VOA: 2 mijë gazeta amerikane janë mbyllur gjatë 15 viteve të fundit

Nga VOA/

Një nga muzetë më unikë në Uashington DC, i quajtur Newseum, u mbyll në prag të Vitit të Ri. Për 12 vjet ai ka shërbyer si një mjedis ndërveprimi, kushtuar gazetarisë si dhe inkurajimit të mesazhit që përcjell Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Më shumë detaje na sjell materiali i përgatitur nga korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Rice.
Pjesë të murit të Berlinit dhe kullave binjake pas rrëzimit më 11 shtator të vitit 2001, makina e shpartalluar nga plumbat e një ekipi televiziv që punonte në ish-Jugosllavi, faqet e para të gazetave nga e gjithë bota, kanë qenë simboli i shtypit të lirë dhe Amendametit të Parë të Kushtetutës Amerikane për më shumë se një dekadë të ekspozuara në godinën e Newseum-it që ndodhet në zemër të kryeqytetit amerikan, Uashington DC.
“Mbi dhjetë milionë vetë e kanë vizituar Newseum-in gjatë gjithë periudhës kohore që ka qenë i hapur në Uashington DC. Gjysma e vizitorëve kanë qenë nxënës shkollash. Është diçka që na ka gëzuar pa masë kur i shihnim ata të ndërvepronin me gjëra të tilla si muri i Berlinit, të mësonin mbi Luftën e Ftohtë apo të shihnin galerinë tonë mbi 11 shtatorin “, thotë Sonya Gavankar, drejtoreshë për Marrëdhëniet me Publikun, Newseum.
Pasi qëndroi i hapur për më shumë se 12 vjet, muzeu falimentoi. Ndërtesa që e strehoi atë gjatë gjithë kësaj periudhe i është shitur universitetin Johns Hopkins për 372.5 milionë dollarë.
“Ideja për Newseum-in nisi mbi njëzet vite më parë, nga themeluesi ynë Al Neuharth, me qëllimin për të edukuar e zhvilluar biseda në lidhje me Amendamentin e Parë të Kushtetutës dhe profesionin e gazetarisë. Kjo ide u jetësua në Rosslyn-in të Virxhinias, në një muze të bukur dhe pas rreth një dekade atje, u transferua këtu në Uashington DC”.
Për të blerë godinën që ndodhet shumë pranë Kongresit u shpenzuan me miliona dollarë. Por megjithëse u arritën të gjitha objektivat e parashikuar, muzeu nisi të përjetojë probleme.
“Amendamenti i Parë, liria e fjalës dhe e shtypit janë të rëndësishme. Jam rritur duke besuar në këto vlera dhe tashmë mendoj se ato janë në rrezik këtu në vendin tonë. Kjo është diçka e trishtë”, thonë Tiffany dhe Jessica Crabtree, vizitore të Newseum-it
“Është shumë e trishtueshme ta shohësh tek mbyllet. Ka kaq shumë histori të dokumentuar ….Kjo të bën të mendosh se sa i rëndësishëm është një shtyp i lirë”, thotë Seth, vizitor i Newseum-it.
Mbyllja e Newseum-t vjen në një kohë të vështirë për gazetarinë tradicionale. Rreth 2 mijë gazeta amerikane janë mbyllur gjatë 15 viteve të fundit. Sipas sondazhe të Gallup-it më pak se gjysma e popullsisë amerikane i besojnë medias, një rënie e madhe nga më shumë se 70 për qind që llogaritej në vitet 1970.
Gazetari Ron Lyons thotë se ai erdhi në Uashingtom DC nga Detroit posaçërisht për të parë Newseum-it.
“Kjo është ajo për të cilën po luftojmë. Kjo është arsyeja pse punojmë si gazetarë, jo thjesht për të marrë çmime e tituj, por për të treguar se liria e shtypit dhe zëri i publikut janë të rëndësishme”, thotë Ron Lyons, gazetar.
Drejtuesit e Newseum-it shpresojnë ta vazhdojnë misionin me theksin tek profesioni i gazetarisë e të paturit të një shtypi të lirë, në një forum në internet.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?