Ushtria zbarkon në Rinas, Nishani-Presidentit Meta: Po dhunohet Rendi
Një akt dhune, e konsideron ish-Presidenti Bujar Nishani, vendimin e qeverisë për të nxjerrë me angazhim policor njësi të Forcave të Armatosura ushtarake në aeroportin e Rinasit, pas grabitjes së bujshme të parave të 4 bankave të nivelit të dytë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nishani i bën thirrje Presidentit Ilir Meta, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura që të ketë një vokacion të lartë në parandalimin e çdo akti që përfshin Ushtrinë në veprime që sipas tij dhunojnë Rendin Kushtetues.
”Vendimi i Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes për të nxjerrë me angazhim policor njësi të Forcave të Armatosura ushtarake, jashtë misionit të tyre luftarak dhe pa një vendim të Parlamentit është një dhunim i rëndë i Rendit”.
Shkrimi i plotë
Vendimi i Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes për të nxjerrë me angazhim policor njësi të Forcave të Armatosura ushtarake, jashtë misionit të tyre luftarak dhe pa një vendim të Parlamentit është një dhunim i rëndë i Rendit Kushtetues dhe prerogativë e sjelljes në modelin e një junte ushtarake. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e vendit lejojnë përdorimin e Ushtrisë vetëm në rastet e shpalljes së gjëndjes së jashtëzakonëshme, vetëm me vendim të Parlamentit dhe për një periudhë kohe të përcaktuar qartë. Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes nuk kanë asnjë tagër kushtetues dhe asnjë kompetencë ligjore të lëshojnë një urdhër të tillë.
Si ish President i vendit i bëj thirrje Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Komandantëve të Forcave përkatëse dhe atyre të njësive të caktuara, të mos bëhen pjesë e një cënimi të rëndë të Rendit Kushtetues dhe integritetit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
FA nuk janë pronë dhe mekanizëm pushteti i një qeverie apo partie të caktuar politike në Shqipëri. Ligji përcakton qartë se çdo ushtarak duhet të refuzojë zbatimin e një urdhëri që është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe Kushtetutën. Çdo përfshirje në dhunimin e Rendit Kushtetues prej ushtarakëve përbën tradhëti të lartë.
Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura duhet të ketë një vokacion të lartë në parandalin e çdo akti që përfshin Ushtrinë në veprime që dhunojnë Rendin Kushtetues. Forcat e Armatosura të një vendi anëtar i NATO-s nuk mund të sillen e veprojnë nën shembullin e rregjimit bolivarian të Maduros. Dështimi i institucioneve politike për të organizuar dhe drejtuar mekanizmat kushtetues për ruajtjen e rendit publik dhe luftuar krimin e organizuar nuk mund të jenë justifikimi për dhunimin e rëndë të Rendit Kushtetues së vendit.
KOHA JONË SONDAZH

