Strategjia e PD, Bylykbashi: PS, skemë siciliane me blerjen e votave të familjeve
PD prej kohësh po i mëshon fort nevojës për hartimin e një reforme qe ajo e konsideron edhe me te rëndësishme se ajo ne drejtësi, reformën zgjedhore.
Për këtë arsye ajo tani ne duar një strategji zyrtare e cila synon të shmangë paranë kriminale të drogës dhe korrupsionin shtetëror në zgjedhje.
Kur kanë mbetur 9 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve politike, Oerd Bylukbashi në një interviste ekskluzive për Ora News rendit pikat ku mbështetet kjo strategji.
Votimi elektronik padyshim mbetet shtylla kryesore për të vijuar me shpalljen e shitblerjes se votës si vepër korrupsioni që për pasojë do hetohej nga Prokuroria Speciale e emërtuar SPAK, pavarësisht nga vërejtjet që ka opozita tani për mënyrën e ngritjes se saj.
Një prej çështjeve të tjera që trajton strategjia e selisë blu për zgjedhjet lidhet me financimin e fushatave, për të cilën mendon se duhet të jetë 100% nga buxheti i shtetit.
Intervista e plotë:
Zoti Bylykbashi, PD ka një linjë të dytë shumë të fortë përveç asaj të reformës në drejtësi në këtë kohë që po mban në fokus, madje reformën zgjedhore e bashkangjiti në një moment të caktuar si kusht për reformën në drejtësi. Si ka evoluar strategjia e Partisë Demokratike, e opozitës për reformën zgjedhore dhe çfarë po ndodh aktualisht me këtë reformë 9 muaj para zgjedhjeve politike?
Së pari duhet thënë që Shqipëria është në një vonesë të jashtëzakonshme në lidhje me trajtimin e problemit të zgjedhjeve. Janë dy palë rekomandimi, të vitit 2013, të OSBE-ODIHR dhe ato të një viti më parë për zgjedhjet lokale. Është detyrim i qeverisë në kuadër të OSBE-së të trajtojë rekomandimet. Sa ka ardhur në qeveri Rama është thyer një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë, që të trajtojë këto rekomandime për zgjedhjet. Fakti që raporti i ODIHR për herë të parë që nga viti 2003 përmend të paktën tre standarde të OSBE-së të shkelura në mënyrë të hapur përfshirë lirinë e votuesit për të votuar pa presion, të drejtën e kandidatit për të kandiduar në mënyrë të barabartë apo ç’bërjen e ndarjes midis shtetit dhe partisë për shkak të përdorimit të burimeve të qeverisë. Me planin që ka për të përdorur një sasi të jashtëzakonshme parash që vijnë nga droga dhe korrupsioni, Edi Ramës nuk i intereson. Bërja e një reforme zgjedhore është një urgjencë shumë e madhe politike e vendit për shqiptarët pa diskutim e opozitës. Ne e kemi ngritur si një nga reformat kryesore edhe në raport me reformën në drejtësi sepse është themeli që legjitimon pushtetin. Dhe janë zgjedhjet e 2013 apo ata që rikonfirmuan kriminelë në krye të bashkive të Edi Ramës të cilët jo vetëm qeverisin shqiptarët dhe duke ndenjur në arrest në shtëpi siç është rasti i Kavajës, por kriminelë me damkë, kanë firmosur projektligje për reformën në drejtësi. Kjo është standardi zgjedhor që ka sot Edi Rama. Kështu që në këtë kuadër, Partia Demokratike ka kërkuar me formë funksionimin e këtij komisioni, ka paraqitur një platformë shumë të detajuar”
Pra po flasim për një komision që u paraqit në fillim të vitit, komisionin parlamentar. Pse nuk ka funksionuar 8 muaj? Po bëhet muaji i nëntë…
Tregues në vetvete që edhe pse që nga fillimi i vitit që është krijuar ky komision dhe është detyruar të shtyjë mandatin pothuajse pa bërë punë, përtej insistimit tonë që kjo të funksionojë sigurisht me idenë për të mos ta bërë reformën, u bllokua duke marrë peng me justifikimin se prioriteti i qeverisë ishte reforma në drejtësi. Dhe kjo reforma tjetër, po aq e rëndësishme, reforma zgjedhore duhesh bërë paralelisht.
Nuk është gati klasa politike të bëjë dy reforma paralelisht? Duhet të fokusohet patjetër te njëra?
Jo, nuk ka lidhje me klasën politike. Edi Rama nuk është gati t’i bëjë të dyja.
Me kodin elektoral të sotëm, sa afate janë shkelur? Çfarë duhet bërë? Cila është emergjenca?
Nuk është kjo çështja. Përgatitjet zgjedhore fillojnë në dhjetor që është lista e zgjedhësve. Çështja është që ne sot kemi shumë probleme të mëdha për të trajtuar dhe pak kohë për ta bërë. Edi Rama duhet t’i japë shpjegim shqiptarëve pse i la kaq pak kohë reformës zgjedhore për të trajtuar të gjitha problemet. Opozita ka një program të plotë, platformë e propozuar zyrtarisht ku mund t’ju përmend 3 çështje madhore. Së pari është votimi elektronik. Sot, me hapërisat që kanë mbetur në kodin zgjedhor është pothuajse e pamundur për të trajtuar korruptimin e komisionerëve zgjedhor në qendrat e votimit e numërimit, marrjen me para të kartës së votimit që praktikisht anullon të drejtën e votës, apo votimin me karta të falsifikuara në emër të emigrantëve. Këto probleme kodi zgjedhor nuk i trajton dot. Duhet një ndryshim i madh, dhe votimi elektronik do bënte shumë punë. Partitë do ishin të bindura që rezultati është ai që është dhe jo një rezultat i trafikuar. Do dilnin shpejt. Do të votonte zgjedhësi jo dikush tjetër për të.
Nuk ka më asnjë shans që kjo të ndodhë?
Së pari ne do ta kërkojmë patjetër dhe Rama do japë arsyet pse e pengoi. Sot akoma ka hapësirë kohore për ta bërë. Mund të bëhen ndryshimet ligjore për t’i hapur rrugën për të eksploruar së paku mundësitë teknike. Teknikisht është e bëshme, politikisht mungon Edi Rama. Nuk i intereson.
Një projekt pilot që u bë për numërimin elektronik dështoi. 4 mln euro u humbën. Çështja është në prokurori.
Kanë qenë dy projekte pilote, të cilët patën probleme teknike. U nis shumë vonë, nga shkurti i vitit 2013 me një KQZ që sapo ishte ngritur. Dolën probleme teknike. Maksimumi që mund të numëronte pajisja në Fier ishte 66 subjekte, ndërkohë që atje ishin 67. Teknikisht e pamundur për numërim. Në rastin e Tiranës problem ishte identifikimi zgjedhësve. Problemet ishin aq të forta sa mund të çonin në bllokim të procesit zgjedhor. Sot kemi më shumë kohë. Kur ne e lançuam në fillim të vitit këtë tezë kishim më shumë kohë. Edi Ramës kjo nuk i intereson dhe prandaj po e çon në dështim ndërkohë kur e kërkoi ai në 2012-n ne e mbështetëm dhamë dhe paratë dhe procesi dështoi. Kjo është njëra çështje. Çështja tjetër shumë e madhe është ajo e korrupsionit zgjedhor. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me financimin e fushatës. Dibra sot është kambana shurdhuese për këdo. Ajo që ndodhi, ndoshta fakti që PD u angazhua në maksimumet e saj në ato zgjedhje bëri që Rama të shfrytëzonte të gjithë mekanizmin e blerjes së votës duke habitur të gjithë me rezultatin dhe nga ana tjetër ekspozoi mekanizmin, kontrollin qendër për qendër me para të atyre zgjedhësve që zakonisht nuk votojnë.
Si e keni ju të dokumentuar këtë?
Kjo është një çështje që rezultatet tregojnë për këtë mekanizëm që është përdorur në Durrës dhe vende tjera në zgjedhjet e vitit 2015. Fakti që u angazhua ky mekanizëm përballë një angazhimi maksimal nga PD, ku komuna tradicionalisht të djathta edhe para një viti sot janë kthyer majtas se janë mbjellur me drogë. Pra paraja kriminale në këtë kohë është në sasi të jashtëzakonshme.
Si mund ta ndalojë PD këtë? Çfarë mund të bëni ju?
Çështja është komplekse. Ka dispozita që duhen bërë në kodin zgjedhor, për të rregulluar e kufizuar jo sasinë e parave që mund të japë dikush për një parti apo se sa është maksimumi që mund të shpenzosh. Kur vendos Edi Rama, jo kaq por edhe kodin penal e shkel me këmbë dhe nuk e ka problem. Ne duhet të kufizojmë edhe shpenzimet konkrete. KQZ duhet të paraqisë një listë shpenzimesh se sa kushton një sallë, koncert, për miting, zyrë zgjedhore, reklama televizive, banerat dhe të përcaktohen kufinjtë. Sepse në Shqipëri kostoja e të bërit të zgjedhjeve është e jashtëzakonshme. Janë luksoze praktikisht.
Këto nuk i ka bërë luksoze vetëm PS-ja apo jo?
PS në zgjedhjet e fundit ka një nga fushatat më të jashtëzakonshme përsa i përket shpenzimeve. PD nuk e ka pasur dhe nuk e kishte as në 2013-n. Po nuk i vumë fre tani, do të na duhet që konceptin e barazimit do të shkojmë diku që shqiptarët do të habiten dhe rritet kostoja e të bërit politikë në mënyrë të jashtëzakonshme. Por para nga shteti nuk ka. Nga vijnë këta para? Qytetarët janë të varfër dhe s’mund të japin para.
A është i fortë ligji që kontrollon burimin e parave që kontrollon fushatën?
Ligji që kemi ne jo. Ligji që kemi ne është në përputhje me standardet e Grekos. Pra e organizmit të Këshillit të Evropës që merret me korrupsionin. Shqipëria i ka në përputhje. Por kur e ka bërë këtë vlerësim Greko në vitin 2009 nuk diskutoheshin këto shuma parash, ky nivel kriminaliteti, i lidhur me qeverinë. Abuzim në ekstrem me fondet shtetërore. Propozimi ynë është 100% financim shtetëror. Së paku mos të ketë financim koorporativ. Mund të jetë qytetari i thjeshtë që bën financim të vogël, por financimi koorporativ nga bizneset të jetë i ndaluar, siç është Franca, Belgjika apo vende të tjera të Evropës që për shkak të skandaleve të mëdha e kanë ndaluar këtë pjesë. Një element i rëndësishëm është shit-blerja e votës.
Çfarë mekanizmi keni për shit-blerjen e votës? Ajo që është e pakontrollueshme në një masë të gjerë, si mund të parandalohet me ligj?
Agjentët të shit-blerjes së votës që përdorin këto parti që kanë shpenzime të jashtëzakonshme, partitë e pushtetit sot një pjesë janë kriminelë, pra janë rrjete kriminale që operojnë, por në shumicën e rasteve këta sjellin paranë. Ne raste të caktuara janë dhe elementi që blen votën apo ushtron presionin edhe duke dhënë para. Shumica dërrmuese e këtyre agjentëve janë njerëz të thjeshtë, që mund të jenë dhe funksionarë të administratës publike. U jipet një zonë, pra i kanë kthyer zgjedhjet në një lloj feudalizmi, dhe u thuhet kjo është zona jote dhe nga kjo zonë unë dua kaq vota. Ky është mekanizëm feudal vulgar por efikas.
Nuk besoj se kjo ka ndodhur vetëm 3 vitet e fundit?
Ju garantoj që për çdo lloj gjëje që ka ndodhur deri në 2013-n, ku deri në atë kohë ka pasur vetëm një forcë politike që e ka përdorur këtë në masë industrial, ndërkohë sot PS ka kapacitete shumë herë më të mëdha qoftë korruptive, tenderat e koncesionet, por edhe paraja e drogës, kriminalizmi deri në nivelin e të rinjve, që nuk kërkojnë punë se kanë gjetur punë te parcelat e drogës është i jashtëzakonshëm. Krimi zgjedhor në ligjin e dekriminalizimit barazohet në penalizimin me korrupsionin. Të dy e kanë dënimin 20 vjet të kryerjes së detyrës pas kryerjes së burgut.
Ndërkohë që ndëshkueshmëria për korrupsionin zgjedhor është 0…
Ky është problem shumë i madh prandaj dhe ne kërkojmë rritjen e politikës penale. Kush mund të jetë një instrument? Ajo që propozojmë ne është që dispozitat në kodin penal për shitblerjen e votës të detajohen më mirë, të rritet dënimi, port ë kthehen në vepra korrupsioni. Është korrupsion dhe t’i kalojë nga Prokurorisë së zakonshme , ti kalojë SPAK-ut. Që ne mendojmë se do bëjë një punë të fortë e shumë të mirë në luftën kundër korrupsionit. Nëse i kalon kësaj prokurorie që do ketë mbështetje shumë të madhe me financim e pajisje, këta zotërinjtë që sot marrin poste drejtuese në administratë se janë agjentë shumë të mirë për të blerë vota në qendrat e votimit do mendohen mirë, se do ketë raste që do përfundojnë në burg dhe kjo do sjellë në reduktim të këtyre agjentëve. Duhet të futet dhe koncepti i “Ndiq paranë”. Nëse ju mediat bëni diçka që nuk e keni bërë kurrë, që ndiqni paranë në periudhën 6 muaj para zgjedhjeve ne do çuditemi për sasinë e parasë që lëviz para zgejdhjeve në llogaritë bankare të kompanive apo dhe individëve madje dhe pas zgjedhjeve, por që nuk shkon vetëm për transaksion, por zhduket dhe ndoshta hyn në shit-blerjet e njerëzve të thjeshtë. Nëse kjo monitorohet, shohim çudira. Por kjo s’bëhet kur në krye të Drejtorisë së Pastrimit të Parave është një zyrtar i lartë i PS, pra ka konflikt interesi, prandaj duhen instrumente të rinj monitorues. Ka dhe probleme të tjera. Listat e zgjedhësve sot po shkojnë me shpejtësi drejt vitit 2003, kur ju e mbani mend që burri votonte në Laprakë e gruaja tek QSUT.
Nga e keni këtë konstatim?
Kjo është shumë e thjeshtë. Ndërkohë që PD bëri asistimin e zgjedhjeve civile ndër më të mirët në Evropë, me karta identiteti, pasaporta. Ajo që çuam deri tek 1 mln eurot e fundit që duheshin në 2013-n po që nuk u bë e mundur edhe si kohë zbatimi ishte popullimi i regjistër adresave. Nuk mjaftonte vetëm tabela tek rruga por duhej bërë dhe kjo. Ne e sollëm deri këtu. Kjo qeveri brenda vitit të parë duhej të bënte patjetër më shumë. 3 vite dështim i qëllimshëm që listat e zgjedhësve të jenë të shpartalluara. Këtë e pamë në Durrës, e pamë në Kavajë ku zgjedhësit janë të regjistruar diku që s’kanë lidhje me qendrën e votimit. Zgjedhës që importoheshin nga Kashari, nga Vora, Tirana. Kjo e ka rrënuar cilësinë e të gjithë punës në 10 vjeçarin e fundit në listat e zgjedhësve. Ne jemi duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt një katastrofe të standardeve zgjedhore në zgjedhjet e 2017-s. Gjë që nuk është parë kurrë që nga viti 2003. Në 2005-n pati përmirësime, në 2009-n raporti i ODIHR thotë që zgjedhjet kapën shumicën dërrmuese të standardeve. Aftësia sharlatane e kryeministrit sot bëri që njerëzit të besojnë se kutitë kishin diçka pa dhënë provë, por harruan se ODIHR tha se Shqipëria kishte zgjedhje me nivel të jashtëzakonshëm. Sikur të kthehemi në ato standarte ekziston mundësia që kur zgjedhësit të jenë të neveritur me këtë qeveri të bëjnë rotacionin politik.
Me këtë pasqyrë që bëtë duket sikur kanë humbur të gjitha shanset për të pasur standarte demokratike zgjedhore në 2017-n. Çfarë mund të riparojë opozita në këtë tablo?
Ka një ndryshim në bashkë-kryesimin e KQZ. Ne nuk do rrimë më peng i komisionit të reformës në drejtësi. Është një standart i këshillit të Evropës që thotë që ligji s’duhet të ndryshojë në 6 muajt e fundit para zgjedhjeve dmth deri në fund të dhjetorit. Ne kemi 4 muaj kohë për të punuar me intensitet, por pa dëgjuar broçkullat e ligjit të dekriminalizimit. Duhet të punohet në të njëjtën mënyrë siç kemi punuar ne me opozitën e vitit 2008 apo 2012. Ishim në qeveri. Propozimet shumë të mira që vinin nga opozita merreshin e bëheshin të përbashkëta. Dhjetori duhet të na kapi duke shtrënguar dorën me PS qoftë dhe me pahir. Por na duhet një reformë zgjedhore sa më shpejt.
Do shkoni me këtë sistem? Keni ndonjë kërkesë për sistemin zgjedhor?
Nuk ka rekomandime në lidhje me sistemin. Të ndryshosh sistemin është gjë e madhe, dhe kërkon shumë kujdes. Kërkon një konsensus të plotë por ama mbeten element që duhen shtrënguar. Psh: ne sot kemi një potencial shumë të madhe që partitë fictive në koalicionet përkatëse të përdoren për blerjen e votës. Një familjeje i blihen votat dhe drejtohen të votojnë në një sigël fictive dhe në atë mënyrë kontrollohet vota e asaj familjeje. Janë elementë anësorë të sistemit që duhen shtrënguar. Kjo është një skemë siciliane, mafioze që është përdorur në vitet ’70 nga mafia italiane. Ne po përpiqemi të ngushtojmë këtë gjë.
Me komisionin zgjedhor ka mbaruar mandati i kryetares…
Është hapur gara dhe Komisioni i Ligjeve që është organi i parë sipas raporteve që ka parlamenti duhet të reflektojë qartësisht mekanizmin që është i ndërtuar për të prodhuar konsensualitetit. Uroj që PS të mos përdor mekanizma fiktivë në mënyrë që ajo që ne u dhamë atyre kur u zgjodh kryetari i komisionit në vitin 2012, të jetë i njëjti proces, i cili krijon konsensualitet, pjesëmarrje të të dyjave palëve dhe në fund sigurisht që voton mazhoranca, pra ajo që ne kërkojmë është proces mirëbesimi, dhe siç e kemi thënë zgjedhjet janë përgjegjësi e mazhorancës e për rrjedhojë vota e mazhorancës vendos.
KOHA JONË SONDAZH

