Testimi…

Fejton nga Thoma Goga

Nga fletorja e Çeços që ka aq shumë gallata, shkëputa këtë mesele dhe po ua rrëfej juve.
“…Kur hyri demokracia, hynë dhe ca metoda “të reja”. Shqipëria po hapej. Stan i madh, të thom, po jo si ky imi. Se unë me një portë e kam, kurse tashti u ndoq ajo fjala e urtë e popullit “han me shumë porta”. E kush nuk erdhi! Me pipinot u bënë miq. Japim e marrim me ta. U çojmë “miell”, na e kthejnë me vaj palme… Gjerman again e kemi si dollibash. Po hap ca kurse që të mësojmë edhe ne gjermançen. Amerikani, si arbitër ndërkombëtar, me “rregulla të forta”. Kur ankohen ata të opozitës, u jep të drejtë. Pastaj takon përfaqësues të qeverisë. Edhe atyre u jep të drejtë. Ore, se mos pyesni dhe ju se kush ka më shumë të drejtë? Mbase dhe ju të drejtë keni, po unë kujt t’i besoj?! Turqit, siç thotë dhe historia, i kemi patur denbabaden “birinxhi mysafir”, paçka se 500 vjet robëri nuk bëhen hasha… Të themi dy fjalë edhe për gjitonët në jug që gjithë jetën shikojnë ëndrra për “veriun”…
Nejse. T’i lëmë ata në “stanet” e tyre e të shikojmë “stanin” tonë. Ore, ja i lashë unë, po nuk na lënë ata. Të gjithë u hoqën si babaxhanë e vrapuan të na japin “receta” që edhe ne të bëheshim si bota “moderne”. Të gjithë nxituan. Vijnë e ikin e lloj-lloj metoda shpikin. Besoj e keni dëgjuar atë “kompetentin e huaj” që na mësoi se “hardhia mbillet në tokë”. E kujt ia thoshte këtë? Shqiptarit që me tokën është ushqyer më mirë se kushdo. Ndërsa me rakinë që del nga hardhia, vë përpara tërë dynjanë. Na marrin në pyetje, na “trajnojnë” siç thonë dhe ata vetë. Medemek, na provojnë për zgjuarësi. A thua se ne ishim kafshë, meqë kishim qënë të izoluar nga bota “moderne”. U na marrçin të ligat.
Shikoni si ishte trajnimi “shkencor” në një qendër sociale ku shumica shkojnë për një pjatë supë. Midis tyre zgjodhën një fakir fukara dhe e morën në pyetje:
– Sa fëmijë ke?
– 4+4
– Çfarë hëngre mbrëmë?
– Dale të mendohem. A po, atë që la djali i madh.
– Çfarë ishte?
– Asgjë…
– Po sot në mëngjes?
– Paparen që la ai i vogli.
– Të pëlqejnë pijet?
– Po të kem, ç’e do që s’kam.
– A përdorni mish në familje?
– Kujt i thonë “mish”? Ku ta gjej?!
– Çfarë pune bën?
– Ça të dali. Mos më keqkuptoni; i bëj të gjitha.
– Pi duhan?
– Kur më japin.
– Pse nuk rruhesh?
– Jam bërë për të qethur.
I bënë dhe ca pyetje të tjera, pastaj e nxorën jashtë. Mendoi se do i jepnin ndonjë mundësi për punë a për strehim. Fakiri ishte bërë dyll i verdhë. Ca nga uria, ca nga pagjumësia dhe ca nga rezultati që do nxirrnin ndërkombëtarët. Pastaj e thirrën dhe sipas pikëve, doli “fatura”:
– Ti je i mençur po hiqesh si budalla që të përfitosh asistencë sociale. Ka të dhëna se je drogaxhi. Të pëlqen jeta e shthurur e natës. Dukesh se je qejfli…
Sa dëgjoi këto fjalë fakir fukaraja, iu soll tavani vërdallë. Nga sytë i dolën “fishekzjarre”. Pastaj i ra të fikët.
Një grup tjetër nga këta “modernët” e sotëm po testonin kategorinë e punonjësve të rendit publik. Nga rezultati varej fati i vendit të punës. Po të mos kaloje, përjashtoheshe. Pyetën një djalë të gjatë, po dy herë më i gjatë se unë.
– Do të bëjmë një test, – tha “ndërkombëtari” me një shqipe si në kohën e Gjon Buzukut.- Kemi gjithë ditën që bëjmë teste, teste, tes… E meqë ra fjala, di ti kujt i thonë “testikula”?
– Me nder jush, u thonë k….., ose hallateve, me gjuhën popullore.
– Nuk je i aftë për këtë punë. Rezulton më i zgjuar sesa na duhet. E humbe vendin e punës.
Hajde testim, hajde! Më koqe ishte ai që pyeti për hallatet. Pas tij hyri Festimi, një shoku im që është instruktor i qenit të antidrogës. Ishte bërë dyll i verdhë nga “testimi”. Nuk lanë gjë pa e pyetur për qenin. Po Festimi s’e hapi gojën. Madje e “testuan” edhe me një gjë a gjëzë:
– Ç’është një kafshë me katër këmbë që ia bën “ham-ham”?
Shoku im ngriti supet, duke mërmëritur me vete:
– Ç’më duhet të përgjigjem, apo të humbas vendin e punës e të iki si ai koqja …
Kështu shpëtoi Festimi nga “testimi”…

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?