FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Vetingu nuk fillon pa u ngritur organet e rivlerësimit. ILDKPKI dhe DSIK s’mund të nisin punën para majit

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për ligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që rrëzoi PD-në

Nga Herion Mesi

Një muaj pas vendimmarrjes për të rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, Gjykata Kushtetuese publikoi dje vendimin e zbardhur, ku shpjegon dhe argumentet që çuan lënien në fuqi të ligjit të maxhorancë për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por, megjithëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrëzon të 13 pikat e opozitës, interpretimi kushtetues u njeh organeve të Vetingut autoritet të plotë në vendimmarrje gjatë vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në vendimin e saj Kushtetuesja lë hapësira interpretimi sa i përket nisjes së verifikimit të dosjeve dhe ngritjes së dy komisioneve, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisioni i Apelimit.

Këto dy komisione monitorojnë punën e ILDKP-së dhe DSIK-së. Por me interpretimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar strukturat ekzistuese të kontrollit të pasurisë, figurës dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që të funksionojnë pa u ngritur më parë organet e Vetingut.

Bëhet fjalë për ILDKPKI-në dhe DSIK-në, të cilat sipas Gjykatës Kushtetuese, këto institucione nuk mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë mbikëqyrjes dhe kontrollit të organeve të Vetingut.

Gjykata vlerëson se vetëm duke përmbushur këtë kërkesë, do të mund të garantohet respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe do të parandalohet ushtrimi i kompetencave ligjore në mënyrë të pakontrolluar nga ana e organeve ekzistuese.

Kjo do të thotë se edhe pse ligji do të hyjë në fuqi në fillim të shkurtit, Inspektorati i Pasurive dhe Drejtoria e Kontrollit të Figurës, nuk mund të kryejnë asnjë veprim pa u ngritur më parë organet e Vetingut, që në rastin më të mirë, pritet të miratohen nga Parlamenti në kulmin e fushatës elektorale.

Argumentimi

Gjykata në vendimin e saj vëren se sipas nenit 4/3 të ligjit, procesi i rivlerësimit fillon menjëherë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dhe kur çështja është gati për t’u shqyrtuar, institucionet e rivlerësimit vendosin brenda një afati sa më të shpejtë të mundshëm.

Po ashtu, sipas neneve 31/2 dhe 35/2 të ligjit ILDKPKI-ja dhe DSIK-ja fillojnë menjëherë procedurën e kontrollit të pasurisë dhe atë të figurës.

Sipas Gjykatës, përdorimi nga ligjvënësi i fjalës “menjëherë” nuk do të thotë se këto organe mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë mbikëqyrjes e më pas kontrollit të  KPK-së dhe KA-së, konstituimi i të cilave merr rëndësi parësore.

Gjykata, duke bërë një interpretim sistematik të dispozitave të ligjit të kundërshtuar, nga konteksti i tyre, si dhe nisur nga kuptimi i përgjithshëm i këtij ligji, vlerëson se qëllimi i tyre është përcaktimi i rregullave që do të ndiqen gjatë procesit të rivlerësimit nga organet kushtetuese të pavarura, të cilat janë të vetmet organe që kanë kompetencën për të realizuar kontrollin e pasurisë, të figurës dhe të aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit, si dhe kriteret dhe mënyra e realizimit të këtij procesi.

Në këtë kuptim, e gjithë fryma që përshkon dispozitat kushtetuese dhe që reflektohet edhe në dispozitat konkrete të ligjit të kundërshtuar është se procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve kryhet nga organet e rivlerësimit me ndihmën e organeve të tjera shtetërore ekzistuese, të cilat për shkak të qëllimit për të cilin janë krijuar, mënyrës së organizimit dhe funksionimit, si dhe kompetencave që ushtrojnë do të ndihmojnë organet e rivlerësimit në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe përmbushjen e misionit të tyre.

Kompetencat e organeve ekzistuese, siç janë ILDKPKI-ja, DSIK-ja apo organet e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të shihen të shkëputura nga kompetencat e organeve të rivlerësimit, pasi procesi i rivlerësimit është një proces kompleks, i cili në bazë të tij ka parimin e bashkëpunimit, të ndërveprimit dhe të kontrollit mes të gjitha organeve të përfshira në të.

Për më tepër, kjo është e rëndësishme për të evituar çdo ndërhyrje të mundshme nga organet në varësi të pushtetit ekzekutiv, veçanërisht në rastin e kontrollit të figurës, shqetësim ky i ngritur edhe në opinionin e Komisionit të Venecias.

Vetëm duke garantuar që organet e rivlerësimit do të kenë kontrollin e plotë të këtij procesi dhe, nëse është e nevojshme, mundësinë të përcaktojnë edhe modalitete të tjera të bashkëpunimit me organet ekzistuese, rast pas rasti, Gjykata vlerëson se do të garantohet respektimi i parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe do të parandalohet ushtrimi i kompetencave ligjore në mënyrë të pakontrolluar nga ana e organeve ekzistuese.

Nisur nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se për sa kohë që organet ekzistuese ligjzbatuese kanë vetëm rol ndihmës në procesin e rivlerësimit, përderisa veprimtaria e tyre ushtrohet nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (KPK-ja dhe KA-ja), ato nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre pa u konstituuar dhe pa filluar funksionimin këto të fundit.

Ngritja dhe konstituimi i KPK-së dhe KA-së para fillimit të veprimtarisë kontrolluese nga organet e përcaktuara me ligj, garanton që në nisje një proces të pavarur dhe transparent të të gjithë procesit të rivlerësimit në përputhje me qëllimin e tij të përcaktuar në nenin 179/b, pika 1, të Kushtetutës që është: “Garantimi i funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimi i besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi”.

Për rrjedhojë, Gjykata arrin në përfundimin se kjo është e vetmja mënyrë e interpretimit të ligjit objekt kontrolli, në mënyrë që ai të mos bjerë ndesh me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?