Spahiu: 25 prilli referendum kundër Ramës, LSI rikthen besimin brenda kombit

Përparim Spahiu, kandidat për deputet nga radhët e LSI-së, thotë për median kosovare “Demokracia.com” se Rilindja dhe kryeministri Edi Rama kanë qenë kampionë të propagandës, duke paralajmëruar përmbysjen e pushtetit tetë-vjeçar të PS-së. Ai është i bindur në fitoren e LSI-së pasi ka program të qartë për ndryshimin rrënjësor të gjendjes ekonomike të shqiptarëve.

Demokracia.com: Z. Spahiu, më 25 prill shqiptarët do të votojnë në zgjedhjet parlamentare. Si i cilësoni ju këto zgjedhje, pas tetë vjetëve në pushtet të Partisë Socialiste?

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit janë cilësuar në radhë të parë një referendum popullor kundër klikës korruptive në fuqi, e cila në rastin më të mirë, i ka mbajtur shqiptarët në stagnim në 8 vitet e fundit. Rilindja dhe kryeministri Edi Rama kanë qenë kampionë të propagandës, por kur vjen puna tek bilanci i punës, kanë pak ose aspak për të treguar. Nuk do të gjesh në Shqipëri një vepër publike, a një të mirë madhore që ka për autorësi Partinë Socialiste dhe qeverinë e drejtuar nga Rama. Asfaltimi i disa shesheve në qytete të ndryshme të vendit është i pamjaftueshëm për të pasur guximin e kërkimit të një mandati të tretë qeverisës. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që, së paku mandati i dytë i Edi Ramës ishte periudha e degradimit të një qeverisjeje që pa si shpëtim shndërrimin në autokraci. E them këtë sepse, nëse në mandatin e parë partitë e tjera të koalicionit, duke përfshirë LSI-në, shërbyen si kontrollor për cilësinë e qeverisjes, gjatë 4-vjeçarit të fundit nuk u bë as edhe një përpjekje formale për të qeverisur mirë. Ekonomia është në regres, demokracia është goditur rëndë përmes censurës dhe mungesës së transparencës, ndërsa shteti ligjor është zhytur keq duke marrë me vete disa institucione të pavarura, të cilat mezi po përpiqen të funksionojnë sërish si Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Për të gjitha sa më sipër, 25 prilli është dita kur shqiptarët ndahen përfundimisht me një model qeverisës ku pushteti nuk i ka takuar qytetarit, por oligarkut dhe pushtetarit.

Demokracia.com: Çfarë prisni ju nga këto zgjedhje dhe çfarë presin qytetarët e Shqipërisë?

Perparim Spahiu: Mbi të gjitha, pres që zgjedhjet të nxjerrin mesazhin se një vend i lirë si Shqipëria nuk mund të mbahet peng dhe se populli, kur i vjen ora e mundësisë, di të marrë fatet e veta në dorë. Pres gjithashtu, që këto zgjedhje të tregojnë se sado para e pushtet të kesh, populli nuk mund të blihet. Sado që Rilindja po përpiqet me kriminelë, administratë të militantizuar dhe para të pistë që të mbajë pushtetin me zor, kjo nuk mund të zgjasë shumë. Ndaj, pres që shqiptarët të ngrihen për të mbrojtur veten e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, pres që shqiptarët të tregojnë dinjitet dhe karakter, presin që votuesi të tregojë se di ta ndajë të mirën nga e keqja. Pres të jepet mesazhi se e keqja nuk e ka rrugën e gjatë, nuk mund të mbijetojë në pafundësi. Pres ndryshim, i cili do të ndodhë dhe jo thjesht rotacion politik.

Demokracia: Cili është vizioni i LSI-së për këto zgjedhje?

Perparim Spahiu: LSI vjen në këto zgjedhje jo vetëm si parti me eksperiencën e disa proceseve zgjedhore të kaluara mbi shpatulla, por si një ofertë politike e cila ka treguar se di ta vlerësojë shtetin ligjor dhe demokratik. LSI dhe lidershipi i saj nuk kanë njehsuar kurrë drejtimin e partisë me shtetin, nuk u ka marrë koka erë si kryeministrit të sotëm. Ne kemi një program të qartë për ndryshimin rrënjësor të gjendjes ekonomike të shqiptarëve, ku punësimi i mirëpaguar dhe axhenda e mirëpërcaktuar europiane janë objektiva të realizueshëm dhe ndihmojnë si në planin personal, ashtu edhe në atë publik.

Demokracia: Si kandidat për deputet, çfarë i ofroni qytetarëve të Tiranës?

Perparim Spahiu: Gjatë javëve dhe muajve të fushatës kam takuar me mijëra njerëz. Shumë prej tyre na mbështesin, të tjerë kanë dashur të dëgjojnë ofertën tonë politike për të na besuar. Shqipërisë ne i ofrojmë një forcë politike e cila nesër në qeverisje do të jetë një forcë e përgjegjshme që do ta dëgjojë zërin e qytetarit. Ne kemi një program të qartë në bazë të të cilit qëndrojnë pesë prioritete të premtuara të zbatuara në pesë muajt e parë të qeverisjes por dhe taksimin e sheshtë 9%, i cili besojmë do t’i japë një hov tjetër ekonomisë.

Demokracia.com: Pse duhet t’ju votojnë juve qytetarët e Tiranës?

Perparim Spahiu: Personalisht jam një deputet i cili nuk mban distancë me elektoratin, por kam një mënyrë të të bërit politikë ku qytetari është i pari. Mund të duket si klishe, por nuk është. Në qendër të çdo aksioni politik është qytetari dhe nëse një vendim nuk i bën mirë dhe nuk i vjen për shtat secilit individ, ai nuk mund t’i vlejë publikut. Në radhë të parë, qytetarëve të Tiranës unë i ofroj një mik, të cilin do ta kenë në krah për çdo problem a shqetësim.

Demokracia.com: Marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave, Rama dhe Kurti, nuk kanë qenë gjithmonë të mira. Si i shihni marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën? A ka hapësirë për bashkëpunim më të thellë?

Perparim Spahiu: Unë dua që marrëdhënia e Edi Ramës dhe Albin Kurtit të jetë e mirë. Dua që marrëdhënia e Ramës me Isa Mustafën të jetë e mirë. Dua që marrëdhënia e Ramës me Vjosa Osmanin të jetë e mirë. Dua që marrëdhënia e tij me Hashim Thaçin të jetë e mirë. Por, fatkeqësisht, për shkak të të njëjtit individ, marrëdhëniet mes lidershipit politik Shqipëri-Kosovë vitet e fundit nuk ka qenë më i miri. Kjo ka ndodhur për shkak të një personi të vetëm, për shkak të një megalomani i cili mendon që mund të jetë “babai i gjithë shqiptarëve” duke harruar detyrën funksionale. E vërteta është që, në 30 vitet e fundit, marrëdhënia Shqipëri-Kosovë ka shënuar pikën më të ulët gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Paternalizmi i tij dhe një ndjesi qesharake superioriteti, e ka vënë në pozicion të vështirë Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në tërësi. Kjo është fatkeqe. Interesi kombëtar duhet të mbizotërojë mbi çdo interes momental politik. Lidershipi i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të rikthejë Shqipërinë në rrugën e Europës dhe do të rehabilitojë marrëdhënien e krisur me pjesën tjetër të kombit. Kosova është “pengu” i Shqipërisë dhe në kuptimin historik, Shqipëria i ka borxh Kosovës dhe jo e kundërta. Jam optimist, ditë më të mira do vijnë për shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Demokracia.com: Çfarë porosie keni për votuesit kosovarë, me të drejtë vote në Shqipëri?

Perparim Spahiu: E kam të vështirë të imagjinoj një votues nga Kosova që të votojë për Edi Ramën më 25 prill. Indiferenca patologjike që Rama dhe sivëllezërit e tij kanë ndaj Kosovës në tërësi është e dukshme. Përtej etiketës formale, largimi i Edi Ramës do t’i bënte mirë rehabilitimit të marrëdhënies mes dy vendeve. LSI dhe opozita e bashkuar kanë një plan të qartë zhvillimi. Nëse Shqipëria zhvillohet, kjo i bën mirë shqiptarëve kudo qofshin. Ndaj 25 prilli është njëkohësisht edhe mision për riinstalimin e besimit brenda kombit.

SHKARKO APP