Vetingu botohet në Fletoren Zyrtare hyn në fuqi më 9 tetor
Është publikuar në Fletoren Zyrtare ligji i rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani vendosi të mos e hedhë firmën e tij mbi ligjin “për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur ndryshe si ligji i vetingut, duke bërë kështu që ai të hyjë në fuqi automatikisht.
Presidenti këto ditë ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa 20 shtatori ishte afati i fundit ligjor që ai kishte në dispozicion për t’u shprehur përmes dekretit. Sipas Kushtetutës, kur kalohet afati prej 20 ditësh, brenda të cilit Presidenti duhet të shprehet, ligji konsiderohet i dekretuar dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.
Kuvendi miratoi më 30 gusht, gjatë një seance të jashtëzakonshme, pr/ligjin “për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur ndryshe si Vetingu, i cili parashikon të vlerësojë përgatitjen profesionale, integritetin moral, si dhe të zbulojë shkallën e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokuroreve shqiptare nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.
Ligji u miratua vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa deputetët e opozitës e braktisën votimin në shenjë kundërshtimi ndaj pr/ligjit, të cilin e konsideruan “antikushtetues”.
KOHA JONË SONDAZH

