Situatë e rënduar në hidrocentralet e Veriut, janë hapur portat e shkarkimit

Prej 24 orësh tre hidrocentralet më të mëdhenj të vendit, që gjenden në Kaskadën e Drinit, kanë hapur portat e shkarkimit për shkak të reshjeve të shumta që kanë përfshirë gjithë zonën veriore të Shqipërisë. Ndërkohë, tre hidrocentralet e kaskades, ai i Fierzës, Komanit dhe Vau Dejës, po punojnë me kapacitet maksimal duke shkarkuar edhe ato sasi të mëdha uji. Sipas Institutit të Gjeoshkencës, gjatë 24 orëve të fundit, në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës kanë rënë mesatarisht 65 milimetra shi, ndërsa në atë të Fierzës rreth 30 milimetra. Kjo ka ndikuar në rritjen e shpejtë të nivelit në basenet e këtyre hidrocentraleve. Gjithashtu, në zonën e Alpeve; në Theth dhe Valbonë, sasia e reshjeve ka arritur pikën kritike me mbi 120 milimetër shi.

Aktualisht, niveli i ujit në Liqenin e Fierzës, më i madhi në Shqipëri, është në kuotën e rreth 289 metrave, vetëm 7 metër nga kuota maksimale, ndërsa në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit ka arritur në 166 metra dhe në Vau Dejës në mbi 72 metër.

Hidrocentrali i Vaut të Dejës, i cili gjendet vetëm 15 kilometra nga qyteti i Shkodrës, po përballon për momentin prurjet më të mëdha, duke detyruar specialistët e KESH-it të rrisin nivelin e shkarkimeve më shumë se 600 metër kub ujë në sekondë nga tuneli i Digës së Qursaqit.

Sipas emergjencave civile, deri tani nuk ka probleme në zonën e Nënshkodrës, në Lezhë dhe as në Kukës, por Ministri i Mbrotjes Niko Peleshi paralajmëroi se, gjatë orëve të mbrëmjes dhe në vazhdim, situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë për shkak të reshjeve me intensitet shumë të lartë.

“Prurjet në Kaskadën e Lumit Drin do të pësojnë rritje prej mëngjesit të ditës së sotme dhe do të vijojnë në rend rritës deri në datën 21 janar për shkak të rikthimit të reshjeve të shiut me intensitet të lartë. Piku orar i prurjeve pritet të arrijë deri në vlerat: për Fierzën deri në 2500 metër kub në sekontë, në Koman 2200 metër kub në sekontë, në Vau i Dejës 1100 metër kub në sekontë. Sipas llogaritjeve të modelit meterologjik, në Lumin Drin piku i orarit të prurjeve totale, gjatë këtij eventi hidrologjik, pritet të arrijë deri në 5800 metër kub në sekontë”.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga bashkitë marrjen e masave të nevojshme për njoftimin e popullatës së rrezikuar si dhe rritjen e gatishmërisë për hidrovoret, rezervuaret, infrastrukturën rrugore dhe furnizimin me energji elektrike dhe ujë për banorët.

Reshjet dhe shkarkimet e detyruara nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit thuajse çdo vit rrezikojnë me përmbytje zonën e Nënshkodrës dhe Lezhës, duke shkaktuar dëme të medha për ekonominë e mijëra familjeve, por edhe për mjedisin./VOA/

SHKARKO APP