Të hënën Parlamenti fillon sesionin e fundit të Legjislaturës
Politikë E Diel, 9 Maj 2021 15:55
E hëna e tretë e janarit, siç përcaktohet në Kushtetutë, shënon edhe rinisjen e punimeve të Parlamentit. Seanca plenare është parashikuar pasdite në orën 17:00, ndërkohë që ABC News mësoi se opozita do të marrë pjesë në të, pavarësisht përplasjes së ditëve të fundit shkaktuar nga qëndrimet për reformën zgjedhore.
Pasditja e të hënës rikthen debatin parlamentar. Në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, kryetari Ilir Meta ka urdhëruar mbledhjen e sesionit të VIII të punimeve të Kuvendit, në një seancë plenare të thirrur për në orën 17:00 të 16 janarit.
Duke qënë edhe seanca e parë, pas pauzës së ndërrimit të viteve, rendi i ditës prej 6 pikash ka një natyrë procedurale. Përveç hapjes së punimeve, do të njoftohen edhe aktet normative të depozituara në Kuvend, ndërkohë që pritet të miratohet edhe programi i punës së Kuvendit për periudhën 16 janar-24 shkurt 2017.
Deri në shpërndarjen e tij, para zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, deputetët do të duhet të marrin të paktën dy vendime të rëndësishme: një ka të bëjë me kreun e ardhshëm të shtetit dhe tjetri me reformën zgjedhore.
Ndërkohë që për pasardhësin e Bujar Nishanit të gjitha palët janë shprehur të një mendjeje se i takon këtij Parlamenti ta zgjedhë atë, debati pritet të jetë më i ashpër përsa i përket reformës zgjedhore, për të cilën është ngritur edhe një komision i posaçëm. Listat e hapura për kandidatët ndajnë në qëndrime dy aleatët kryesorë të koalicionit qeverisës, ndërsa përdorimi i elektronikës ndan mazhorancën me demokratët në opozitë.
Këta të fundit kanë paralajmëruar se mund të shkojnë deri në bojkot, duke e konsideruar elektronikën si kusht thelbësor për besueshmërinë e zgjedhjeve. Por të paktën në seancën e të hënës që do të çelë këtë sesion parlamentar, ABC News konfirmoi se demokratët do të marrin pjesë në të.
KOHA JONË SONDAZH

