Studenti Erald Demaj i shkruan letër kryeministrit për sorollatjet, por kryeministri hesht!
Erald Demaj thotë se kemi disa vite që sorollatemi nëpër institucione të ndryshme të shtetit, por asnjëri nuk na zgjidh punë. I kam nisur edhe një letër zotit Kryeministër te adresa e tij e email që ka për popullin, por asnjë përgjigje.
“Tani ka mbetur ti shkojë në këto dëgjesat publike e tia them publikisht!”- shprehet Erald Demaj. Ja letra që i ka dërguar zotit Rama:
Drejtuar, Kryeministrit të Shqipërisë, EDI RAMA
Lënda: Kërkesë për dhënien e së drejtës për studime të Nivelit Master pas studimeve Bachelor në EDUKIMIN FIZIK DHE SPORTE.
I nderuar Z. Kryeministër!
Vendimi për mbylljen e disa universiteteve në vitin 2014, gjë e cila u diskutua së tepërmi nga media, por edhe nga njerëzit e thjeshtë, ishte një vendim që preku interesat e shumë studentëve, të cilët vazhdonin studimet e larta në këto universitete, por edhe të atyre që i kishin përfunduar studimet në po këto universitete. Jo vetëm studentët, por edhe familjet e tyre u shqetësuan nga ky lajm, për arsye se nuk dinin se ҫfarë do të bëhej më tej me fëmijët e tyre dhe me gjithë shpenzimet dhe kohën e harxhuar.
Zoti Kryeministër!
Po ju drejtohem, sepse unë jam një prej atyre studentëve që përmenda më sipër dhe këtë problem që po j’ua shfaq dhe ndaj bashkë me kolegët e mi. Ne kemi përfunduar studimet Bachelor në Shkollën e Lartë Jo Publike , Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve, Apolloni i Ri në qytetin e Fierit, në vitin 2012.
Gjatë kohës së regjistrimit, vazhdimit të studimeve dhe përfundimit të tyre, na kanë dhënë siguri për vlefshmërinë e diplomave që tashmë kemi dhe madje janë treguar të disponueshëm ne ҫdo kohë, duke u munduar që mësimin ta zhvillonim me pedagogët më të mirë të edukimit fizik. Por, dy vjet pas përfundimit të studimeve, universiteti mbyllet për shkak të Reformës në Arsim e Lartë dhe ne të shqetësuar pyesnim veten : “Po me ne ҫfarë do të ndodhë?!”. Kësaj pyetjeje iu përgjigj ministrja e arsimit, Znj. Lindita Nikolla, e cila deklaroi se të diplomuarit nuk do të cënohen nga kjo vendimmarrje, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Z. Plarent Ndreca, i cili tha se diplomat e marra nga këto universitete janë të vlefshme dhe se një komision do marrë në mënyrë individuale në shqyrtim të gjitha ankesat që do të bëjnë studentët.
Por, në të vërtetë, rezultoi që këto deklarata nuk ishin të vlefshme për të gjithë. Pas vitit 2014 jemi përpjekur të regjistrohemi në master, por kërkesat tona janë refuzuar, si nga universitetet shtetërore, por edhe ato private, ku, këto të fundit, kërkonin numrin e matrikullimit për të na pranuar kërkesën. Kemi kërkuar numrin e matrikullimit pranë zyrave të AKP-së, por ato nuk kishin autorizim nga Ministria e Arsimit për të na e dhënë. Me shpresën se nuk do të na shfaqeshin probleme, jemi drejtuar pranë Ministrisë së Arsimit, por përsëri kërkesa jonë u refuzua me idenë që universiteti nuk njihej nga Ministria e Arsimit.
Shumë prej kolegëve që kanë mbaruar me ne dhe kanë kryer masterin përpara se të mbyllej universiteti, janë pajisur me diplomë, prandaj mendojmë që nuk është e drejtë që disa ta kenë zgjidhur këtë ҫështje dhe disa të tjerë të rrinë e të presin vendimin e radhës, i cili nuk dihet nëse do të jetë ose jo pozitiv. Në Ministrinë e Arsimit na thanë që po merren me këtë ҫështje, por gjithsesi nuk na dhanë shumë shpresë dhe ne jemi ҫdo ditë në pritje të vendimit që do të merret.
Pavarësisht të gjithave, nuk na duket e drejtë të penalizohemi për shkakun e vetëm që u besuam universiteteve private, të cilat në atë kohë ishin mëse normale dhe të jepnin siguri të plotë. Por, tashmë, ju jeni shpresa jonë e vetme për zgjidhjen e këtij problemi, që po na mban në udhëkryq duke mos patur asnjë zgjidhje e duke mos ditur ҫfarë hapi të mëtejshëm të marrim.
Me shpresën dhe besimin se Ju do ta zgjidhni këtë problem në mënyrën më të drejtë, ju uroj gjithë të mirat!
Erald Demaj
(shënon numrin e tel dhe email)