Skemë mbështetjeje për bujqësinë dhe sipërmarrjet në fshat, Rama: Financim 250 milionë euro
Kryeministri Edi Rama ishte sot pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.
Rama e cilësoi këtë skemë si një hap cilësor për rritjen e eksporteve bujqësore, me synimin për të arritur vlerën e 1 miliard eurove deri në vitin 2030.
“Arritja e objektivit prej 1 miliard eurosh kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, që do të vijë përmes rritjes së volumit të sipërmarrjes në fshat. E domosdoshme kjo për Shqipërinë në BE, ku sfida e konkurrencës dhe përshtatjes me rregulla e standarde edhe më të larta është shumë e madhe.
Mund tu themi sot të gjithë atyre që kërkojnë më shumë financim në bujqësi, se norma e interesit do të jetë shumë tërheqëse, dhe ne nga ana tjetër me të gjithë dijen e fituar nga puna e madhe që na ka dhënë 500 projekte falë ndërveprimit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, do të mund t’u gjendemi pranë fermerëve që të rrisim me një shpejtësi më të madhe se sa deri më sot, volumin e financimeve për të arritur 1 miliard euro eksport. Kjo bëhet që të arrihet të vendoset edhe bujqësia në njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme në Shqipëri si anëtar i vogël në madhësi por dinjitoz në performancë, në BE”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

