Shembull frymëzues nga Zall-Herri: Mehmet Kadiu, fermeri që ktheu pasionin në zhvillim rural
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka ndarë me ndjekësit e saj një histori frymëzuese nga fshati Çerkezë në Zall-Herr, ku Mehmet Kadiu ka ndërtuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit bujqësor, duke treguar se si pasioni, përkushtimi dhe mbështetja institucionale mund të kthehen në kapacitete reale për gjenerimin e ekonomisë rurale.]
Në postimin e saj në rrjetet sociale, ministrja Denaj ka vlerësuar përkushtimin e Kadiut në mbarështimin e gjedhëve, duke theksuar se ai kujdeset me pasion për tufën e tij me rreth 22 lopë, një aktivitet që jo vetëm mbështet ekonominë e familjes së tij, por kontribuon edhe në zhvillimin lokal.
“Qumështi i freskët dhe cilësor që prodhon çdo ditë shkon në baxhot e zonës, ku përpunohet dhe shndërrohet në produkte cilësore Made in Albania, duke rritur vlerën e produkteve shqiptare,” shkruan Denaj, duke nënvizuar rëndësinë e zinxhirit të prodhimit dhe përpunimit në rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë vendase.
Mehmet Kadiu është përfitues prej gjashtë vitesh i Skemës Kombëtare të Subvencioneve për mbarështimin e gjedhëve, një mbështetje që i ka mundësuar të zgjerojë dhe forcojë aktivitetin e tij blegtoral. Por ajo që e bën këtë histori edhe më të veçantë është fakti se pasioni për bujqësinë është trashëguar te dy djemtë e tij, të cilët janë kthyer nga Anglia për të punuar në vendlindje dhe për të vazhduar traditën familjare.

Ky shembull tregon se investimi në bujqësi nuk është thjesht një çështje ekonomike, por një akt që lidh brezat, forcon komunitetin dhe rikthen besimin te potenciali i tokës shqiptare. Ministrja Denaj ka theksuar se mbështetja për fermerët si Mehmet Kadiu do të vijojë, si pjesë e vizionit për një bujqësi të qëndrueshme dhe konkurruese.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

