The Guardian dhe The Journal: Festë në vendin që duket si parajsë (Shqipëri)

“Një i ardhur rishtaz në vendin e festivalit, Shqipëria po tërheq turistë të moshave të reja, për të kërcyer në plazhet e saj dhe për të eksploruar përtej brigjeve të panjohura për vizitorët”, shkruan The Guardian në artikullin kushtuar Kala Festival por edhe turizmit në vendin tonë. Se sa seriozisht ministria shqiptare e Turizmit po e merrte festivalin Kala- ngjarjen e parë ndërkombëtare të këtij lloji në vend– kjo gjë u duk që në momentin kur zbritëm nga varka në Sarandë ku u pritëm nga një grup policësh të cilët shoqëruan konsulentët tanë gjatë rrugës që dredhonte nëpër male.

Kjo dhe ardhja e kryeministrit Edi Rama të nesërmen, për një konferencë shtypi të papritur buzë pishinës me organizatorët në hotelin tonë.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë e bukur, ” tha ai, ndërsa një kamardare flamingo ngjyrë rozë kalonte përmes pishinës prapa tij. “Por njerëzit e perceptojnë atë atë si një vend ku të grabisin ose të vrasin … Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush vjen për vizitë dhe kthehet shëndoshë e mirë, ata e kuptojnë se është një parajsë! Është si molla e ndaluar: mos e kafshoni ose do e dëshironi atë gjatë gjithë kohës “.

Sa për opinionin e tij për Kalanë? “Duhet të pranoj, nuk di asgjë për festivalin, por, në parim, është diçka fantastike,” tha ai, duke ofruar një natë me birrë  shqiptare falas para se të largohej.

Humor i hollë ballkanik dhe birrë falas për më tepër, Shqipëria nuk është në krye të listës së vendeve më të vizituara të Europës.

Ajo vizitohet nga rreth 80,000 turistë nga Mbretëria e Bashkuar në vit – një numër i vogël krahasuar me 3 milion që udhëtojnë çdo vit në Greqinë fqinje, ose 765,000 që vizitojnë Kroacinë aty afër saj. Por ky trend ka gjasa të ndryshojë. Në vitin 2014, New York Times e përfshiu bregdetin shqiptar mes destinacioneve më të mira të saj (“Kjo është Europa në kohën kur çdo gjë ishte e freskët dhe e lirë”, shkruan ajo), ndërsa Lonely Planet e renditi kryeqytetin e saj, Tiranën, mes vendeve më të mira për t’u vizituar në Europë këtë vit.

Kala – një festival një-javor i cili  zhvillohet në qershor në resortin turistik të Dhërmiut – mund të konsolidojë reputacionin e Shqipërisë si destinacion i ri me plazhe dhe i përshtatshëm për festa, në të njëjtën mënyrë që Outlook dhe Dimensions e vendosën Kroacinë në hartë për britanikët e rinj. Për momentin, Dhërmiu është pak i vështirë për të shkuar: një fluturim në Korfuz, pastaj katër orë me traget dhe autobus. Megjithatë, me aeroportin e ri që pritet  të hapet në Vlorë (vetëm 50 km larg nga Dhërmiu) në vitin 2020, aksesi do të përmirësohet në mënyrë dramatike.

Festivali Kala gjithashtu ka një program dedikuar jetës së shëndetshme
Kalaja (Kala) u zhvillua muajin e shkuar në pesë vende në Dhërmi, kryesisht me hotele me bare buzë detit.  Vetëm 2,000 bileta u vunë në dispozicion, kështu që kishte mjaftueshëm hapësirë në plazh, ujë të pastër si kristal, si dhe restorante të qeta (linguinet me fruta deti tek restorant Luciano ishin më të preferuarat).

Biletat e festivalit përfshinin paketat e akomodimit, nga shtëpizat e plazhit, B & B tek hotelet luksoze,  të gjitha Brenda rrezes së festivalit. Me një program Wellness (yoga dhe banja me gong përballë detit Jonian) i cili ofrohet paralelisht me eventet muzikore, festivali siguron hapësirë edhe ata që janë të interesuar për pushime të qeta (i ngjashëm me  festivali veror të Kroacisë Obonjan) ndërsa për ata që dëshirojnë të festojnë gjatë gjithë natës (ka muzikë deri në orën 6 të mëngjesit çdo ditë).

Repertori ishte kryesisht muzikë elektronike, përfshirë grupet underground të Londrës – Feelings, Secretsundaze, Phonica dhe Stamp the Wax – për të formuar një turmë (shumë ndjekës të festivalit ishin nga Mbretëria e Bashkuar), si dhe të preferuarat e Moodymann, Maurice Fulton dhe Tama Sumo dhe Lakuti . Performuesit kryesorë ishin Tom Misch dhe Todd Terje, ndërsa shpirti dembel dhe i rrahur nga dielli i Roy Ayers e bëri turmën të gjithën për vete.

Ekipi që themeloi Kala – Mainstage Travel – është iniciatori i një prej festivaleve më të mëdha të dimrit në Europë, Snowboxx. Përgatitjet për të lançuar një festival vere, kishin nisur prej tri vitesh. “Ne bëmë kërkime në Portugali, Kroaci, Itali, Spanjë, Maltë, Marok, por nuk gjetëm asnjë vend të paeksploruar”, shprehet Alan Crofton, drejtori i festivalit. “Në tetor të vitit të kaluar, ne vizituam Dhërmiun për herë të parë dhe menjëherë na tërhoqi potenciali i tij. Ideja është se je me pushime, ndaj  vjen dhe çlodhesh në plazh … “

Shumica e njerëzve më të cilët fola,  e konfirmuan një gjë të tillë. “Gjëja më e mirë do të ishte të shkonim diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha Rebecca, 27 vjeç, nga Londra.
“Doja të shkoja në një festival jashtë vendit. E zbulova në Resident Advisor dhe fotot dukeshin të mahnitshme. “

Teksa shumë prej nesh qëndruan për një javë të plotë, ministria e Turizmit i inkurajonte të ftuarit që të eksploronin vende të tjera të rivierës shqiptare.

Këto ishin Gjiri i Gramës, i quajtur ndryshe simotra shqiptare e plazhit të Aleks Garlandit – një gji i veçuar i aksesueshëm vetëm me anije, me ujin blu që të lë pa frymë dhe me qindra mbishkrime nëpër shkëmbinj që datojnë qysh në shekullin e 3 para Krishtit; Burimi i  Syrit të Kaltër, një pishinë 45 metra e thellë e rrethuar me pemë lajthie; dhe plazhi i Ksamilit, një fshat bregdetar nga i cili mund të eksplorohen me barkë katër ishuj të pabanuar.

Për mua, pjesa më mbresëlënëse nga Kalaja ishte pikëtakimi në Gjipe, plazhi dhe vendkampingu ekologjik në gjirin më tutje, një udhëtim me gomone që zgjati gjashtë minuta nga Dhërmiu. Vetëm përtej plazhit, i rrethuar nga bimësi e harlisur dhe shkëmbinj të thepisur në ngjyrë të kuqe, ndodhej një skenë e vogël dhe sistem audio, ku mundëm të kërcenim deri në perëndim të diellit dhe erdhi koha për t’u kthyer me barkë.

DJ-të duke përfshirë Bjørn Torske, Nick The Record dhe Jenifa Mayanja, luajtën me radhë për një turmë me fytyra të buzëqeshura dhe të përkëdhelura nga dielli  … muzika që përplasej me  grykën,  ndryshonte ngjyrë çdo orë nën sfondin e një drite që zbehej. Një shëtitje në kanion, na çoi tek një ujëvarë e fshehtë – një gjurmë sekretesh të tjera që kjo pjesë e bregdetit mund të nxjerrë.

Kryeministri nuk po bënte shaka kur thoshte se ky vend është një parajsë.

Doli se nuk po bënte shaka edhe për birrën falas. Vetëm dy ditë përpara përfundimit të festivalit, unë u ndesha me Crofton, i cili qeshte vesh më vesh. “Sapo mora një mesazh nga kryeministri,” tha ai. “Na ka nisur një paletë me birra … Mendoj se të gjithë në festival,  do të kenë një birrë falas. /ATA/

Ndërsa revista australiane që i dedikohet udhëtimeve “The Journal” i ka dedkiuar një shkrim kulturës dhe natyrës së Shqipërisë.

E vendosur mes veriut të Greqisë dhe ujërave të kaltër të Italisë, Shqipëria duhet të jetë një Mekë turistike.

Me një histori të mrekullueshme, bukuri natyrore dhe kuzhinë mesdhetare Shqipëria është diamanti i pazbuluar i Europës.

Kultura
Shqipëria nuk ngjan me asnjë vend tjetër në Tokë. Pasi u sundua për 500 vite nga Perandoria Osmane, në shekullin e XX u bë një prej vendeve më të izoluar në botë, pasi diktatori komunist Enver Hoxha theu lidhjet me BRSS-në, Kinën dhe Jugosllavinë.
Historia gjeografike dhe politike e vendit, bashkë me gjuhën e saj unike, i ka mundësuar shqiptarëve të ruajnë disa veçanti të mrekullueshme kulturore. Gjëja e parë që mund të vërejë një i huaj është se shqiptarët lëvizin kokën larët e poshtë kur duan të thonë “jo” dhe e tundin kur duan të thonë “po”, duke krijuar disa çaste të këndshme deri sa arrin të thyesh barrierën e gjuhës.

Mikrobuzët, mjetet kryesore të transportit, nuk kanë tabelë oraresh, kryesisht largohen kur mbushen plotë. Por vonesat kalohen lehtësisht nga mikëpritja, me kulturën shqiptare për të respektuar miqtë. Banorët përpiqen në maksimum që një vizitor në vendin e tyre të mos mërzitet. Disa qytete bllokohen krejtësisht në fillim të darkës, pasi të gjithë dalin për një “xhiro”. Një ecje tradicionale, ku do të gjeni grupe personash të veshur mirë që shëtisin deri sa të mbarojë dita në shoqërinë e miqve duke biseduar për ditën. Nëse futeni në zakonin e xhiros, jini të vëmendshëm të shihni dordolecë të vendosur nëpër shtëpi, për shkak të një supersticioni antik, kjo përdoret për të larguar zilinë.

Ushqimi

Pa dyshim që gjithë kjo ecje do ju lërë të uritur, por për fat të mirë jeni në pjesën e duhur të botës për të ngrënë. Kuzhina këtu është një përzierje e gjeografisë. Tavë kosi, mish qingji i pjekur në enë balte, vezë, kos, byrek i shijshëm i stilit ballkanik, si dhe fërgesë, një gatim me perime, gjizë dhe erëza që përkon me periudhën osmane. Por ka edhe një theks të fortë italian, kështu që një picë e mirë nuk është e vështirë që të gjendet, si dhe shumë karkaleca dhe produkte deti përgjatë brigjeve.
Zakonisht vetëm pak sekonda pasi të ulni pirunin do të njihni rakinë, një goditje e fortë për shpirtin që thuhet se ndihmon tretjen. Por nëse dëshironi diçka më të butë, terreni i larmishëm i vendit ofron një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme verash lokale që do ju duhet t’i mbani shënim, por mund të provoni edhe birrat lokale si “Korça” apo “Tirana”.

Qytetet

Tirana

Birra e shijshme quhet njësoj si kryeqyteti Tirana, një qytet i mbushur me ngjyra, hapësira të gjelbërta dhe një personalitet të fuqishëm. Mund të filloni duke eksploruar bunkeret e saj, Hoxha ishte paranojak për luftën dhe mendimet e tij janë përkthyer në 750 000 bunkeret në gjithë vendin. Mund të filloni me “Bunk’Art”, një bunker gjigant sapo del nga qyteti që është transformuar në një muze të artit bashkëkohor. Bunkere të tjerë më të vegjël janë transformuar në klube nate, muze, kafene madje edhe shtëpi!

Piramida e rrënuar dhe plotë piktura në qendër të qytetit u dizenjua nga vajza e Hoxhës si një muze në kujtimin e tij. Ajo u ndërtua në vitin 1988, por vendasit e panë të arsyeshme ta lënë atë të rrënohet për të kujtuar Hoxhën. Ndërsa të rinjtë e Tiranës kanë vajtur më larg, duke e përdorur piramidën si një rrëshqitëse gjigante. Pasi dielli perëndon, merr një xhaketë ose një karton për ta mbajtur poshtë që të rrëshqisni për të kaluar disa çaste të thjeshta argëtimi.

Kruja

Në veri të Tiranës është Kruja, vendlindja e heroit kombëtar Skënderbej. Qyteti mesjetar në buzë të Malit Kruja ka qenë dikur kryeqyteti, por sot është një qytezë e vogël e ngulitur në historinë e Shqipërisë. Merrni një dozë historie në muzeun etnografik, eksploroni fortesën, hyni në xhaminë disa shekullore të vjetër, shihni artizanë vendas që punojnë në anë të rrugës dhe kërkoni për orendi shtëpie dhe objekte antike në tregun e vjetër osman, një vend perfekt për të kaluar një ditë larg kryeqytetit.

Berati

Berati, që ndodhet në listën e UNESCO-s, që quhet “qyteti i një mbi një dritareve”, është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha osmane dhe shtigjet e pjerrëta me kalldrëm që të dërgojnë në kështjellën e shekullit të 13-të. Ndërsa në lumin Osum që rrjedh poshtë mund të zhvillohen aventura me rafting nëpërmjet kanioneve të tij, ose shëtitje të këndshme pasdite për më pak të guximshmit.

Shkodra

Kryeqyteti i veriut, Shkodra, mendohet të jetë një prej qyteteve më të vjetra në Europë dhe shpesh konsiderohet si zemra kulturore e vendit. Shihni statujën e heroinës Nënë Tereza, shëtisni në rrugët e ngushta dhe shihni urën e vjetër osmane sipër lumit Kir. Shkodra është gjithashtu porta hyrëse për disa prej zonave me bukuri natyrale të paprekur ku mund të kryhen ecje malore të mrekullueshme.

Natyra

Shqipëria ka rreth 30% të jetës bimore të Europës, ku shumica gjenden në 15 parqet kombëtare të vendit. Në veri të Shkodrës ndodhen Bjeshkët e Namuna, që nuk janë tjetër përveç se maja të mbuluara me dëborë dhe të përshtatshme për ecje malore, ose thjesht mund t’i admirosh. Në të njëjtën frymë është Liqeni i Ohrit që ndan Shqipërinë me Maqedoninë dhe me ekosistemin e tij me uji të ftohtë mendohet se është një prej liqeneve më të vjetër në botë. I mbushur me pushues vendas mund të kryeni shumë aktivitete si sportet ujore apo noti.

Bregu jugor është një prej zonave më të mrekullueshme për zhytje në Europë, ku mund të eksploroni anije të fundosura të epokës romake dhe shpella të paprekura. Madje do të keni shumë hapësirë për të kryer këtë sport, sepse zhytja ishte e ndaluar në kohën e Hoxhës për të mos lejuar njerëzit që të arratiseshin, pra ky është një aktivitet ende i ri për shqiptarët.

Ndërkohë që jeni duke udhëtuar në rrugët e fjetura pranë Liqenit të Ohrit apo rrugët plot gjallëri të Tiranës, hidhini një sy deleve, dhive apo kafshëve të tjera sepse nuk është e zakonshme të shkëmbehesh rrugës me një bari dhe bagëtinë e tij /ATA/

 

 

SHKARKO APP