Veliaj prezanton Eduard Shalsin: Kashari, motor ekonomik, jo vetëm për Tiranën; zona e lirë ekonomike e hapur për bizneset
Kashari, dikur një komunë, sot një lagje e Tiranës, përfaqësohet në zgjedhjet e 25 prillit nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi. Kryebashkiaku Erion Veliaj e ka prezantuar ministrin si kandidat të Partisë Socialiste, në një takim të zhvilluar me përfaqësues të bizneseve të kësaj zone.
“Përveçse është i angazhuar në politikë, Shalsi vjen nga biznesi, i di hallet e biznesit. Ndaj, jam shumë i lumtur që, ai ka shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe si ministër për Sipërmarrjen dhe ka qenë kyç në promovimin e disa nismave që kanë lehtësuar bizneset, duke filluar nga pagat e luftës, deri te propozimi për ta çuar taksën për biznesin e vogël zero deri në vitin 2029,” u shpreh Veliaj.
Veliaj tha se zona mes Kasharit e Kombinatit, afër impiantit të pastrimit të ujërave, do të kthehet në zonë të lirë ekonomike. “Ne sapo kemi aplikuar për të marrë licencën nga qeveria si operator i zonës ekonomike dhe për ta hapur për të gjitha bizneset, që të ngrenë linjat e tyre të prodhimit me tarifa të reduktuara. Ne kemi disa kompani, nga Forschner, Sumi Moto, që është kompani bijë e Mitsubishit, kompania Everest po kërkon gjithashtu hapësira, duke qenë se prodhon shasitë për Jeep dhe Range Rover, ndaj duam që të shtojmë edhe këtë dimension industrial tek pjesa ku Kashari është kufi me Kombinatin për zonën e lirë ekonomike të Tiranës,” u shpreh ai.
Kashari nga një komunë, tashmë është integruar në të gjithë Tiranën e madhe, ku është rritur vlera e pronës dhe janë zhbllokuar disa nga investimet që kishin ngelur peng prej kohësh, siç është Unaza e Madhe, apo rrethrrotullimi te Shqiponja.
KOHA JONË SONDAZH

