Urdhëri i Ramës:Të dielat pa makina! Reagon Jonila Godole: Absurditet i gjallë. Pse mos të na heqin fare dhe internetin?!

Pedagogia Jonila Godole ka komentuar nismën e kryeministrit Edi Rama të deklaruar një ditë më parë që nga tetori deri në mars të ndalohet lëvizja me makina të dielën.

Në një postim në “Facebook”, Godole e cilëson një absurditet të gjallë dhe pyet se çfarë do ndodhë në tetor që e di kryeministri dhe ne nuk e dimë?! Ajo sugjeron që të hiqet dhe interneti dhe lajmet t’i marrim vesh nga ekranet e pushtetit. Gjithsesi Godole bën një parashikim të zymtë se çfarë mund të ndodhë.

POSTIMI I PLOTË
Të dielat pa makina për t’iu kushtuar “mjedisit, të moshuarve, fëmijëve dhe familjeve tona”.
Udhëzimet e fundjavës po kthehen në një zbavitje të vërtetë, absurditet i gjallë.
Pse vetëm të dielave pushim makinat, dhe jo nga e hëna të shtunën?!
Pse nga tetori, çfarë do ndodh atëherë, çfarë di kryeministri që ne nuk e dimë?!
Ndërsa shqiptarët ende nuk po lejohen të lëvizin të lirë në fundjavë, vjen paralajmërimi për kufizimet në të ardhmen?!

Swiss Digital Desktop Reklama

Pse mos ta heqin fare edhe internetin që të mos hallakatemi; lajmet i marrim vesh për bukuri nga ekranet e pushtetit, udhëzimet na i jep njëshi personalisht në telefonin fiks?!
Edhe pse më qeshet teksa shkruaj këto radhe, e kam një si frikë që e pabesueshmja mund të ngjasë në çdo çast, siç e kemi parë tashmë.
Erdhi e iku pandemia, asnjë studim serioz mbi çfarë ndodhi, çfarë fituam, çfarë humbëm, ku është ekonomia, si do funksionojë hapja, si do menaxhohet një pandemi e dytë e mundshme?!
Asnjë rresht letër për të justifikuar izolimin disa javor të shqiptareve, por shumë energji për të prishur dhe shembur: gjimnaze, vila të vjetra, Teatrin Kombëtar, mundësisht natën (se na ndotet ajri posi), me procedura të përshpejtuara dhe në mënyrë të paligjshme.
Për të gjitha këto sajohet një kauzë natyrisht, e lartë, idealiste.
Si kjo kauza e mbrojtjes së mjedisit, ku korsi biçikletash shkatërrojnë qindra biznese buzë rrugës; ku urbanizmi modern na thuhet se përmirëson cilësinë e jetesës sonë, gur e beton se helbete, kujt i duan parqet, mjafton njëri që kemi laj-thaj; ku kulla të reja do mbijnë si çibanë, ngucur mes një identiteti arkitekturor dhe historik të përçudnuar përqark sheshit.
Pas fasadave të lyera do lëngojnë pallatet e vjetra nën hijen e qiellgërvishtësve të vetmuar që pritet teë strehojnë ajkën politike dhe ekonomike të këtij vendi, medet.
Të moshuarit, te cilët i duam kaq shumë, do rilindin, kur t’i shpien – me orar – të bëjnë “shopping” në qendrat komerciale të kullave, me paratë e pensionit simbolik.
Fëmijët do kënaqen pamasë duke luajtur mes betonit dhe familjet e tyre do kursejnë karburantin duke mos dalë në natyre, por duke kthyer filxhanin e kafesë në lokalet e kullave përreth sheshit, në pritje të udhëzimit të radhës, nga lart.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?