtim i njerëzve dhe triumfojnë dhe mposhtin çdo vështirësi.
Jam besimplotë tek ju për të ndarë me ju rreziqet e mëdha me të cilat përballet vendi ynë.
Çdo patriot i lindin nënat për të dashur Shqipërinë. Erdha me bindjen se çdo shqiptar i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë.
Kryeministri mund të quhej Toto Rino, El Chapo. Nëse ai merr një mandat tjetër, Toka e Zotit e bukura e dheut do shuhet, do bëhet vend i krimit dhe bandave”, tha ai.
Një falënderim Berisha kishte edhe për autoritetet italiane, ndërsa u ndal tek Silvio Berluksoni, për të cilin tha se mbetet i pavdekshëm.
Berisha kujtoi bisedat me ish kryeministrin italian, që sipas tij sa herë e takon i thoshte “se me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer”
“Në 34 vitet fundit Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme. Italia është vendi ku shqiptarët mësuan më shumë se kudo tjetër.
Ndaj dhe unë duhet të përulem para këtij kombi mik, para të gjithë italianeve që pritën shqiptarët. Një mirënjohje të veçante kam për autoritetet e këtij vendi. Nuk harroj kurrë takimet e mia me Silvio Berluskonin. Në cdo takim do të më thoshte Sali me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer. Me qeverinë italiane kemi firmosur dhjetëra e qindra marrëveshje”, tha Sali Berisha, i cili premtoi se kur të vijë në pushtet do të kenë shumë projekte të tjera me Italinë.
Pjese nga fjala e Berishes
Së pari përshëndetjet më të përzemërta për ju emigrantë shqiptarë të pranishëm në këtë sallë.
Për shqiptarët dhe miqtë e tyre italianë kudo që ndodhen sot në tërë Italinë.
Për prindërit dhe familjet tuaja në Shqipëri.
Mirënjohje të pakufishme për praninë tuaj.
Një falënderim dhe mirënjohje të përzemërt miqve tanë italianë, deputetes së Forza Italia, zonjës Erika Maseti.
Mikut tim, deputetit Aleksandro Batilokio.
Ish-senatorit dhe gazetarit të shquar italian Antonio Razi.
Mikut tim Pepe Leone.
Një falënderim shumë të madh për pritjen vëllazërore, nderimet e mia më të pakufishme, më të përzemërta, më të flakta.
Të dashur miq, lidhje të hershme tradicionale trashëgojnë dy popujt dhe dy vendet tona mike.
Arbëreshët në pesë shekuj ekzistencë, falë dashurisë së tyre për dheun mëmë dhe dashamirësisë së vendasve arritën të ruajnë gjuhën, identitetin dhe kulturën e tyre kombëtare.
Por jo vetëm kaq, ata i dhanë këtij kombi personalitete të shquara, kryetarë qeverie, guvernatorë, ministra, ambasadorë, poetë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë.
Kjo diasporë në Itali do të ishte dhe djepi i rilindjes tonë kombëtare.
Pas rënies së Perdes së Hekurt, si ajo pas vdekjes së prijësit tonë të përjetshëm, Skënderbeut, një valë më e madhe emigracioni do të mërgonte në Itali. Një gazetar italian në atë kohë foli për njerëz që vijnë nga një popull fantazëm. Nuk do motivet për të cilat ai e tha atë, por di që ai pothuajse nuk ekzagjeroi asgjë.
Sepse ne në atë kohë ishim njerëzit më të rraskapitur të planetit nga diktatura staliniste e kasaphanës së luftës së klasave, nga tirania e hiperkolektivizimit dhe mjerimit, nga diktatura e izolimit dhe indoktrinimit.
Por miqtë e mi, ata shqiptarë fantazmë të asaj kohe dhe të tjerë që mbërritën më vonë, me sakrifica, punë, ndershmëri, mençuri, devocion, u dëshmuan në këtë vend punëtorë të aftë, sipërmarrës të suksesshëm, partnerë luajalë, studentë të shkëlqyer, artistë, shkencëtarë, këngëtarë të mëdhenj që me suksesin e tyre, në dheun e tyre krenohet kombi italian, krenohet kombi shqiptar.
Zoti i bekoftë Italinë, këtë komb të madh.
Në 34 vitet e fundit, Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme që shkon në miliarda euro.
Italia është vendi ku shqiptarët mësuan se kudo tjetër. Shqiptarët sollën në vendin e tyre me mijëra të reja me të cilën transformuan Shqipërinë.
Ndaj dhe unë dua të përulem me mirënjohjen më të madhe para këtij kombi mik, para të gjithë italianëve që pritën, punësuan dhe punojnë me shqiptarët.
Një mirënjohje të veçantë kam unë për autoritetet shtetërore të këtij vendi, nga Andreoti tek i pavdekshmi Silvio Berluskoni. Nga Tatarela tek Fini, Butilione e presidenti Tajani e miqtë e mi në Forza Italia.
Nuk harroj kurrë takimet e mia me Silvio Berluskonin. Në çdo takim do më thoshte, Sali, me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer.
Me qeverinë italiane kemi firmosur qindra marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat, por kemi ndërmarrë edhe sipërmarrje me rëndësi strategjike për Europën siç është gazsjellësi TAP. Projektet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha.
Rreziqet tona janë ekzistenciale, çdo shqiptar duhet të dijë se një mandat i katërt për Edi Ramën, i cili në 10 vite përzuri nga Shqipëria 45 perqind të shqiptarëve vetëm në hapësirën e BE, 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Në një mandat tjetër, Shqipëria nuk do ekzistojë.
Shqipëria do shndërrohet në tokën e kriminelëve, bandave, trafikantëve.
Toka e Zotit, e bukura e dheut do shuhet nga faqja e tij.
A do pranojmë ne? Kurrë një gjë të tillë!
Një burrë i madh i kombit amerikan, Tomas Pejn u tha qytetarëve të vet, patriot do të thotë të ngrihesh kundër qeverisë tënde kur ajo shkelmon interesat e vendit tënd.
Sot, çdo shqiptar që e ndjen veten patriot duhet të ngrihet kundër këtij qeveritari që po shkatërron farën tonë, kombin tonë.
Miqtë e mi, një nga publicistët më të mëdhenj gjermanë, Majkëll Martens, shkruan se Edi Rama është kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit. Po, sepse në planet dhe verbërinë e tij, ultranacionalizmi serb nuk ka pasur qëllim tjetër përveç spastrimit të shqiptarëve.
Po ku ka ndodhur në historinë tonë kombëtare që në 10 vite të largohen nga Shqipëria mbi 45 përqind. A e dini se në Luftën e Dytë Botërore, kombi polak ka humbur 20 përqind të popullatës?
Kurse shqiptarët në një gjenocid të butë të ushtruar në Edi Rama, humbasin në 10 vite, 45 përqind të materies së tyre.
Ndaj dhe thirrja ime për çdo shqiptar, mos harro kurrë se ke lindur për të dashur dhe mbrojtur Shqipërinë dhe sot kjo thirrje është me 11 maj, të votojmë për të shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e këtij Pashiqi që nuk ka asgjë shqiptare.