Shënohet viktima e 10 nga COVID19, ndërron jetë 67-vjeçari. Pas orës 13:00 vendi në izolim total

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19.
67-vjeçari me inicialet Ll. N. ishte prej 10 ditësh i sëmurë dhe po trajtohej prej katër ditësh në terapi intensive në gjendje të rënduar, i intubuar. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacienti që vuante nga hipertensioni, nuk arriti të mbijetojë.
67-vjeçari është viktima e dhjetë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Mbrëmjen e djeshme ndërroi jetë një paciente nga Vlora, me inicialet L. M., e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv dhe në dy ditët e fundit në terapi intensive në gjendje të rëndë.

“Ju informojmë se pacientja që rezultonte në kartelën e spitalit infektiv në moshën 52 vjeçare, sikundër u raportua mbrëmjen e djeshme, pas verifikimeve me gjendjen civile, është 72-vjeçare”,- njofton ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë qeveria ka shruar masat për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Edhe kjo fundjavë ashtu si ajo e kaluara do të kalojë në izolim total. Nga ora 13:00 e ditës së sotme (e shtunë 28 mars), dhe deri të hënën në orën 05.00 të gjithë do të qëndrojnë në shtëpi dhe të gjithë qepenat do të jenë mbyllur.

Ndërkohë kryeministri Rama njoftoi dje se nga e hëna askush nuk del dot më në pazar, pa marrë lejen digjitale me e-mail ose telefon në emër të familjes

Kryeministri tha se është gati aplikacioni online ose me sms për leje-daljen e vetëm një personi nga familja për të bërë pazar. Pas pak do të bëjmë prezantimin e aplikacionit që është shumë i thjeshtë dhe nga e hëna e deri në mbarim të luftës, do të jetë e vetmja rrugë për të dalë nga shtëpia në Tiranë e në qendrat urbane.

Një model të ngjashëm ndoqi edhe Kina përgjatë epidemisë, ku vetëm një anëtar i familjes lejohej për të bërë pazar një herë në tre ditë. Aktualisht në Shqipëri janë 186 persona të infektuar, prej tyre 10 kanë humbur jetën dhe 31 janë shëruar. 77 pacientë ndodhen në spitalin infektiv, 5 janë në terapi intensive.

SHKARKO APP