Senatorët amerikanë takuan në Tiranë lideren e opozitës iraniane Marjam Rajavi
4 senatorët amerikanë erdhën në Shqipëri për një takim me lideren e opozitës iraniane Marjam Rajavi. Pavarësisht takimeve të kortezizë me Ramën, Bashën dhe Metën, duket se qëllimi i vërtetë i senatorëve ka qenë një mesazh për klerikët në pushtet në Iran.
“Huffington Post” zbardhi takimin me lideren e opozitës iraniane, Mary-am Rajavi, që drejton Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (KKRI), duke e konsideruar këtë një takim të rëndësishëm që paralajmëron sanksione të tjera për Iranin.
Në takimin me senatorët Roy Blunt, John Cornyn, Tom Cotton dhe Thom Tillis, liderja e opozitës iraniane i ka falënderuar senatorët për ndihmën që kanë dhënë SHBA-të për zhvendosjen e sigurt të këtij grupimi në Tiranë.
KKRI është një koalicion politik që bën thirrje për ndryshimin e regjimit në Iran dhe shihet si një kërcënim i mullahëve të Teheranit. Kjo është një tjetër vizitë e profilit të lartë, ndërsa në prill ishte senatori John Mcain që vizitoi opozitën iraniane në Shqipëri. Kjo vizitë vjen në kohën kur Uashingtoni ka lajmëruar sanksione të reja ndaj Iranit për testimet balistike dhe mbështetjen ndaj terrorizmit. Takimi, në një nga qendrat e MEK në Shqipëri, u iniciua nga senatori Roy Blunt, ndërsa delegacioni ishte në një vizitë në Shqipëri. I udhëhequr nga senatori Blunt, delegacioni uroi zhvendosjen e sigurt të të gjithë banorëve të kampit “Liberty” jashtë Irakut, dhe u uroi atyre sukses në luftën e tyre për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Iran. Maryam Rajavi falënderoi senatorët për pozitën e tyre vendimtare ndaj regjimit iranian, veçanërisht miratimin e një rezolute të re, e cila impononte sanksione ndaj regjimit klerik dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për abuzimet e të drejtave të njeriut, programin e raketave balistike dhe eksportin e terrorizmit.
Biseda
Maryam Rajavi shprehu mirënjohje për përpjekjet e Senatit amerikan, veçanërisht senatorit Blunt, lidhur me mbrojtjen e mijëra anëtarëve të MEK-ut në kampin “Liberty”, Irak, dhe zhvendosjen e tyre të sigurt në Shqipëri. Delegacioni i Senatit u takua edhe me një numër anëtarësh të MEK-ut, si dhe me dëshmitarë dhe viktima të mizorive të regjimit iranian në Iran dhe kampeve “Ashraf” dhe “Lirisë”.