Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, Veliaj: Ditë historike, popujt duhen bashkuar dhe jo përçarë
Në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ish Presidentin, Alfred Moisiu, dhe një delegacion nga Izraeli përkujtuan në një ceremoni të veçantë të gjitha jetët e humbura në vitet e errëta të Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria është një nga të paktat vende, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore i hapi derën hebrenjve që përndiqeshin nga nazistët.
Në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar te memoriali në kodrat e Parkut të Liqenit Artificial, Veliaj e cilësoi historike vizitën e delegacionit izraelit.
“E kujtojmë Ditën e Holokaustit si një mënyrë jo për të vajtuar kohën ose humbjet, por si një mënyrë për të kujtuar që ato humbje dhe ato vuajtje të mos ndodhin më; të mos i ndodhin jo vetëm popullit hebre, por të mos i ndodhin asnjë populli tjetër. Teksa Europa është sërish në luftë, nuk besoj se ka një moment më të përshtatshëm për të kujtuar se cilat gabime nuk duhen bërë më në histori dhe cila është mënyra për t’i bashkuar e jo për t’i përçarë kombet”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se Tirana është një vend i vogël, por me zemër të madhe, e që qëllimi është të bashkojë e të ndihmojë e jo të përçajë kombe dhe njerëz.
“Shpresoj shumë që kjo të mos jetë vizita juaj e fundit, në një vend dhe qytet si Tirana, i cili ka kontribuar për të shpëtuar hebrenjtë dhe ku popullsia e hebrenjve, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte dhjetë herë më e madhe se ajo përpara luftës, për të treguar se nuk ka rëndësi madhësia e vendit, nuk ka rëndësi popullsia e vendit, as ekonomia e vendit; rëndësi ka zemra e vendit dhe ky vend është një vend i vogël, por me një zemër shumë të madhe. Më vjen mirë që ky memorial është kthyer në një pikë pelegrinazhi për të gjithë komunitetin hebraik që viziton Tiranën, si një kujtesë e qytetit tonë, për ato ditë të vështira që nuk duhet të kthehen më kurrë. Nëse mendojmë që lufta kundër diskriminimit ka mbaruar, unë besoj se mjafton vetëm të shohim lajmet e ditës, se si antisemitizmi vazhdon, racizmi vazhdon, politikat përçarëse vazhdojnë, populizmi vazhdon dhe unë besoj se ata që e fitojnë këtë betejë janë ata që kuptojnë se duhet luftuar përditë kundër antisemitizmit, kundër racizmit, kundër përçarjes, për bashkimin e kombeve”, vijoi Veliaj.
Yehiel Bar, ish-nënkryetar i Parlamentit të Izraelit, tha se ndihet i nderuar që ndodhet në Shqipëri dhe se nuk do harrojë kurrë mikpritjen që ky vend i ka bërë popullit hebre. Ai vlerësoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për ngritjen e monumentit në kujtim të hebrenjve që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
KOHA JONË SONDAZH

