Shqipëria e Samiut dhe e sotmja, Manjani: Edvini braktis perëndimin për turqit, grekët e serbët

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka bërë një reflektim të situatës në të cilën ndodhet Shqipëria përmes fjalëve të Sami Frashërit, të cilat sipas tij ende sot janë të njëjta për gjendjen ku është vendi. Teksa kujton fjalët që Shqipëria duhet të kërkojë miqësinë e perëndimit dhe jo të fqinjëve turqë, serbë e grekë, ish-ministri thotë se kreu i qeverisë ka brakisur perëndimin. ”Shqiptarët jetonin me plaçkë lufte si ushtarë të ushtrisë turke dhe me të ardhura nga puna në emigracion. Njësoj dhe sot, me ndryshimin që lufta është trafiku i drogës. Shteti (taksidarët) bësheshin bashkë me hajdutët e kusarët për të vjelë me pahir taksat e pa përballueshme të shqiptarëve të ndershëm”,-shkruan ndër të tjera Manjani.

Postimi i plotë

Shqipëria e Sami Frashërit dhe e sotmja. Shqipëria sot ngjan njësoj me atë që përshkruan Sami Frashëri në kapitullin “Shqipëria ç’është”, të kryeveprës së Tij “Shqipëria c’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë”. E njëjta mendësi, e njëjta sjellje, të njëjtat probleme si në Shqipërinë e Samiut 1899, ashtu dhe në të sotmen. 2 000 000 shqiptarë jetonin në trojet e Shqipërisë dhe 1 000 000 jashtë tyre. I njëjti raport edhe sot. Mesa duket nuk mban më shumë njerëz kjo tokë, e cila është më zvogëluar në kufinj sesa ajo e kohës së Samiut.

Shqiptarët jetonin me plaçkë lufte si ushtarë të ushtrisë turke dhe me të ardhura nga puna në emigracion. Njësoj dhe sot, me ndryshimin që lufta është trafiku i drogës. Shteti (taksidarët) bësheshin bashkë me hajdutët e kusarët për të vjelë me pahir taksat e pa përballueshme të shqiptarëve të ndershëm. Njësoj si sot. Po idem, idem.

Shqipëria duhet të kërkojë miqësinë e perëndimit dhe jo të fqinjëve turqë, serbë e grekë, konstaton Samiu. Mesa duket edhe stëherë ka patur shqiptarë si Edvini që brakisin perëndimit për tu bërë tok me turqët, grekët e serbët. Sot Shqipëria zyrtare ka braktisur rrugën e schengen për tu ngulur në atë të minischengen ku fiton Serbia…

Edhe gjuha shqipe vijon të jetë e rrezikuar, njësoj si në 1899. Deformimi i fjalëve shqip; letërsia e varfër në fjalor; arsimi shqip drejt degjenerimit; analfabetizmi që kërcënon janë shenja të vitit 1898. Nuk e dimë as ne, siç nuk e gjeti dot as Samiu, se “çdo të bëhet” me Shqipërinë. Por qartësisht e dimë se ç’është, ashtu siç e përshkruan dhe Samiu në atë kohë, përshkrim që vlen dhe në këtë kohë. Njësoj…

SHKARKO APP