Sulmi në Siri, Vasili: Kush voton kundër Amerikës duhet refuzuar rreptë
Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili reagon për sulmet amerikane në Siri, duke mbështetur aleatët perëndimorë. Në një postim në facebook, Vasili shkruan se Trump po bën Amerikën e Madhe, e cila udhëheq aksionin botëror për vendosjen e paqes.
”Amerika e Trump është tashmë sërish Amerika e madhe, që vepron dhe që udhëheq aksionin botëror të vendosjes së paqes dhe rendit demokratik kudo në botë”,-shkruan Vasili.
Më tej Vasili vë theksin se politika e jashtme amerikane, dha një mesazh për popujt e shtypur, dhe se politika që voton kundër Amerikës duhet refuzuar rreptë.
”Aksioni në Siri, reflekton shumë më gjerë dhe politika e jashtme amerikane dha një mesazh shumë të fortë shprese për popujt e shtypur, dhe një mesazh asgjësues për diktatorët e të gjitha llojeve që nga ata të egër e gjakatarë e deri tek ata qesharakë, që ëndërrojnë tek autokracitë që pjellin varfëri. Ndaj proamerikanizmi shqiptar si vepër e popullit tonë, është një vlerë që duhet të lartësohet dhe kushdo nga politika shqiptare që shfaq të kundërtën e që voton kundër Amerikës duhet refuzuar rreptë dhe pa kompromis”,-thuhet në mesazhin e kreut të grupit parlamentar të LSI-së.
KOHA JONË SONDAZH

